Harry Kane është shpallur fituesi i Topit të Artë 2026, duke u bërë futbollisti i parë anglez pas 25 vitesh që fiton çmimin më prestigjioz individual në futboll. Sulmuesi i Bayern Munich la pas Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me klubin gjerman dhe kombëtaren e Anglisë.
Gjatë ceremonisë në Londër, Kane nuk i mbajti dot emocionet dhe zëri iu drodh teksa falënderoi bashkëlojtarët, trajnerët dhe familjen e tij.
Harry Kane ka arritur majën e futbollit botëror. Kapiteni i Anglisë dhe sulmuesi i Bayern Munich është kurorëzuar fitues i Topit të Artë për vitin 2026, në ceremoninë e zhvilluar të hënën në mbrëmje, më 26 tetor, në London Palladium.
Futbollisti anglez triumfoi pas një sezoni mbresëlënës, gjatë të cilit shënoi 61 gola në 51 paraqitje vetëm për Bayern Munich.
Performancat e tij vendimtare ndihmuan skuadrën gjermane të fitonte tre trofe vendas nën drejtimin e Vincent Kompany. Kane shkëlqeu edhe me kombëtaren angleze në Kupën e Botës 2026, ku realizoi gjashtë gola në shtatë ndeshje dhe e udhëhoqi Anglinë deri në gjysmëfinale, përpara eliminimit nga Argjentina e Lionel Messit.
Në garën për Topin e Artë, ai la pas dy prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror: Kylian Mbappé, i cili u rendit i dyti, dhe talentin e Barcelonës, Lamine Yamal, që përfundoi në vendin e tretë.
Mesfushori Rodri u rendit i katërti, ndërsa Lionel Messi, fitues i tetë Topave të Artë, plotësoi pesëshen e parë.
Por momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte fjalimi i Kane, i cili u emocionua dukshëm ndërsa mbante trofeun në duar.
“Jam pothuajse pa fjalë. Fatmirësisht e kam përgatitur këtë listë”, tha sulmuesi, duke nisur fjalimin e tij të falënderimit.
Ai falënderoi organizatorët e çmimit, të gjithë ata që votuan për të dhe rivalët e tij në garë.
“E imagjinoj sa e vështirë ka qenë këtë vit, duke parë disa prej lojtarëve të jashtëzakonshëm me të cilët konkurrova. Disa janë bashkëlojtarët e mi, ndërsa të tjerë janë futbollistë të klasit botëror që ndodhen sonte në këtë sallë”, deklaroi Kane.
Një falënderim të veçantë ai ua kushtoi bashkëlojtarëve të Bayern Munich. “Pa ju, kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Mënyra se si më keni shtyrë të përmirësohem dhe konkurrenca jonë në stërvitje më kanë bërë të dëshiroj të bëhem gjithnjë e më i mirë”, tha ai.
Kane përmendi edhe trajnerin Vincent Kompany, i cili ndodhej në spital dhe nuk mundi të merrte pjesë në ceremoni.
“Vincent, e di që je ende në spital, ndaj të uroj shërim të shpejtë. Shpresoj që kjo fitore të të ketë dhënë pak energji”, u shpreh sulmuesi.
Ai theksoi se puna me Kompany e kishte ndihmuar të zhvillohej jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri dhe drejtues i skuadrës.
“Që kur kam punuar me ty, jam përmirësuar si lojtar, si person dhe si lider. Është një nder të luaj për Bayern Munich dhe jam shumë i lumtur që po e çoj këtë trofe në klub”, deklaroi Kane.
Kapiteni anglez nuk harroi as kombëtaren e tij dhe trajnerin Thomas Tuchel. Ai falënderoi bashkëlojtarët për përvojën e përbashkët në Kupën e Botës dhe për lidhjen që kishin krijuar gjatë turneut.
“Harry Kane fiton Topin e Artë 2026, sulmuesi anglez shpërthen në emocione: I pari pas 25 vitesh që merr çmimin prestigjioz”, tha Kane.
“Të isha kapiteni juaj ishte vërtet një nder dhe më bën jashtëzakonisht krenar. Ky trofe është për të gjithë ne”, shtoi ai.
Një nga momentet më emocionuese të fjalimit ishte falënderimi për Tottenham Hotspur, klubin ku Kane u formua dhe u shndërrua në një nga sulmuesit më të mirë të futbollit europian. Ai iu bashkua Tottenhamit që në moshën 11-vjeçare dhe më pas u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit.
“Dua të falënderoj edhe Tottenham Hotspur. Nuk do të isha këtu ku jam sot pa Tottenhamin. Isha aty që kur isha 11 vjeç”, tha Kane.
“Të gjithë trajnerët dhe njerëzit që më udhëhoqën më dhanë mundësinë të jetoja ëndrrën time. Të gjitha momentet, të mirat dhe të vështirat, më kanë sjellë deri këtu”, shtoi ai.
Sulmuesi falënderoi edhe tifozët e Bayern Munich, Anglisë dhe Tottenhamit, si dhe mbështetësit e tij në mbarë botën.
Me këtë triumf, Kane bëhet anglezi i parë që e fiton çmimin që prej Michael Owen në vitin 2001. Owen e fitoi Topin e Artë në moshën 22-vjeçare, pasi ndihmoi Liverpoolin të fitonte tre trofe gjatë sezonit 2000–2001. Përpara tyre, futbollistë të tjerë anglezë që kishin fituar këtë çmim ishin Stanley Matthews, fituesi i parë në vitin 1956, dhe Kevin Keegan, i cili triumfoi dy herë radhazi, në vitet 1978 dhe 1979.
Ceremonia e këtij viti u zhvillua për herë të parë në Londër, për të përkujtuar 70-vjetorin e triumfit historik të Stanley Matthews.
Renditja e 10 futbollistëve më të mirë për Topin e Artë 2026
- Harry Kane – Bayern Munich, Angli
- Kylian Mbappé – Real Madrid, Francë
- Lamine Yamal – Barcelona, Spanjë
- Rodri – Manchester City, Spanjë
- Lionel Messi – Argjentinë
- Khvicha Kvaratskhelia – Paris Saint-Germain, Gjeorgji
- Ousmane Dembélé – Paris Saint-Germain, Francë
- Erling Haaland – Manchester City, Norvegji
- Michael Olise – Bayern Munich, Francë
- Fabián Ruiz – Paris Saint-Germain, Spanjë
Mbrëmja solli edhe disa çmime të tjera të rëndësishme. Lamine Yamal fitoi për të tretin vit radhazi çmimin për talentin më të mirë të ri në futbollin e meshkujve, pas një sezoni ku ndihmoi Barcelonën të fitonte titullin spanjoll dhe kontribuoi në triumfin e Spanjës në Kupën e Botës.
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, u shpall trajneri më i mirë i vitit në futbollin e meshkujve, ndërsa portieri Unai Simón fitoi çmimin për portierin më të mirë.
Në futbollin e femrave, Alexia Putellas u shpall fituese e Topit të Artë.
Trajneri i Barcelonës, Pere Romeu, fitoi çmimin për trajnerin më të mirë në futbollin e femrave, ndërsa Vicky López dhe Cata Coll u vlerësuan përkatësisht si talentja më e mirë e re dhe portierja më e mirë.
Për Harry Kane, megjithatë, mbrëmja e Londrës do të mbetet një moment historik në karrierën e tij.
Pas viteve të tëra me gola, rekorde dhe përpjekje për trofe, kapiteni i Anglisë ka fituar më në fund çmimin individual më të lakmuar në futboll, duke i dhënë fund pritjes 25-vjeçare të futbollit anglez për një tjetër fitues të Topit të Artë.
Burimi: The Sun













