Marrëveshja historike mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për përfundimin e konfliktit ka hyrë zyrtarisht në fuqi, pasi u nënshkrua nga presidentët e të dy vendeve dhe u miratua nga Pakistani në rolin e ndërmjetësit kryesor të procesit.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit (Islamabad MoU), duke vulosur marrëveshjen që synon t’i japë fund luftës dhe të hapë rrugën për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor iranian dhe lehtësimin e sanksioneve.
Sipas zyrës së kryeministrit pakistanez, Sharif e firmosi dokumentin në cilësinë e ndërmjetësit, pasi më herët ai ishte nënshkruar elektronikisht nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian.

Pakistani ka luajtur një rol kyç në proces, duke ndërmjetësuar armëpushimin e 8 prillit dhe duke organizuar më 12 dhe 13 prill bisedimet më të nivelit të lartë mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979.
Hapet Ngushtica e Hormuzit, hiqet bllokada amerikane
Sipas deklaratës së Sharifit, memorandumi parashikon rihapjen e menjëhershme të Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara do të heqin bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
Ngushtica ishte mbyllur nga Irani menjëherë pas shpërthimit të luftës më 28 shkurt, ndërsa më 13 prill forcat amerikane vendosën bllokadë ndaj porteve iraniane, duke e bërë pothuajse të pamundur kalimin e anijeve tregtare në këtë korridor strategjik.
Zvicra mirëpret marrëveshjen
Ndërkohë, Zvicra ka përshëndetur zyrtarisht nënshkrimin e memorandumit.
Ministria e Jashtme zvicerane deklaroi se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm drejt uljes së tensioneve në rajon.
Sipas Bernës zyrtare, përfaqësuesit e SHBA-së, Iranit, Pakistanit, Katarit dhe vendeve të tjera të përfshira në proces do të takohen të premten në resortin malor të Burgenstock për të nisur negociatat mbi zbatimin praktik të marrëveshjes.
60 ditë negociata për çështjen bërthamore dhe sanksionet
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, konfirmoi se memorandumi tashmë ka hyrë plotësisht në fuqi dhe se raundi i ardhshëm i negociatave do të fokusohet ekskluzivisht në dy çështje kryesore: programin bërthamor iranian dhe heqjen e sanksioneve ekonomike.
Sipas Teheranit, bisedimet do të zgjasin deri në 60 ditë, me mundësi zgjatjeje nëse palët vlerësojnë se çështjet në diskutim kërkojnë më shumë kohë.
Marrëveshja përbëhet nga 14 pika dhe konsiderohet si përpjekja më serioze e dekadave të fundit për të normalizuar marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit, pas muajsh përshkallëzimi ushtarak që rrezikuan të përfshinin gjithë Lindjen e Mesme në një konflikt të gjerë rajonal.






