Botërori 2026 vazhdon të prodhojë surpriza dhe emocione të forta. Ndërsa Maroku hodhi një hap të madh drejt historisë duke siguruar praktikisht kualifikimin në fazën me eliminim direkt, Turqia e Vincenzo Montellës i dha lamtumirën turneut pas humbjes së dytë radhazi.
Në stadiumin e Bostonit, Maroku mposhti 1-0 Skocinë falë një goli të shpejtë të Ismael Saibarit. Mesfushori maroken realizoi që në minutën e dytë pas një asistimi të Brahim Diaz, duke shënuar një nga golat më të shpejtë të këtij Botërori. Afrikanët kontrolluan pjesën më të madhe të takimit dhe krijuan raste të tjera për të dyfishuar rezultatin, por portieri skocez Angus Gunn mbajti në lojë ekipin e tij me disa pritje vendimtare.
Në fund, Skocia tentoi të reagojë, por rastet e Lyndon Dykes dhe Scott McTominay nuk sollën golin e barazimit. Pas barazimit të bujshëm 1-1 me Brazilin në ndeshjen e parë, Maroku ngjitet në kuotën e katër pikëve dhe sheh tashmë fazën tjetër shumë pranë.
Drama e vërtetë u zhvillua në San Francisko, ku Turqia u mund 1-0 nga Paraguai dhe u eliminua nga gara. Goditja fatale erdhi pas vetëm 64 sekondash lojë, kur Matias Galarza shënoi me një goditje nga distanca, duke vendosur rekordin për golin më të shpejtë të këtij Botërori.
Pavarësisht se dominoi ndeshjen në mënyrë absolute, Turqia nuk arriti të përmbysë fatin e saj. Skuadra e Montellës mbajti rreth 80% të zotërimit të topit, realizoi më shumë se 600 pasime dhe goditi mbi 27 herë drejt portës, por pa gjetur rrugën e rrjetës.
Situata u komplikua edhe më shumë për Paraguain në fundin e pjesës së parë, kur Miguel Almiron u ndëshkua me karton të kuq sipas rregullave të reja të FIFA-s, pasi foli me gojën e mbuluar gjatë një përplasjeje me Mert Muldur. Megjithatë, edhe me një lojtar më pak, paraguajanët rezistuan deri në fund.
Me këtë rezultat, SHBA siguron matematikisht vendin e parë në Grupin D, ndërsa Paraguai mban gjallë shpresat për kualifikim. Për Turqinë, aventura botërore mbyllet në mënyrën më të dhimbshme: me dominim total në fushë, por pa asnjë pikë në tabelë.
Montella dhe lojtarët e tij largohen nga Botërori me pengun e madh të rasteve të humbura, ndërsa Maroku vazhdon të konfirmohet si një nga ekipet më të rrezikshme të këtij edicioni.







