Legjenda e boksit Mike Tyson ka habitur sërish me rrëfimet për jetën e tij jashtë ringut. Ish-kampioni i botës në peshat e rënda ka bindur regjisorin e dokumentarit të tij në Netflix të provonte bashkë me të një substancë të fuqishme psikedelike, të nxjerrë nga helmi i një lloj zhabeje. Përvoja, që regjisori Floyd Russ e përshkruan si një rilindje, është një nga momentet më të pazakonta të dokumentarit kushtuar jetës së boksierit.
Gjithçka nisi nga një pyetje e thjeshtë: Përse Mike Tyson vendosi të rikthehej në ring në moshën 58-vjeçare për t’u përballur me Jake Paul në nëntor të vitit 2024?
Përgjigjja e tij e la të habitur regjisorin.
“Ma tha zhaba. Sa herë që duhet të marr një vendim të rëndësishëm, këshillohem me zhabën”, iu përgjigj Tyson.
Me këtë shprehje, ish-kampioni i referohej substancës psikoaktive 5-MeO-DMT, e cila gjendet në sekrecionet e një lloji zhabeje të shkretëtirës Sonora dhe shkakton përvoja të fuqishme haluҫinogjene.
Rrëfimi është pjesë e dokumentarit katërorësh Tyson, të publikuar në Netflix, i cili ndjek jetën e një prej sportistëve më të famshëm dhe më kontroversë të historisë.
Nga fëmijëria mes varfërisë dhe dhunës në Nju Jork, te ngjitja e jashtëzakonshme në majat e boksit botëror, dokumentari trajton edhe periudhat më të errëta të jetës së tij: varësinë nga droga, martesën e parë të dështuar, akuzat për dhunë në familje, dënimin për përdhunim, për të cilin Tyson vazhdon të deklarojë pafajësinë, si dhe tragjeditë personale që e kanë shoqëruar.

Gjatë realizimit të dokumentarit, regjisori Floyd Russ zhvilloi tetë intervista intensive me Tyson, të shpërndara përgjatë gati një viti.
Në një intervistë për CNN Sports, ai e përshkroi boksierin si një njeri emocionalisht të paparashikueshëm.
“Një ditë mund të takosh një Mike Tyson dhe ditën tjetër një Tyson krejt tjetër. Madje mund të jetë ndryshe edhe pas drekës”, tregoi regjisori.
Pas figurës së frikshme që dikur dominonte ringun, Russ zbuloi një njeri jashtëzakonisht të ndjeshëm.
“Pas asaj figure mashkullore fshihet një burrë i brishtë. Ai është jashtëzakonisht i brishtë dhe kjo është një nga gjërat më interesante tek ai”, u shpreh regjisori.
Në disa momente të dokumentarit, Tyson shpërthen në lot teksa kujton humbjen e nënës dhe të trajnerit të tij legjendar, Cus D’Amato, i cili luajti një rol vendimtar në karrierën e tij.
Por momenti më i pazakontë erdhi kur Tyson i vendosi regjisorit një kusht.
“Nëse e provon zhabën bashkë me mua, do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve të tua”, i tha ai.
Tyson pretendon se përdorimi i kësaj substance e ka ndihmuar të përballet me traumat, të largohet nga varësia ndaj kokainës dhe të jetë më i pranishëm në jetën familjare.
Sipas regjisorit, boksieri e ka përdorur substancën qindra herë.
“Nëse nuk do të ishte për zhabën, ti nuk do të ishe duke më intervistuar. Ndoshta sot do të isha i vdekur”, i kishte thënë Tyson.
Fillimisht, Russ mendoi se bëhej fjalë për një shaka. Por kur bashkëshortja e boksierit, Lahika “Kiki” Spicer, e telefonoi për t’i thënë se Mike dëshironte ta provonin substancën së bashku javën pasardhëse, ai kuptoi se propozimi ishte serioz.
Në fund, regjisori pranoi.
Në dokumentar shfaqet Tyson duke thithur përmes një pipe tymin që përmban substancën psikedelike. Më pas ai shtrihet në një ambient të hapur, duke lëshuar herë pas here tinguj, duke qeshur apo duke bërtitur sikur po përjeton një gjendje të fortë emocionale.
Kur erdhi radha e regjisorit, përvoja ishte po aq e pazakontë.
Russ tregoi se për rreth 20 deri në 30 minuta humbi ndjesinë e zakonshme të realitetit dhe iu duk sikur ishte transportuar në një vend tjetër.
“Ndihesh sikur ke rilindur. Është sikur të mund të kujtoje momentin e lindjes tënde”, tha ai.
Kur u përmend, personi i parë që pa pranë vetes ishte Mike Tyson, me fytyrën e tij të famshme të mbuluar nga tatuazhi.
“Ai ishte rreth gjysmë metri larg meje, më pa dhe më pyeti: ‘Si je?’. Unë thjesht fillova të qesh”, kujtoi regjisori.
Për Russ, kjo përvojë u shndërrua në një metaforë të jetës së Tyson: një njeri që erdhi nga varfëria, fitoi gjithçka, humbi pothuajse gjithçka dhe më pas kaloi vite duke kërkuar paqen me veten.
Megjithatë, përballja me të kaluarën nuk ka qenë e lehtë për ish-kampionin.
Regjisori tregoi se nuk kishte folur me Tyson pas publikimit të dokumentarit, por bashkëshortja e tij i kishte rrëfyer se episodi i parë e kishte bërë boksierin të qante.
“Nuk ishte çështja nëse i pëlqeu dokumentari. Çështja ishte nëse mund ta përballonte emocionalisht. Nëse do t’i kishte pëlqyer tepër, do të mendoja se nuk e kisha bërë siç duhet punën time”, përfundoi Russ.
Substanca 5-MeO-DMT është një halucinogjen shumë i fuqishëm, përdorimi i të cilit mbart rreziqe serioze shëndetësore dhe është i kontrolluar ligjërisht në Shtetet e Bashkuara.

Burimi: CNN





