Një alarm për rrëmbim avioni aktivizoi të martën procedurat ndërkombëtare të sigurisë ajrore, pasi një avion pasagjerësh i kompanisë polake LOT Polish Airlines, që fluturonte nga Varshava drejt Tel Avivit, transmetoi kodin e emergjencës 7500, i cili përdoret ndërkombëtarisht për të sinjalizuar një rrëmbim të mundshëm të avionit.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës e Turqisë bëri të ditur se sinjali i alarmit u transmetua fillimisht ndërsa avioni ndodhej në hapësirën ajrore bullgare, përpara se të hynte në hapësirën ajrore turke.
Megjithëse ekuipazhi informoi autoritetet se në bord nuk kishte asnjë situatë të jashtëzakonshme, autoritetet turke zbatuan të gjitha masat e parashikuara nga protokollet ndërkombëtare të sigurisë ajrore.
Sipas ministrisë, dy avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Turke u ngritën menjëherë dhe shoqëruan avionin e pasagjerëve gjatë gjithë kohës që ai ndodhej në hapësirën ajrore të Turqisë.
Pas koordinimit me autoritetet bullgare, avionit iu dha leja të rikthehej në hapësirën ajrore turke për të vazhduar më pas drejt Aeroportit të Burgasit, në Bullgari, ku ishte autorizuar të kryente ulje emergjente.
Avionët F-16 vazhduan ta shoqëronin fluturimin deri në momentin që ai doli nga hapësira ajrore turke.
Avioni u ul në mënyrë të sigurt në Aeroportin e Burgasit në orën 17:12 sipas orës lokale, pa u raportuar incidente apo persona të lënduar.
Në një reagim paraprak, kompania LOT Polish Airlines sqaroi se alarmi ishte shkaktuar nga një gabim i pilotit gjatë transmetimit të kodit të emergjencës dhe se nuk kishte pasur asnjë rrëmbim apo kërcënim real ndaj avionit.
Autoritetet turke deklaruan se vijojnë të monitorojnë incidentin në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ndërsa pritet verifikimi përfundimtar i rrethanave që çuan në aktivizimin e kodit të rrëmbimit.





