MIT Technology Review i ka kushtuar një analizë tё detajuar një problemi që po shqetëson gjithnjë e më shumë komunitetin shkencor dhe atë të fertilitetit: mungesën e kufizimeve ndërkombëtare për donatorët e spermës. Ekspertët paralajmërojnë se, në disa raste, sperma e një donatori të vetëm është përdorur për lindjen e qindra fëmijëve, duke ngritur shqetësime serioze etike, sociale dhe shëndetësore.
Ties van der Meer, 47 vjeç, nuk e di se sa motra dhe vëllezër biologjikë ka. Ai u konceptua në një klinikë private fertiliteti në Holandë me spermë nga një donator anonim. Kur vendi ndaloi donacionet anonime në vitin 2004, mjeku që drejtonte klinikën shkatërroi dokumentacionin që mund të identifikonte donatorët, duke bërë pothuajse të pamundur zbulimin e lidhjeve biologjike.
Pas një kërkimi të gjatë, Van der Meer arriti të gjente një gjysmëvëlla, i cili e ndihmoi të identifikonte edhe babanë biologjik dhe të afërm të tjerë. Megjithatë, ai beson se mund të ketë ende shumë motra e vëllezër që nuk do t’i njohë kurrë.
Raste të ngjashme janë bërë gjithnjë e më të zakonshme. Disa persona të konceptuar përmes donatorëve kanë zbuluar se kanë dhjetëra apo edhe qindra gjysmëvëllezër e gjysmëmotra. Një grua, e cituar nga The Guardian, tha se kishte gjetur 25 gjysmëvëllezër e motra gjatë shtatë viteve dhe se kjo e kishte bërë të ndihej “si një produkt i prodhuar në masë”.
Pikërisht për këtë arsye, Shoqata Evropiane për Riprodhimin Njerëzor dhe Embriologjinë (ESHRE) kërkon vendosjen e kufijve ndërkombëtarë për numrin e fëmijëve që mund të lindin nga i njëjti donator. Në konferencën e organizuar këtë javë në Londër, ekspertët propozuan që fillimisht të vendoset një kufi i përbashkët në nivel evropian.
Edhe pse shumë vende, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë ndaluar donacionet anonime të spermës dhe vezëve, zhvillimi i testeve gjenetike komerciale si Ancestry dhe 23andMe ka bërë që anonimati praktikisht të mos ekzistojë më. Përmes analizave të ADN-së, gjithnjë e më shumë persona po arrijnë të identifikojnë prindërit biologjikë dhe të afërmit e tyre.
Një tjetër problem është fakti se sperma mund të ruhet e ngrirë për vite të tëra. Kjo bën që shumë persona të zbulojnë identitetin e babait biologjik vetëm pasi ai ka ndërruar jetë ose të gjejnë motra e vëllezër me diferenca të mëdha moshe, të shpërndarë në vende të ndryshme të botës.
Një nga rastet më të njohura është ai i holandezit Jonathan Meijer, i cili filloi të dhuronte spermë në vitin 2007. Materiali i tij biologjik u përdor për lindjen e rreth 550 deri në 600 fëmijëve. Pas një padie të ngritur nga fondacioni holandez Stichting Donorkind, gjykata urdhëroi në vitin 2023 ndalimin e mëtejshëm të donacioneve të tij.
Ekspertët theksojnë se numri i madh i pasardhësve nuk krijon vetëm probleme psikologjike për fëmijët e konceptuar në këtë mënyrë. Ai rrit edhe rrezikun që persona me lidhje biologjike të krijojnë marrëdhënie romantike apo familje pa e ditur fare se janë të afërm.
Ekziston edhe shqetësimi për përhapjen e mutacioneve gjenetike. Një donator danez u zbulua se mbante një mutacion që rriste ndjeshëm rrezikun për disa lloje kanceri, por sperma e tij ishte përdorur tashmë për të sjellë në jetë të paktën 197 fëmijë në vende të ndryshme të Evropës. Disa prej tyre zhvilluan sëmundjen dhe disa humbën jetën.
Aktualisht rregullat ndryshojnë shumë nga një shtet në tjetrin. Në Maltë dhe Qipro, një donator mund të përdoret vetëm për lindjen e një fëmije. Në Britaninë e Madhe kufiri është 10 familje për çdo donator, ndërsa Danimarka lejon deri në 12 familje, megjithëse është një nga eksportuesit më të mëdhenj të spermës në botë.
Sipas profesorit Jackson Kirkman-Brown nga Universiteti i Birminghamit, këto kufizime nuk mjaftojnë, pasi sperma eksportohet lehtësisht nga një shtet në tjetrin. Për këtë arsye ai argumenton se zgjidhja e vetme reale është një kufi ndërkombëtar.
Pas konsultimeve me klinika fertiliteti, banka të spermës, donatorë dhe persona të konceptuar përmes donacioneve, ESHRE propozon që në fazën e parë të vendoset një kufi prej 50 familjesh për çdo donator, me objektivin që në të ardhmen ky numër të ulet në 15 familje. Megjithatë, shumë ekspertë mendojnë se edhe ky kufi mund të jetë ende shumë i lartë.
Vetë Van der Meer beson se një donator nuk duhet të ketë më shumë se pesë familje dhe, kur bëhet fjalë për donacione ndërkombëtare, maksimumi duhet të jetë dy familje.
Ekspertët pranojnë se zbatimi i këtyre kufizimeve nuk do të jetë i lehtë. Nëse kufijtë bëhen shumë të rreptë, ekziston rreziku që disa persona t’u drejtohen donacioneve informale dhe të paregjistruara, ku mungojnë kontrollet shëndetësore dhe garancitë ligjore.
Megjithatë, për shumë persona të konceptuar përmes donatorëve, çdo hap drejt kufizimit të numrit të pasardhësve dhe garantimit të së drejtës për të njohur origjinën biologjike konsiderohet një përparim i rëndësishëm.
Burimi: Jessica Hamzelou, MIT Technology Review. Përshtatur në shqip nga redaksia e kontrasT.al






