Qershori i këtij viti mund të thuhet pa mëdyshje se ishte muaji i protestave, pavarësisht se pritej të ishte muaji i Botërorit. Në të dyja rastet deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do paguheshin me rrogën që ju ka caktuar “populli”, por protesta e nxori llogarinë e tyre bankare më në pah.
Deputetët socialistë patën një qershor impenjativ në rrjetet sociale duke ndjekur dhe ripostuar kryeministrin Rama, të cilin e ndoqën me duartrokitje edhe në turin e tij “Anti Flamingo” nëpër Shqipëri.
Demokratët ishin më në hije, “duartrokitën” vetëm gjysmën e parullës së protestuesve “Rama n’Burg – Berisha n’Burg”, ndërsa disa prej tyre mbështetën protestën duke marrë pjesë si të fshehur në mes të turmës dhe pas pemëve të bulevardit të mbushur me revoltë qytetare.
Të gjithë deputetët, pa përjashtim që nga Zegjine Çaushi, Ana Dajko, Marjana Koçeku deri te Edi Rama me Sali Berishën morën të plotë rrogën e muajit Qershor, kur 140 protestuesit më të zjarrtë të sheshit e kishin muajin më të vobektë ekonomik.
Rroga dhe të ardhurat suplementare të deputetëve shqiptarë kalojnë 3000 eurot në muaj të llogaritura së bashku me udhëtimet “turistike” të punës, brenda dhe jashtë vendit, para që financa e Kuvendit i paguan rregullisht dhe pa asnjë vonesë, për secilin prej tyre.
Brukseli turistik
Ka një pyetje fare të thjeshtë që çdo shqiptar ka të drejtë ta bëjë, sa herë sheh deputetët e zgjedhur prej tij, tek shkojnë e vijnë nga Brukseli, kryeqyteti i Bashkimit Evropian: çfarë pune bëtë atje?
Ata udhëtojnë drejt kryeqytetit politik të Evropës me pompozitet, kostume të reja dhe angazhime historike, por kur janë atje apo vijnë prej andej, në vend të dosjeve të punës, kanë mbushur vetëm Facebook-un me fotografi ose video selfie, nga korridoret apo fasadat e Parlamentit Europian.
Fotografitë në grup apo individuale përballë godinës ose me sfonde të ambienteve të saj, që shoqërohen me buzëqeshje socialiste “Shqipëria në rrugën europiane”, apo refren opozitar “Krim, drogë, korrupsion”, janë e vetmja punë që “turistët” e Parlamentit të Shqipërisë bëjnë në udhëtimet e tyre të shpeshta drejt Brukselit, të shoqëruar edhe me ndonjë shopping të lehtë stine. I fundit ishte në tre ditët e para të këtij korriku, kur sheshi në Bulevardin e Tiranës oshëtinte nga thirrjet “Raaama jepeee dorëheeeeqjen!”, ndërsa pozita dhe opozita e Shqipërisë, priste në të njëjtën orë, të nisej për Bruksel, në sektorin VIP të aeroportit Nënë Tereza.
Grupi i deputetëve të listës socialiste: Sara Mila, Adi Qose, Saimir Hasalla, Ornaldo Rakipi, Xhenis Çela dhe Kiduina Zaka u shoqërua nga opozitarët Saimir Koreshi dhe Tedi Blushi.
Në ditët më të nxehta të Shqipërisë së protestave, grupi socialist i Peqinit dhe Elbasanit, së bashku me opozitarët “luftarakë” të PD dhe Partisë së Lirisë, fluturuan me pasaporta diplomatike drejt Brukselit. Atje i priste një aktivitet treditor “Shopping politik” që do ndihmonte Shqipërinë dhe “flamingot” e saj, të mbërrinin sa më shpejt në BE.

Rroga e punës online
Me të mbërritur në Bruksel deputetët socialistë iu përveshën punës online. Po t’u heqësh emrin statuseve të Sara Mila apo Kiduina Zaka, nuk e dallon qartë se cili status është i kujt. Të njëjtat foto. Të njëjtat salla. Të njëjtët eurodeputetë që pozojnë me kërkesën e shqiptarëve. Të njëjtat fjali. Të njëjtat “mesazhe pozitive”. Të njëjtat “takime shumë të frytshme”. Të njëjtat “biseda konstruktive”, i njëjti tekst dhe buzëqeshje copy paste e postuar në rrjetet sociale.


Sigurisht që, shqiptarët nuk i kanë zgjedhur deputetët për administratorë faqesh Facebook-u. I kanë zgjedhur për të përfaqësuar interesin e tyre, përfshirë edhe ata që janë në bulevard çdo mbrëmje.
Të dhënat publike tregojnë se deputetët e rinj të Parlamentit shqiptar, të cilët janë edhe më aktivët në rrjetet sociale, për punën e tyre online, paguhen zyrtarisht shumë mirë.
Vetëm për muajin maj, sipas listës zyrtare të pagave të Kuvendit, Sara Mila ka përfituar mbi 229 000 lekë të reja, Kiduina Zaka po ashtu mbi 229 000, ndërsa Tedi Blushi që i shoqëroi si “opozitar i egër” në turizmin parlamentar, u pagua me mbi 219 000 lekë neto, pa llogaritur dietat, biletat e avionit, hotelin dhe gjithë shpenzimet që mbulohen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, mes tyre edhe taksat e “Flamingove”.
Rreth këtyre shifrave janë paguar edhe “zengjinët” socialistë të Elbasanit, Adi Qose, Saimir Hasalla, Ornaldo Rakipi që s’kanë nevojë për para, por rroga e deputetit u kalon e plotë, bashkë me deputetin “gju më gju” me lushnjarët e varfër, Saimir Korreshi. Ky i fundit nuk harroi të postojë nga Brukseli video kundër Karakaçit të Qeverisë, ashtu si Sara Mila që shfrytëzoi në dy raste dhomën e hotelit në Bruksel, për të postuar video propagandistike kundër protestës që zhvillohej në Tiranë.
Mandati estetik
Deputetët shqiptarë nuk dallojnë aspak estetikisht nga ata europianë, kur i sheh të ushtrojnë mandatin 4-vjeçar. Të kuruar me kujdes, vishen dhe shfaqen në “top formë” jo vetëm në sallën e parlamentit, por dhe jashtë saj. Rrallë janë rastet, kur pamja dhe mirëmbajtja e tyre nuk ndryshon gjatë mandatit parlamentar.
Po të hulumtosh historikun fotografik të deputetëve para zgjedhjes së tyre me ato që shfaqen më pas “në shërbim të popullit”, dallohet pa vështirësi se, shumica prej tyre janë të ndryshuar estetikisht për mirë, sikur janë abonuar në qendra të njohura estetike e jo në salla parlamenti ku vendoset për fatet e një populli të varfër.
Çifti i deputetëve socialistë të Elbasanit, Sara Mila dhe Adi Qose janë shembuj estetikë për t’u pasur zili, sepse në vetëm dhjetë muaj mandat parlamentar kanë ulur nga mbipesha e tyre më shumë se 10 kg të tepërta secili, një rekord pozitiv ky, i arritjeve të ligjvënësve shqiptarë, në fushën e parlamentarizmit shëndetësor.


Cilësia e veshjeve dhe estetikës, mes grave dhe burrave të parlamentit shqiptar është raportuar si tepër e lartë edhe nga disa eurodeputetë, që vijnë dhe ikin për vizita zyrtare parlamentare në Shqipëri. Në disa raste ata nuk i kanë njohur personat që i kanë takuar në rrethana të mëparshme opozitare, për shkak të ndryshimit drastik të pamjes së tyre të jashtme. Deputetja e Fierit, Belinda Balluku është rasti më i spikatur ku pamja dhe “kallёpi” i vjetër, futet në sëndukun e të kaluarës dhe një grua e re me pamje magjike shfaqet në parlament.

Deputetët shqiptarë nuk vishen thjesht mirë, ata ndjekin modën. Teshat e tyre nuk janë vetëm të shtrenjta, ato janë trendy. Pamja e tyre fytyrore dhe trupore nuk është thjesht e mirëmbajtur, por trajtuar nga kozmetologjia.
Në gjithë 4-vjeçarin deputetët shqiptarë garojnë për t’u dukur sa më “kopetentë” ndaj njëri-tjetrit, njëra-tjetrës, jo në fjalime dhe vendime, ato i “mbath” Partia, por në shfaqje veshjesh, ngjyrash dhe aplikime bukurie.
Shembulli më kuptimplotë është shndërrimi i Elisa Spiropalit nga “flamingo” pa pushtet, në zonjë stili kur mori mandatin si deputete.

Personazhi publik
Të rrallë janë deputetët që folën me gjuhën, fjalët dhe vendosën fytyrën e tyre në Parlament. Dashamir Shehu, Ben Blushi, Myslym Murrizi apo Tomor Alizoti mbahen mend se thanë diçka që ngjiti në kujtesën kolektive, si fjalim deputeti. Të tjerët gjithmonë kanë qenë kartona memecë të kryetarëve që i vendosën aty në pultin e votimit dhe rrogës së shërbimit.
Shqiptarët shohin deputetët e tyre të shkojnë në Bruksel. Njëherë njëra palë, njëherë tjetra, shpesh nisen dhe vijnë së bashku. Pyetjet e pathëna mbyten në pafuqinë e tyre, që duket se po përfundon me protestën.
Çfarë sollën për Shqipërinë këta deputetë të “Brukselit”? Cilin projekt avancuan? Cilin fond siguruan? Cilin problem zgjidhën? Cilin ligj përmirësuan?
Facebook-u parlamentar ekspozon si pihet kafja me eurodeputetë, si janë sallat e Parlamentit Europian dhe si “Shqipëria është në rrugën e duhur”. Ndërkohë shqiptarët vazhdojnë të ikin. Ata që kanë vendosur të qëndrojnë, po protestojnë.
Deputetët shqiptarë janë shndërruar në influencerë politikë. Brukseli për ta është kthyer në sfond Instagrami, ndërsa Parlamenti Europian në studio fotografike.
Shqiptarët sot paguajnë deputetë që bëjnë thjesht kronika turistike nga kryeqytetet e Evropës. Misionet parlamentare, në të vërtetë janë karta turistike që paguhen nga qytetarët e vendit më të varfër të Evropës.
Deputetët shqiptarë janë në garë si “showman” dhe “showgirl” të forcave politike respektive, kush e kush të interpretojë më bukur dhe hijshëm mesazhin që sheh në statuse dhe Facebook, pronari i Partisë.
Albumet në Facebook dhe statuset “copy-paste” të chatGPT-uara, janë i vetmi produkt që deputetët e Parlamentit shqiptar japin për qytetarin shqiptar, pasi kartoni i votimit është thjesht një buton që nuk e komandojnë vetë ata.


Shqipëria po përfaqësohet nga 140 njerëz, që në çdo datë 2 të muajit u kalojnë në llogarinë bankare pagat, dietat dhe suplementet e majme financiare, ku përfshihen udhëtimet politike për në “Bruksel” dhe fotografitë “parlamentare” të fiksuara në emrat që koha e mandatit i quan, Personazh Publik.
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






