Mbrojtësi i Interit dhe i kombëtares italiane, Alessandro Bastoni, është vënë nën hetim nga prokuroria italiane për dyshime mbi përfshirjen në një rast të prostitucionit me të mitur, në kuadër të një hetimi më të gjerë ndaj një kompanie eventesh që organizonte mbrëmje luksoze për klientë VIP.
Sipas prokurorëve, Bastoni dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me një vajzë 17-vjeçare, e cila ishte rekrutuar nga agjencia që organizonte darka dhe evente ekskluzive në Milano.
Hetuesit pretendojnë se drejtuesit e kompanisë, të cilët gjithashtu janë nën hetim, u vinin në dispozicion klientëve apartamente private ku, sipas akuzës, zhvilloheshin takime seksuale edhe me vajza të mitura.
Në dosjen hetimore, e cituar nga mediat italiane, përmenden përgjime telefonike të vitit 2020, ku Bastoni thuhet se kishte shprehur “qartësisht synimin për të kryer marrëdhënie seksuale menjëherë pas darkës” në një apartament në Cinisello Balsamo.
Në një nga bisedat e përgjuara, një përfaqësues i agjencisë i shkruan futbollistit: “Mendoj se vajza e mitur dëshiron të flejë me ty. Besoj se dëshiron të argëtohet.”
Sipas dokumenteve hetimore, Bastoni i është përgjigjur: “Ka ndonjë vend ku mund të fshihemi?”, ndërsa përfaqësuesi i agjencisë i ka kthyer përgjigje: “Do të gjejmë një zgjidhje. Në rastin më të keq, mund ta marrësh në shtëpi.”
Sipas prokurorisë, agjencia e përfshiu vajzën në prostitucion gjatë mbrëmjes së 11 korrikut 2020.
Vajza, e marrë në pyetje së fundmi si dëshmitare, ka konfirmuar se ka qenë në banesën e Bastonit, por ka mohuar se ka pasur marrëdhënie seksuale me futbollistin.
Avokati i mbrojtësit italian, Salvatore Scuto, ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat.
“Mund ta përjashtoj plotësisht që klienti im të ketë paguar ndonjëherë për marrëdhënie seksuale, aq më pak të ketë pasur marrëdhënie me të mitura”, deklaroi ai.
Sipas legjislacionit italian, marrëdhëniet seksuale me persona të moshës 14 deri në 18 vjeç në këmbim të parave ose të çdo përfitimi tjetër, edhe nëse ky vetëm premtohet, dënohen me burg nga një deri në gjashtë vjet.
Lajmi vjen në një moment të vështirë për Bastonin edhe në aspektin sportiv. Mbrojtësi ka qenë objekt kritikash të forta pas eliminimit të Italisë nga Botërori, pas kartonit të kuq të marrë në humbjen ndaj Bosnje-Hercegovinës në muajin prill, rezultat që i dha fund shpresave të “Axurrëve” për kualifikim.
Pak muaj më parë, Bastoni ishte përfshirë edhe në një tjetër polemikë gjatë ndeshjes Inter-Juventus, ku u akuzua gjerësisht për simulim në një rast që çoi në përjashtimin e mbrojtësit të Juventusit, Pierre Kalulu. Futbollisti i Interit kërkoi më pas ndjesë publike për simulimin gjatë një konference për shtyp.
Hetimet ndaj Bastonit dhe personave të tjerë të përfshirë vijojnë, ndërsa autoritetet italiane nuk kanë ngritur ende akuza formale dhe çështja mbetet në fazën paraprake të hetimit.






