Aktori amerikan Giancarlo Esposito, i njohur në mbarë botën për rolin e tij ikonik si Gus Fring në serialin televiziv Breaking Bad, ka përqafuar fenë islame gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite, raportojnë mediat saudite.
Sipas gazetës saudite Saudi Gazette, lajmi është bërë publik nga Turki Al-Sheikh, kreu i Autoritetit të Përgjithshëm të Argëtimit në Arabinë Saudite.
Ai ka deklaruar se Esposito ka shqiptuar Shehadetin – deklaratën e besimit islam – dhe më pas është bashkuar me anëtarët e ekipit të produksionit në falje brenda një xhamie, gjatë xhirimeve të një projekti në mbretëri.
Sipas Al-Sheikh, vendimi i aktorit ka ardhur pas përvojave pozitive që ai ka pasur gjatë qëndrimit në Arabinë Saudite dhe kontakteve me komunitetin mysliman gjatë punës së tij në vend.
Mediat saudite raportojnë gjithashtu se Esposito ka shprehur vlerësim për mikpritjen dhe atmosferën që ka gjetur gjatë xhirimeve.
Një video e shpërndarë në rrjetet sociale, sipas raportimeve, e tregon aktorin duke u falur së bashku me pjesëtarë të ekipit të produksionit brenda një xhamie.
Aktori 68-vjeçar ka ndërtuar një karrierë të gjatë në kinematografi dhe televizion. Përveç rolit të Gus Fring, ai njihet edhe për interpretimet në serialet Better Call Saul dhe The Mandalorian, duke fituar vlerësime ndërkombëtare dhe nominime të shumta për çmime prestigjioze.
Esposito aktualisht po merr pjesë në xhirimet e projektit Seven Dogs, një nga prodhimet më ambicioze që po zhvillohen në Arabinë Saudite, ndërsa vendi po investon fuqishëm për t’u shndërruar në një qendër rajonale të industrisë së filmit dhe argëtimit.






