Për vite me radhë, Ron McAndrew ishte një mbështetës i bindur i dënimit me vdekje. Më pas u bë drejtori i burgut ku Florida kryente ekzekutimet dhe ishte pikërisht ai që duhej të jepte sinjalin përfundimtar për t’u marrë jetën të dënuarve. Sot, në moshën 88-vjeçare, thotë se pendohet për gjithçka dhe se kujtimet e njerëzve që ndihmoi të ekzekutoheshin vazhdojnë ta ndjekin edhe pas gati tri dekadash.
“Çdo natë”, kujton ai, një prej burrave që kishte ndihmuar të ekzekutohej i shfaqej në fund të shtratit. Nuk fliste. Vetëm e shihte. Në mendjen e tij, megjithatë, sytë e tij i drejtonin gjithmonë të njëjtën pyetje: “Si munde ta bëje një gjë të tillë? Gjithmonë ke pretenduar se ishe njeri i mirë. Dhe tani po vret njerëz.”
McAndrew u bë drejtor i Florida State Prison në vitin 1996, burgu ku kryheshin ekzekutimet e shtetit. Ai drejtoi ekipin gjatë ekzekutimit me karrige elektrike të tre të dënuarve dhe më pas shkoi në Teksas, ku mori pjesë në ekzekutime të tjera me injeksion vdekjeprurës. Me kalimin e kohës, bindja e tij e dikurshme filloi të shembej.
Çdo ekzekutim kishte një ritual të ftohtë. McAndrew siguronte vaktin e fundit të të dënuarit, zhvillonte bisedën e fundit me të dhe, vetëm pak minuta përpara vdekjes, përpiqej t’i ofronte një lloj ngushëllimi. Më pas vinte momenti kur i burgosuri lidhej në karrigen elektrike dhe McAndrew jepte një sinjal të fshehtë drejt ekzekutorit. Kuptimi ishte vetëm një: tërhiq levën.
Por një nga ekzekutimet do t’i ndryshonte jetën.
Në mars të vitit 1997, Pedro Medina u ul në karrigen elektrike duke këmbëngulur deri në fund: “Jam ende i pafajshëm”. Pasi McAndrew dha sinjalin, dëgjoi fillimisht një krismë dhe më pas një flakë e madhe shpërtheu në kokën e të dënuarit, ndërsa dhoma u mbush me tym të zi. Kur elektricisti e pyeti nëse duhej të vazhdonin, McAndrew dha urdhrin: “Po. Vazhdoni.” Sot thotë se kjo është fjala për të cilën pendohet më shumë në jetën e tij.
Problemet kishin nisur edhe më herët. McAndrew ishte bindur se hetimi ndaj një tjetër të dënuari me vdekje, Leo Jones, kishte qenë seriozisht problematik. Jones, i dënuar për vrasjen e një polici, deklaronte se ishte i pafajshëm dhe se rrëfimi i tij ishte marrë me detyrim. Pavarësisht dyshimeve të McAndrew, ai u ekzekutua në vitin 1998.
Presioni psikologjik ndërkohë po e shkatërronte. Ai pothuajse nuk flinte, ndërsa kur arrinte të flinte shihte të dënuarit të ulur në heshtje mbi shtratin e tij. Deri në ekzekutimin e tretë kishte nisur të pinte rëndë çdo natë për të mpirë dhimbjen dhe mendoi edhe vetëvrasjen. McAndrew thotë se bashkëshortja e tij, Lynne, ishte arsyeja që nuk e çoi deri në fund atë mendim.

Ai u largua nga sistemi penitenciar në vitin 2002 dhe më pas e ktheu pjesën tjetër të jetës në një përpjekje për të luftuar atë që dikur kishte mbështetur. Ka udhëtuar nëpër SHBA duke folur kundër dënimit me vdekje dhe ka ndihmuar avokatë dhe të dënuar në apelimet e tyre, përfshirë raste ku pretendohet se prova të reja mund të tregojnë pafajësinë e të dënuarve.
Historia e tij bëhet edhe më aktuale për shkak të ritmit të ekzekutimeve në Florida. Sipas CNN, shteti ekzekutoi 19 të burgosur gjatë vitit 2025, ndërsa në vitin 2026 mund të arrijë përsëri një numër të ngjashëm. Në të njëjtën kohë, sondazhet e Gallup tregojnë se mbështetja për dënimin me vdekje në SHBA ka rënë në 52%, nga 60% një dekadë më parë dhe 71% në periudhën kur McAndrew drejtonte burgun.
McAndrew i ka shkruar disa herë guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, duke i kërkuar të ndalojë firmosjen e urdhrave të ekzekutimit, por thotë se nuk ka marrë përgjigje. Drejtori i komunikimit i DeSantis dha për CNN një përgjigje të prerë: “Këshilla ime për ata që duan të shmangin dënimin me vdekje në Florida do të ishte të mos vrisnin njerëz.”
Në moshën 88-vjeçare, ish-drejtori i burgut thotë se nuk e di edhe sa kohë do të jetë në gjendje të vazhdojë betejën e tij, por nuk ka ndërmend të heshtë.
“Nuk kam mbaruar ende”, thotë ai.
McAndrew është katolik dhe beson në jetën pas vdekjes. Në fund të bisedës me CNN, ndërsa mbi shtëpinë e tij shpërtheu një stuhi, ai ngriti sytë drejt qiellit dhe tha: “Ka shumë njerëz atje lart që më presin.”


Burimi: CNN





