Liderët e shtatë ekonomive më të mëdha demokratike të botës janë mbledhur në Evian-les-Bains të Francës, në një samit që pritet të dominohet nga lufta SHBA-Iran, konflikti në Ukrainë, tensionet tregtare me Kinën dhe sfidat e reja të ekonomisë globale.
Takimi i këtij viti ka një rëndësi të veçantë, pasi është samiti i parë i plotë i G7 ku merr pjesë Presidenti amerikan Donald Trump pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
Një vit më parë, Trump mori pjesë në samitin e zhvilluar në Kanada, por u largua para kohe për shkak të përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke lënë pezull diskutimet për Ukrainën dhe tregtinë globale.
Në samit marrin pjesë liderët e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Japonisë dhe Kanadasë, si edhe drejtuesit e Bashkimit Europian. Të ftuar janë gjithashtu India, Brazili, Koreja e Jugut dhe Ukraina.

Lufta me Iranin në qendër të diskutimeve
Sipas ekspertëve, çështja më urgjente që do të dominojë samitin është konflikti mes SHBA-së dhe Iranit.
John Kirton, drejtor i Grupit Kërkimor të G7 në Universitetin e Torontos, thotë se askush nuk e kishte parashikuar që përplasja e re me Iranin do të zgjaste kaq shumë dhe do të sillte pasoja të ndjeshme për ekonominë globale.
Edhe pse vendet e G7 bien dakord se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore, lufta ka nxjerrë në pah dallime të dukshme mes aleatëve perëndimorë.
Sipas Kirton, ndasi ka pasur jo vetëm mes SHBA-së dhe disa vendeve europiane, por edhe brenda vetë Europës, lidhur me gatishmërinë për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake europiane nga forcat amerikane në operacionet kundër Iranit.
Një tjetër çështje kritike mbetet siguria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, korridori më i rëndësishëm energjetik në botë, nga ku kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë dhe gaz.
Ukraina mbetet prioritet
Në rendin e ditës do të jetë edhe lufta në Ukrainë.
Liderët europianë pritet të diskutojnë vazhdimin e mbështetjes për Kievin, sanksionet ndaj Rusisë, forcimin e mbrojtjes europiane dhe garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën.
Kina dhe lufta ekonomike
Përveç krizave ushtarake, Franca dëshiron që samiti të fokusohet edhe te ekonomia.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që vjen nga çekuilibrat ekonomikë globalë dhe varësitë strategjike në sektorë kyç.
Në qendër të këtyre shqetësimeve qëndron Kina.
Pak ditë para samitit, Macron zhvilloi një videokonferencë me zëvendëskryeministrin kinez Zhang Guoqing, duke theksuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në mënyrë që ekonomia globale të rikthehet në një trajektore më të fortë rritjeje.
Liderët e G7 pritet të diskutojnë mbi suficitin tregtar të Kinës, politikat industriale të Pekinit, mineralet kritike dhe zinxhirët strategjikë të furnizimit.
Megjithatë, mes vendeve perëndimore nuk ekziston ende konsensus i plotë për mënyrën se si duhet trajtuar Kina.
SHBA kërkon masa më të ashpra ekonomike, ndërsa disa vende europiane preferojnë reduktimin gradual të varësisë pa shkëputje të plotë ekonomike.
Roli i Trump në samit
Prania e Donald Trump pritet të ndikojë jo vetëm në përmbajtjen, por edhe në atmosferën e samitit.

Edhe pse liderët europianë kanë pasur më shumë se një vit kohë për t’u përshtatur me rikthimin e tij në pushtet, mosmarrëveshjet për tregtinë, sigurinë, Kinën dhe Lindjen e Mesme vazhdojnë të ekzistojnë.
Sipas ekspertëve, Macron është ndër liderët europianë që ka përvojën më të madhe në menaxhimin e marrëdhënieve me Trump.
Në vitin 2019 ai organizoi samitin e G7 në Biarritz, ku Trump ishte gjithashtu pjesëmarrës, dhe konsiderohet se arriti të shmangte tensione të mëdha diplomatike.
“Macron e di se duhet ta vendosë Trumpin në qendër të vëmendjes dhe t’i japë mundësinë që ta paraqesë samitin si një sukses personal”, vlerëson Kirton.
Pas përfundimit të samitit, Macron do të presë Trump në një darkë private në Pallatin e Versajës, në kuadër të aktiviteteve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Inteligjenca artificiale dhe siguria online
Përveç krizave gjeopolitike, Franca synon të arrijë progres edhe në fushën e inteligjencës artificiale.
Në diskutimet paralele të samitit do të marrin pjesë drejtues të kompanive më të mëdha të teknologjisë, përfshirë Sam Altman të OpenAI, Dario Amodei të Anthropic, Demis Hassabis të Google DeepMind dhe Arthur Mensch të Mistral AI.
Fokusi do të jetë te rregullimi i inteligjencës artificiale, infrastruktura dixhitale dhe mbrojtja e të miturve në internet.
A vazhdon G7 të ketë ndikim global?
Pavarësisht krizave të shumta, ekspertët argumentojnë se G7 mbetet një nga forumet më të rëndësishme të koordinimit ndërkombëtar.
Sipas John Kirton, sfida më e madhe globale vazhdon të jetë ndryshimi klimatik, edhe pse vëmendja publike është përqendruar te luftërat dhe siguria.
Ai thekson se samiti dëshmon se as SHBA dhe as ndonjë fuqi tjetër nuk mund t’i zgjidhë vetëm problemet globale.
“Edhe vetë Trump po kupton se çështje si Irani, tregtia apo siguria ndërkombëtare nuk mund të menaxhohen nga Amerika e vetme”, thotë ai.
Për këtë arsye, samiti i Evianit shihet si një provë e rëndësishme për aftësinë e G7 për të ruajtur unitetin perëndimor në një kohë kur bota po përballet me tensione të shumta gjeopolitike dhe ekonomike.
Burimi: AA





