Armand Duka është kreu i FSHF-sё prej vitit 2002. Në shkurt të këtij viti, u zgjodh për herë të shtatë radhazi si president i Federatës Shqiptare të Futbollit me një mandat të ri 4-vjeçar, pasi konkurroi me veten. Në vitin 2030 përfundon mandati i tij 28-vjeçar.
Maks Haxhia mban kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë prej vitit 2000. Nesër, më 19 Qershor, ai do të zgjidhet për herë të tetë, si kreu i gjithë avokatëve të Shqipërisë, duke konkurruar me veten, për një mandat tjetër 4-vjeçar, deri në 2030. Kjo zgjedhje do të thyejë një rekord ndërkombëtar për mbajtjen e një posti për 30 vjet.
Një gazetar i njohur kronike, shpotit maninë e krerëve të partive politike në Shqipëri, të cilët nuk lëshojnë pe kur vjen puna te drejtimi: “Në Shqipëri edhe federata e peshkimit nuk e lëshon postin kur vjen puna te zgjedhjet e jo mё Rama dhe Berisha…”.
Gazetari ka të drejtë. Federatat sportive në Shqipëri, jo vetëm ato politike dhe profesionale, kanë “legjendarët” e tyre në drejtim: Agim Çiraku si President i “Notit”, Avni Ponari si President i “Basketbollit” e kështu me radhë; të gjithë drejtuesit e çdo organizimi sportiv janë infektuar nga virusi i “përjetësisë”.
Dhoma e florinjtë e avokatëve
Para një muaji të gjitha mediat pasqyruan gjerësisht garën për kreun e Dhomës së Avokatisë të Tiranës, edhe pse kjo ishte një dhomë lokale. Avokatët e Tiranës lanҫuan një fushatë “elektorale” në rrjetet sociale, që në shumë raste mori nota groteske, ku ata kandidonin sikur të ishin politikanë e jo avokatë që kërkonin një mandat që nuk kuptohej për çfarë.
Kreu i Dhomës së Avokatëve të Tiranës nuk ka asnjë kompetencë që të ndikojë në ngjarje politike apo të drejtësisë. Të gjitha “pushtetet”, bashkë me buxhetin, i mban kryetari i të gjitha dhomave lokale, Maks Haxhia, i cili do të zgjidhet nesër në ambientet e restorantit “Xibraku”.
Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatëve është automatikisht anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës dhe ka një pozicion kyç në shumë aktivitete që lidhen me sistemin e drejtësisë në vend. Si p.sh. në zgjedhjen e anëtarëve të KLP apo KLGJ.
Por fuqia ndikuese që i afrohet pushtetit politik nuk krahasohet me atë ekonomike. Dhoma Kombëtare e Avokatëve është më e pasur se FSHF, ku Armand Duka duket sikur bën diferencën me të drejtat televizive të ndeshjeve.
Janë mbi 15 000 avokatë të licencuar, ku 10 mijë prej tyre e kanë marrë titullin dhe licencën dy dekadat e fundit. Të gjithë kanë paguar rreth 1 000 euro për licencën, ose më tepër, bazuar në vitin e licencimit.
Një tarifë prej 150 euro deri 200 euro paguhet çdo vit nga të gjithë avokatët që ushtrojnë aktivisht profesionin. Rreth 4000 avokatë çdo vit rezultojnë të jenë në aktivitet të plotë, në gjithë Shqipërinë, ku afërsisht 2000 prej tyre janë vetëm në Tiranë.
Në çdo vit Shkolla e Avokatisë organizon nga dy konkurse ku 400-500 juristë që ndjekin një vit kurs, kthehen në avokatë me licencë.
Buxheti sa një shtet i vogël i Dhomës së Avokatëve raportohet se ka qarkulluar rreth 30 milionë euro për thuajse 20 vite, shifër kjo që ka shërbyer të ndërtohet e më pas t`i shitet qeverisё, Poli i Drejtësisë.
Një “pol” tjetër po ndërtohet nga avokatët në zonën ku qeveria dhuroi tokёn për ndërtimin e Kolegjit tё Europёs.
Investimi disamilionësh i godinës së re të Dhomës së Avokatëve mban edhe një hotel në brendësi të tij, ku avokatët jo vetëm do të trajnohen, por dhe do të relaksohen gjatë orëve të gjata të trajnimeve profesionale.
Korpusi i ri ka gjithashtu një emër të bukur: Akademia e Ligjit.


Zgjedhje apo zgjidhje?
Në zgjedhjet politike Shqipëria bën diferencën negative, krahasuar me të gjithë vendet e Evropës, përfshirë Kosovën. Manipulimet, kontestimet, mospranimi i rezultatit kanë qenë gjithnjë problemet që i kanë ndjekur ato.
Kjo “luftë” zgjedhore ndjek edhe organizatat jopolitike të çdo lloji në Shqipëri. Avokatia nuk bën përjashtim. Zgjedhjet e një muaji më parë për Dhomën e Tiranës u karakterizuan nga tensione dhe ankesa që rivalët bënë pas numërimit raskapitës të votave. Për të arritur në zgjedhjen finale që do të bëhet nesër për kreun e Dhomës së të gjitha dhomave të avokatëve në Shqipëri, u zhvilluan zgjedhje lokale, edhe ato me shumë kontestime.
Raportohet se Dhoma lokale e avokatëve të Shkodrës ka kontestuar zgjedhjet për kreun e saj, zhvilluar në mars të këtij viti. Avokatët Ardjan Brunga dhe Uarda Gjekaj e kanë çuar procesin zgjedhor në gjykatë. E njëjta situatë edhe në Dhomën e Avokatëve të Lushnjës, ku kandidati humbës (për një votë) ka paditur procesin zgjedhor dhe rivalin e tij fitues. Dhoma e Avokatëve të Beratit u kthye në një skeç të vërtetë për zgjedhjet e fundit për kreun e saj. Avokati Armando Syri, i zgjedhur për këtë mandat 4-vjeçar, ka paditur paraardhësin e tij për zgjedhjet e katër viteve më parë. Gjyqi vazhdon akoma për postin e pretenduar edhe pse zgjedhjet kanë humbur qëllimin e tyre, sepse paraardhësi ndërroi jetë.
Procesi i kontestuar në disa dhoma lokale do të qetësohet nesër me zgjedhjen e kryeavokatit të Shqipërisë, të Maks Haxhisë. Më pak se 80 avokatë të dalë nga votimet lokale do të zgjedhin emisarin e tyre për katër vitet që Shqipëria dhe avokatia do të “sulmojnë” Evropën.
Avokatët ashtu si politikanët kanë gjetur një zgjidhje për zgjedhjet e tyre: Status quo-në.
Status quo-ja politike, ashtu si ajo e drejtësisë me zgjedhjen e 4 anëtarëve të fundit të Kolegjit tё Posaҫёm tё Apelimit në Gjykatat e Apelit, ka kapluar të gjitha profesionet, organizatat dhe organizmat “e lirë” në Shqipëri. Avokatia nuk ka përse bën përjashtim!
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






