CNN Travel i ka kushtuar një reportazh të zgjeruar Pallatit Topkapi në Stamboll, një prej komplekseve mbretërore më të rëndësishme në histori. Për afro katër shekuj, ai ishte qendra politike dhe administrative e Perandorisë Osmane, vendi ku merreshin vendime që prekën tre kontinente, por edhe një botë e mbyllur intrigash, ceremonish, haremesh dhe pushteti absolut.
Në zemër të Stambollit, mes monumenteve ikonike si Hagia Sophia, Xhamia Blu dhe Bazilika Cisterna, fshihet një kompleks gjigant që për shekuj me radhë ishte qendra e Perandorisë Osmane: Pallati Topkapi.
Ndryshe nga kështjellat monumentale europiane që imponohen në horizont, Topkapi nuk bie menjëherë në sy. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 700 mijë metrash katrorë, i rrethuar nga mure mbrojtëse rreth pesë kilometra të gjata dhe deri në 12 metra të larta, duke krijuar një botë të veçuar nga pjesa tjetër e qytetit.

I ndërtuar me urdhër të Sulltan Mehmetit II pas pushtimit të Kostandinopojës në vitin 1453, pallati u ngrit në vitin 1459 në një nga pikat më strategjike të botës, aty ku takohen Bosfori, Briri i Artë dhe Deti i Marmarasë. Në kulmin e saj gjatë shekullit XVII, Perandoria Osmane shtrihej nga Vjena deri në Algjeri dhe Mekë, ndërsa Topkapi ishte zemra nga ku drejtohej gjithë kjo fuqi.
Historiania Caroline Finkel e përshkruan pallatin si “zemra që rrihte” e Perandorisë Osmane, vendin ku zhvillohej pjesa më e madhe e intrigave politike, vendimeve shtetërore dhe jetës së oborrit perandorak.

Kompleksi përbëhet nga katër oborre kryesore, qindra ndërtesa, pavijone, kopshte, biblioteka, thesare, kuzhina, punishte, xhami dhe mbi të gjitha haremi i famshëm me rreth 400 dhoma, ku jetonin sulltani, familja e tij dhe gratë e oborrit.
Në periudhën e lulëzimit të tij, Topkapi funksiononte si një qytet i vogël me rreth. 4 mijë banorë Çdo oborr ishte më i kufizuar se tjetri dhe vetëm personat me status të caktuar mund të hynin në pjesët më të brendshme të pallatit.

Oborri i parë ishte i hapur për publikun e paarmatosur dhe përmbante Monedhën Perandorake, kishën e Hagia Irene dhe furrat e bukës së pallatit. Një prej vendeve më të veçanta është edhe i ashtuquajturi “Shatërvani i Ekzekutuesit”, ku sipas legjendës pastronin shpatat pas prerjeve të kokës.

Kalimi në oborrin e dytë bëhej përmes “Portës së Përshëndetjes”, ku vetëm sulltani dhe Nëna Mbretëreshë lejoheshin të hynin mbi kalë. Çdo person tjetër ishte i detyruar të zbriste dhe të vazhdonte në këmbë. Sipas dokumenteve historike, nga kjo pikë e tutje mbretëronte heshtja dhe kush e thyente atë ndëshkohej.
Në këtë pjesë zhvilloheshin mbledhjet e Këshillit Perandorak, ndërsa sulltani ndiqte diskutimet i fshehur pas një rrjete të praruar, pa u parë nga askush.
Një tjetër thesar i kompleksit janë kuzhinat perandorake, të cilat sot strehojnë një nga koleksionet më të mëdha në botë të porcelanit kinez dhe japonez. Dekorimet me pllaka Iznik të pikturuara me dorë, kupolat dhe harqet e praruara e bëjnë çdo sallë një kryevepër arti.
Oborri i tretë ishte zona më private e administratës perandorake. Aty ndodheshin shkolla e pallatit, konviktet e shërbëtorëve dhe thesari ku ruheshin objekte me vlerë të jashtëzakonshme, përfshirë Diamantin e famshëm “Spoonmaker’s Diamond” me 86 karatë dhe Kamën e Topkapisë të zbukuruar me smeralde.

Në këtë pjesë ndodhet edhe haremi, ndoshta sektori më i famshëm dhe më i keqkuptuar i pallatit. Aty jetonin sulltani, gratë e tij, konkubinat dhe fëmijët e familjes perandorake.
Konkubinat ishin gra të skllavëruara që silleshin nga pjesë të ndryshme të perandorisë. Megjithatë, disa prej tyre arritën të fitonin ndikim të jashtëzakonshëm. Rasti më i njohur është ai i Hyrremit, e cila nga konkubinë u bë bashkëshortja ligjore e Sulejmanit të Madhërishëm dhe një nga gratë më të fuqishme në historinë osmane.

Megjithëse ambientet e haremit janë ndër më luksozet e pallatit, historianët kujtojnë se për shumë gra ato përfaqësonin një “burg të artë”. Vetëm të preferuarat e sulltanit gëzonin apartamente të rehatshme, ndërsa pjesa më e madhe jetonte në ambiente shumë më modeste.

Sigurinë e haremit e garantonin eunukët me ngjyrë, djem afrikanë të tredhur që në fëmijëri përpara se të silleshin në Perandorinë Osmane. Megjithëse tredhja ndalohej nga ligji islam, praktika vazhdoi deri në fund të Perandorisë në vitin 1923. Paralelisht ekzistonin edhe eunukët e bardhë, kryesisht me origjinë nga Ballkani dhe Kaukazi, të cilët kishin role administrative dhe mbikëqyrëse.
Oborri i katërt ishte streha private e sulltanit. Me pavijonet elegante, kopshtet dhe tarracat panoramike mbi Bosfor, ai ofron edhe sot një nga pamjet më spektakolare të Stambollit.
Sot, Topkapi konsiderohet një nga pallatet mbretërore më të rëndësishme të mbijetuara në botë, krahas Pallatit të Versajës në Francë dhe Qytetit të Ndaluar në Kinë. Ai mbetet një dëshmi e jashtëzakonshme e fuqisë, ceremonive dhe jetës së brendshme të Perandorisë Osmane, duke tërhequr çdo vit miliona vizitorë nga e gjithë bota.


Burimi: Në bazë të një reportazhi të CNN Travel nga Maureen O’Hare. Përshtatur në shqip nga redaksia.






