— Ese mbi revoltёn e flamingove dhe heshtjen e sovranit —
“I vetmi akt i mundshëm i rezistencës në një regjim klasik stalinist ishte të shkruaje.” — Ismail Kadare
I. Vendi që nuk të njeh
Ka një paradoks të hidhur, madje gati absurd, në mënyrën se si shqiptari e banon vendin e vet: ai ecën nëpër rrugët e tij si vizitor i panjohur, shikon drejt detit si dikush që i kanë vënë gardh përpara horizontit, dhe pyet me zë të ulët — gati me frikë — se kujt i përket toka nën këmbët e tij. Kujt i përket? Pyetje e lashtë kjo, aq e lashtë sa vetë Shqipëria, por gjithnjë e re, gjithnjë e dhembshme, gjithnjë pa përgjigje të qartë — sepse përgjigja nuk bëhet publike, nuk vulosen lejet, nuk zbulohen kontratat. Ato mbahen si sekret shtetëror, sikur toka shqiptare të ishte çështje e sigurisë kombëtare, jo e qytetarit të thjeshtë.
Dhe pikërisht kur shqiptari vendosi të dalë në rrugë — jo si emigrant, jo si turist i vetes, por si pronar i ligjshëm i asaj toke — qeveria u çudit. U çudit me atë çudinë tipike të pushtetarëve të çdo kohe dhe vendi: çudia e atij që nuk e kupton se populli ka kujtesë, se deti ka zë dhe flamingot kanë krahë.
Ishte maji i vitit 2026. Në fshatin Zvërnec, pranë Lagunës së Nartës — atje ku ujërat dhe qielli bashkohen me atë qetësi të rreme që vetëm natyra e pabetonizuar di ta ruajë — filluan punimet. Jo punimet e popullit, por punimet për popullin, siç thuhet zakonisht. Resort luksoz. Investim strategjik. Ligë kampionësh e turizmit ndërkombëtar. Ndërtues: dy vëllezër nga Katari. Mbështetës: flitet për dhëndrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Pronësia e tokës: e diskutueshme. Lejet mjedisore: të padhëna, jo të paplotësuara. Konsultimi publik: i munguar. Transparenca: askurrë e ndodhur.
II. Revolucioni i flamingove
Flamingot nuk votojnë. Ky është avantazhi i tyre i vetëm ndaj shqiptarit të sotëm — sepse edhe kur shqiptari voton, rezultati shpesh i duket si diçka e planifikuar paraprakisht, si një shfaqje teatrale ku edhe shikuesit janë aktorë, vetëm se nuk e dinë. Por flamingot e lagunës, ato kripjet rozë të ekosistemit Vjosë–Nartë, u bënë papritur simboli i diçkaje shumë më të madhe se vetja e tyre.
Protestat nisën në maj 2026. Fillimisht ishin thirrjet e atyre që banojnë pranë lagunës, atyre që e njohin erën e saj të kripur, fishkëllimën e erës nëpër kallinjtë e tharë, ngjyrën e ujit kur dielli perëndon pas Sazanit. Pastaj u shtuan të tjerë — studentë, artistë, intelektualë, prindër me fëmijë, pleq me kujtime. Dhe diaspora: ata shqiptarë që jetojnë jashtë, që kthehen si turistë në vendin e vet, që blejnë biletën e aeroplanit me para të fituara me mund për të ardhur e parë nëse vendi i tyre ka mbetur ende njëfarësoj i tyre.
Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë e pushtuan qindramijëra njerëz — sipas të gjitha burimeve, protesta më e madhe antiqeveritare e organizuar ndonjëherë në Shqipëri. Tre dekada kishte pritur populli, dhe pastaj, sikur të kishte vendosur kolektivisht se ishte kënaqur me durim, doli. Flamuri kuqezi u shpalos te shkallët e Piramidës — atij monumenti të një kohe të keqe, që Tirana demokratike, me mençurinë e saj të posaçme, e ktheu në qendër argëtimi, si një fëmijë që i jep lodër të vjetër dikujt që ka qenë i burgosur.
“Shqipëria nuk është në shitje.” “Mbrojmë pasuritë publike.” “Jo betonizimit të bregdetit.” — Sloganet e Revolucionit të Flamingove, qershor 2026
III. Pesë kërkesat dhe taktika e shpërqendrimit
Në ditën e njëzet e tretë të protestave — numëro, lexues i duruar, njëzet e tre ditë vazhdimisht — organizatorët bënë publike pesë kërkesat e tyre. Ato ishin të qarta, legjitime dhe, sipas tyre vetë, të panegociueshme:
Së pari, dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë së tij. Së dyti, formimi i një qeverie tranzitore, jopartiake, me mandat njëvjeçar. Së treti, ndryshime kushtetuese përmes referendumit popullor, duke kufizuar mandatin e kryeministrit në jo më shumë se dy herë. Së katërti, shfuqizimi i kuadrit të investimeve strategjike — atij mekanizmi që u jep projekteve të mëdha, misterioze dhe politikisht të favorshme mundësi për procedura të shpejtuara dhe akses në tokën publike. Së pesti, rishikimi i ndryshimeve ligjore që dobësojnë mbrojtjen e zonave natyrore dhe trashëgimisë kulturore.
Pesë kërkesa. Të qarta. Të shkruara. Të lexuara me zë të lartë para ndërtesës së Kryeministrisë.
Dhe ç’bëri Kryeministri? Reagoi me atë shkathtësinë e veçantë të politikanëve modernë që kanë mësuar se si të flasin shumë pa thënë asgjë: u fokusua te personi që i lexoi kërkesat, jo te kërkesat vetë. Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së, i zgjedhur nga organizatorët si lexues i deklaratës, u bë papritur qendra e debatit. Rama e cilësoi atë si “zëdhënës të interesave të Iranit” dhe publikoi në Facebook dokumente pa vulë. Irani. Sigurisht. Sepse kur njëzet e tre ditë rresht qytetarët marshojnë nëpër rrugë duke kërkuar drejtësi mjedisore dhe llogaridhënie demokratike, shkaku i vërtetë është Teherani.
IV. Lufta hibride kundër flamingove
Është e vështirë, madje gati artistike, mënyra se si Kryeministri Rama ka gjetur gjithnjë një “fajtor” tjetër për pakënaqësinë qytetare. Gjatë javëve të protestave, lista e fajësive u bë sa e gjatë aq edhe e mahnitshme në kreativitetin e saj gjeografik: fillimisht Greqia dhe Irani, pastaj “blogerë dhe rrjete sociale”, pastaj Kosova dhe Maqedonia e Veriut — sepse, natyrisht, kur shqiptarët nga diaspora vijnë të protestojnë në vendin e tyre të origjinës, kjo është ndërhyrje e huaj, jo dashuri për vendlindjen.
Ky fenomen — i quajtur “luftë hibride” nga vetë Kryeministri — ka një histori të gjatë e të nderuar në Shqipëri. Dikur regjimi komunist gjente “agjentë të huaj” kudo: në librat e ndaluara, në muzikën perëndimore, në flokët e gjata të të rinjve. Sot metodologjia ka evoluar: nuk i ndalon flokët, por u mohon flamingove habitatin e tyre. Nuk djeg librat, por betonon lagunën. Nuk ka burg — mirë, ka edhe burg, Prokuroria hapi hetime ndaj pesëmbëdhjetë protestuesve — por ka diçka shumë më elegante: ka “dezinformimin”.
Dezinformimi — fjala magjike e shekullit të njëzet e një, zëvendësuese moderne e “agjentit të huaj” — është mburoja e fundit e çdo qeverie që nuk dëshiron të diskutojë substancёn. Kur populli ankohet, nuk ankohet: është i dezinformuar. Kur protestuesi del në rrugë, nuk del: është i manipuluar. Kur flamingot largohen nga laguna, nuk largohen: është propagandë.
“Kur qeveria i druhet popullit, ka demokraci; kur populli i druhet qeverisë, ka diktaturë.” — moto e lëvizjes protestuese
V. Ftesa për njëzet vetë
Ndër momentet më iluminuese të gjithë kësaj sage ishte ftesa e Kryeministrit. Para tubimit të parë të madh në Tiranë, Rama iu drejtua protestuesve nëpërmjet rrjeteve sociale — nё platformёn ku qeveris me shumë më shumë qejf se sa nëpërmjet Qeverisë — me këto fjalë:
“Mblidhuni njëzet vetë, të flasim!” — Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, 3 qershor 2026
Njëzet vetë. Jashtë, mbi bulevardin, ecnin dhjetëmijëra. Brenda, pas xhamit të Kryeministrisë, oferta ishte: njëzet. Një numër i mrekullueshëm ky, i mjaftueshëm për të mbushur një dhomë mbledhjesh, i pamjaftueshëm për të përfaqësuar një komb. Por Rama e di dhe e përdori me qëllim: njëzet vetë mund t’i administrosh, mund t’i bindësh ose t’i lodhësh. Njëzet mijë vetë janë problem tjetër.
Protestuesit iu përgjigjën në kor: “Nuk ka dialog.” Dhe vazhduan marshimin. Sepse kishin kuptuar atë që Kadare e kishte shprehur me fjalë shumë më elegante: se në Shqipëri nuk mungon kurajo fizike, por ka qenë gjithnjë e vështirë kuraja civile — ajo kuraja e vazhdueshme, e qetë, e palodhshme, e atij që del çdo mbrëmje në orën 18:00, edhe kur është i lodhur, edhe kur bie shi, edhe kur policia qëndron afër.
VI. Turistë në vendin e vet
Eshtё sa e dhimbshme por dhe e vёrtetё qё protestën e madhe të qershorit 2026 e mbushën, ndër të tjerë, edhe shqiptarët e diasporës. Ata që jetojnë në Gjermani, Itali, Angli, Greqi, ShBA — që kanë shkuar atje jo sepse deshën të linin Shqipërinë, por sepse Shqipëria nuk u ofroi mjaftueshëm arsye të qëndronin — ata u kthyen. Blenë biletë. Takuan familjarёt. E mbushën bulevardin.
Erdhi ai emigranti shqiptar, i cili në vendin e tij të “adoptimit” ka të drejta të plota qytetare dhe votë të vlefshme, ama kthehet në Shqipëri si turist. Shkon te Piramida — atje ku dikur ishte muzeu i lavdisë enveriste, tani vend i lojërave dhe koncerteve — dhe shpalos flamurin. Ecën nëpër bulevard. Bërtet. Pastaj kthehet në Francë ose Suedi, sepse fëmijët i ka atje, punën e ka atje, të ardhmen e ka atje.
Ndërsa ai shqiptar që ka qëndruar — ai që nuk ia doli dot të emigronte, ose nuk deshi, ose nuk kishte mundësi — ai ecën çdo ditë pranë lagunës dhe shikon si ngrihet godina. Ai është emigrant pa lëvizur nga vendi. Emigrant brenda kufijve të vendit të vet. Sepse Zvërneci dhe Sazani nuk i takojnë atij: i takojnë “investitorëve strategjikë”, vëllezërve nga Katari, ligjeve të nxituara dhe vendimeve të marra në dhoma luksoze ku ai nuk ka hyrë kurrë.
VII. Çmimi i korrupsionit
Bloomberg e quajti protestёn si valën më të madhe të protestave të tre dekadave të fundit në Shqipëri. Dhe nuk ishte pa arsye. Transparency International e kishte vendosur Shqipërinë në vendin e 91 (nëntëdhjetë e një) nga 182 (njëqind e tetëdhjetë e dy) vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit — me 39 (tridhjetë e nëntë) pikë nga 100 (njëqind). Tridhjetë e nëntë. Janë pikë të vogla këto, me vlerë të madhe simbolike: një pikë larg dyzetës, larg hirit të mesatares.
Korniza e investimeve strategjike — ky mekanizëm i krijuar me qëllim të deklaruar të tërheqjes së kapitalit të huaj — u bë, sipas kritikëve dhe protestuesve, rruga e shkurtër e favoreve: projekte të lidhura politikisht, procedura të përshpejtuara, toka publike të transferuara pa transparencë.
Edhe Bashkimi Evropian u shqetësua: zëdhënësi i Komisionit Europian Guillaume Mercier deklaroi se Shqipëria duhet të shmangë çdo veprim që mund të cenojë përmbushjen e kriterit përmbyllës të negociatave të anëtarësimit. Edhe kjo fjalë e rëndë — anëtarësimi — ajo ëndrra e zgjatur e shqiptarëve, edhe ajo po rrezikohej nga betoni dhe nga kontratat e fshehura.
VIII. Guri dhe ëndrra
Kadare ka shkruar se Shqipëria është një vend guri — jo vetëm fizikisht, por shpirtërisht, historikisht, emocionalisht. Gjirokastra e tij, qyteti i gurtë, është metaforë e një populli që ka mësuar të jetojë mes shkëmbinjve, të rezistojë si guri, të humbasë si guri kur hidhet në ujë dhe zhytet ngadalë pa bërë zhurmë.
Por njerëzit nuk janë gurë. Dhe kur shteti fillon të sillet si guri — i ftohtë, i palëvizshëm, i paarsyeshëm — populli gjen mënyrën e vet të dёgjohet. Gjen flamingon si simbol. Gjen bulevardin si skenë. Gjen orën 18:00 si ritual të ri, çdo mbrëmje, si lutje laike ndaj asaj demokracie që premtohet por vonohet.
Sepse, siç shkruan Kadare vetë — me atë ironi të kontrolluar, me atë largësi elegante të shkrimtarit që ka parë shumë dhe që di të ndajë inatin nga analiza — “Shqipëria ka traditë shumë të pakët të kurajos civile. Sepse nëse kemi jetuar pesë shekuj në një shtet totalitar, pushtues, koncepti i trimërisë është grumbulluar tek koncepti i lirisë.” Dhe tani, pak nga pak, populli po mëson ta ndajë lirinë e armëve nga liria e sheshit të hapur. Po mëson se trimëria civile nuk bërtet me pushkë — bërtet me zë, nën diellin e qershorit, me pankarta nё formё flamingoje në duar.
IX. Fund i hapur — si gjithmonë
Kur shkruhet ky tekst, protestat kanë hyrë në ditën e tyre tё shumtё, njëzet e pestё. Kryeministri ka refuzuar çdo thirrje për dorëheqje, duke kujtuar me krenari se Partia Socialiste fitoi në zgjedhjet e fundit. Është argument i vlefshëm ky, brenda logjikës së demokracisë formale. Por edhe Enver Hoxha mori vota — me 100 për qind, çudi e matematikës politike.
Zona e Zvërnecit vazhdon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Flamingot, çuditërisht, janë ende atje — megjithëse, sipas logjikës zyrtare, mund të jenë edhe ata agjentë të huaj. Investitori amerikan, dhëndri i presidentit Trump, pret. Vëllezërit nga Katari presin. Qeveria e Shqipërisë pret.
Vetëm populli nuk pret më.
“Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve.” — Deklarata e organizatorëve të protestës, 22 qershor 2026
© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






