Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare në administratën Trump, John Bolton, pranoi të premten fajësinë për mbajtje të paligjshme të informacionit të klasifikuar, duke vulosur një marrëveshje me prokurorët federalë që mund t’i mundësojë shmangien e një dënimi me burg.
Bolton, i cili u shndërrua në një kritik të hapur të Presidentit Donald Trump pasi shërbeu në administratën e parë të republikanit, pritet të dënohet më 28 tetor nga gjyqtari i Gjykatës Federale të Qarkut, Theodore Chuang, në Greenbelt të shtetit të Maryland.
Bolton, 77 vjeç, banues në Bethesda të Maryland-it, pranoi fajësinë për një akuzë të vetme për mbajtje të paligjshme të informacionit që lidhet me mbrojtjen kombëtare, vepër penale që parashikon një dënim maksimal prej 10 vitesh burg. Marrëveshja e tij me Departamentin e Drejtësisë mund t’i mundësojë shmangien e burgut, por vendimin përfundimtar mbi dënimin do ta marrë gjykatësi.
Trump e përshëndeti pranimin e fajësisë në platformën e tij të rrjeteve sociale të premten në mbrëmje, duke e quajtur Boltonin një “njeri të tmerrshëm” dhe duke shkruar: “Shpresoj që të trajtohet me dorë të fortë!”
Marrëveshja e pranimit të fajësisë rekomandon që çdo dënim me burg të mos kalojë pesë vjet, por gjykatësi nuk është i detyruar ta ndjekë këtë rekomandim. Bolton, i cili gjithashtu pranoi të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh, ka të drejtë të tërheqë pranimin e fajësisë nëse gjykatësi vendos një dënim më të gjatë me burg ose një gjobë më të lartë.
Bolton duhet të paguajë gjysmën e gjobës brenda pesë ditëve nga pranimi i fajësisë dhe pjesën e mbetur brenda 90 ditëve. Ai gjithashtu pranoi të heqë dorë nga pensioni që përfiton për shërbimin e tij federal. Marrëveshja kërkon gjithashtu që ai t’i nënshtrohet një procesi debrifimi me zyrtarët federalë të inteligjencës dhe të kryejë deri në 100 orë punë në shërbim të komunitetit.
Pasi një prokuror lexoi në sallën e gjyqit përmbledhjen e veprave penale për të cilat akuzohej, Bolton pranoi se përshkrimi ishte i saktë.
“Më vjen keq për këtë,” i tha ai gjykatësit.
Avokati mbrojtës, Abbe Lowell, deklaroi se Bolton “bëri atë që bëjnë udhëheqësit e vërtetë”, duke pranuar fajësinë.
“Ai mori përgjegjësi për një gabim që kishte bërë, duke i kursyer kështu qeverisë burimet që do të nevojiteshin për të ndjekur një proces gjyqësor, i cili mund të ekspozonte informacione të tjera të ndjeshme,” tha Lowell në një deklaratë pas seancës.
Prokurorja Federale Kelly O. Hayes, autoriteti më i lartë i prokurorisë federale në Maryland, deklaroi se Bolton e dinte shumë mirë mënyrën e duhur të trajtimit dhe ruajtjes së informacionit të klasifikuar.
“Ai e dinte gjithashtu dëmin që mund t’i shkaktohej sigurisë kombëtare nga keqmenaxhimi i këtij informacioni të ndjeshëm. Megjithatë, siç sapo pranoi zoti Bolton, ai e vuri sigurinë tonë kombëtare në rrezik të madh, në shkelje të ligjit,” u tha Hayes gazetarëve.
Bolton u akuzua tetorin e kaluar me 18 pika akuze për mbajtje ose shpërndarje të informacionit të klasifikuar, përfshirë shënime të ngjashme me një ditar personal, të cilat ua kishte ndarë të afërmve të tij ndërsa shkruante kujtimet mbi karrierën e tij në qeveri.
Edhe kundërshtarë të tjerë të Trump janë përballur me akuza penale federale gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Ndërsa disa prej këtyre çështjeve janë rrëzuar pas shqyrtimit gjyqësor dhe mes pretendimeve për hakmarrje politike, Bolton nuk zhvilloi një mbrojtje agresive ndaj akuzave, duke zgjedhur në fund të arrinte një marrëveshje me prokurorinë.
Agjentët e FBI-së kontrolluan banesën e Boltonit në Maryland dhe zyrën e tij në Uashington në gusht të vitit të kaluar, por hetimi kishte nisur përpara rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, në janar 2025.
Bolton shërbeu për më shumë se një vit si këshilltar për Sigurinë Kombëtare gjatë administratës së parë Trump, përpara se të largohej nga detyra në vitin 2019. Më pas ai botoi librin “The Room Where It Happened”, në të cilin paraqiti një portret aspak favorizues të mënyrës së drejtimit të Trump.
Administrata Trump u përpoq pa sukses të bllokonte botimin e librit, duke pretenduar se ai përmbante informacion të klasifikuar që mund të vinte në rrezik sigurinë kombëtare. Trump e ironizoi Boltonin, duke e quajtur një “të çmendur” dhe “nxitës lufte”, që sipas tij do ta kishte futur vendin në “Luftën e Gjashtë Botërore”.
Aktakuza ndaj Boltonit u përqendrua te shënimet që ai kishte ndarë me bashkëshorten dhe vajzën e tij, dhe jo te përmbajtja e librit. Pasi u dërgoi një prej dokumenteve, Bolton u shkroi të afërmve: “Për asgjë nga këto nuk flasim!!!”. Në përgjigje, njëri prej tyre shkroi: “Shhhhh”, thanë prokurorët.
Sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë që shoqëronin pranimin e fajësisë, Bolton ndau me familjarët e tij më shumë se 1,000 faqe me shënime në formë ditari mbi aktivitetin e tij të përditshëm si këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Nuk ka prova që të afërmit e tij t’ia kenë shpërndarë këto informacione ndonjë personi tjetër.
Megjithatë, sipas dokumenteve gjyqësore, disa kohë pasi Bolton u largua nga shërbimi qeveritar, një haker i lidhur me Iranin arriti të depërtonte në llogarinë personale të postës elektronike të Boltonit dhe të siguronte qasje në informacion të klasifikuar. Në vitin 2021, Bolton udhëzoi një përfaqësues të tij që t’i njoftonte autoritetet amerikane për komprometimin e kësaj llogarie.
Burimi: AP






