Spanja po përballet me zjarrin më të madh pyjor të këtij viti, i cili ka shkrumbuar rreth 12 mijë hektarë në provincën verilindore të Zaragozës, ndërsa mbi 1.100 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Sipas transmetuesit publik spanjoll RTVE, flakët shpërthyen të mërkurën në rajonin Cinco Villas dhe vazhdojnë të mbeten shumë aktive, duke u përhapur ndjeshëm edhe gjatë natës.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e pesë bashkive në Zaragoza dhe një tjetër në rajonin fqinj të Navarrës. Zjarri ka përfshirë një perimetër prej rreth 60 kilometrash, ndërsa disa rrugë vijojnë të mbeten të bllokuara. Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në të gjitha zonat e prekura.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 400 zjarrfikës dhe efektivë në terren, të mbështetur nga 19 mjete ajrore, me përpjekjet kryesore të përqendruara në mbrojtjen e banesave në zonën e Uncastillo.
Ndërkohë, një tjetër zjarr në La Mierla, në provincën veriore të Guadalajara, ka djegur rreth 900 hektarë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët dhe të vendosin masa izolimi në komunitetet përreth. Për përballimin e situatës është aktivizuar edhe Njësia Ushtarake e Emergjencave e Spanjës, e cila ka dërguar rreth 100 efektivë në terren.
Një vatër e tretë zjarri pranë Lozoyuela, në veri të Madridit, ka djegur afro 70 hektarë. Edhe pse situata është përmirësuar, autoritetet bëjnë të ditur se flakët ende nuk janë vënë plotësisht nën kontroll.
Policia spanjolle ka arrestuar një person të dyshuar se ka shkaktuar zjarrin në rajonin e Madridit, ndërsa qeveria rajonale ka njoftuar se do të paraqitet si palë civile në procesin gjyqësor.
Ekspertët theksojnë se temperaturat e larta, erërat e forta, lagështia e ulët dhe bimësia e dendur pas një pranvere me reshje të shumta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Ata paralajmërojnë gjithashtu se ndryshimet klimatike dhe braktisja e zonave rurale po rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve të mëdha pyjore.


