Miliarderja australiane Gina Rinehart, gruaja më e pasur e Australisë dhe një nga investitoret më të mëdha në sektorin minerar, ka shkaktuar reagime të forta pasi propozoi që qeveria australiane t’i ofrojë falas ishuj Elon Muskut për zhvillimin e projekteve hapësinore, si dhe tokë për specialistë izraelitë që të prodhojnë teknologji ushtarake në vend.
Gjatë një samiti të organizuar në Townsville të Queensland-it, Rinehart deklaroi se Australia duhet të tërheqë investime strategjike duke ofruar tokë dhe lehtësira të mëdha fiskale për kompani dhe investitorë ndërkombëtarë.
Sipas saj, pronari i SpaceX, Elon Musk, mund të përfitojë ishuj pranë Townsville për ndërtimin e satelitëve dhe lëshimin e tyre në hapësirë. Ajo sugjeroi që disa ishuj me popullsi të vogël ose të papopulluar të vihen në dispozicion të kompanisë së Musk, së bashku me infrastrukturën e nevojshme.

“Imagjinoni çfarë mundësish do të krijoheshin për studentët australianë dhe për zhvillimin e teknologjisë në vend”, tha Rinehart.
Deklaratat e saj vijnë vetëm pak ditë pasi u raportua se ajo ka realizuar një investim të konsiderueshëm në kompaninë SpaceX të Elon Musk.
Por pjesa më e diskutueshme e fjalimit lidhej me Izraelin. Rinehart propozoi që specialistëve izraelitë dhe familjeve të tyre t’u jepen toka në Australi për të ndërtuar dhe zhvilluar teknologji të avancuara ushtarake, përfshirë dronë dhe sisteme mbrojtjeje ajrore.
Ajo argumentoi se përvoja izraelite në fushën e mbrojtjes mund të ndihmonte Australinë të forconte sigurinë kombëtare dhe të krijonte industri të reja teknologjike.
Në të njëjtin fjalim, Rinehart sugjeroi gjithashtu që Australia të tërhiqte industrinë tajvaneze të mikroçipave duke ofruar toka falas, përjashtime nga taksat dhe mbështetje logjistike për investitorët.
Miliarderja kritikoi ashpër burokracinë dhe rregulloret shtetërore, duke propozuar madje mbylljen e disa departamenteve federale që sipas saj mbivendosen me kompetencat e shteteve australiane.
Deklaratat e saj kanë ndezur debat në Australi, ku kritikët i kanë cilësuar propozimet si të papranueshme dhe të shkëputura nga realiteti, ndërsa mbështetësit argumentojnë se vendi duhet të bëhet më agresiv në garën globale për investime, teknologji dhe industri strategjike.
Burimi: The Guardian






