Lideri i Partisë Laburiste, Andy Burnham, është bërë zyrtarisht kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, pasi u ngarkua nga Mbreti Charles III me formimin e qeverisë së re.
Burnham mbërriti në Pallatin Buckingham menjëherë pasi Keir Starmer paraqiti dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Pas takimit me mbretin, ai mori mandatin për të krijuar kabinetin e ri qeveritar.
Në fjalimin e tij të parë si kryeministër, Burnham deklaroi se do të prezantojë një plan të ri 10-vjeçar për zhvillimin e Britanisë.
“Ky moment do të jetë një pikë kthese për Britaninë,” tha ai.
Kryeministri i ri njoftoi se që nga e marta do të shpallen masat e para për përballimin e kostos së lartë të jetesës. Ai premtoi gjithashtu ndërtimin e më shumë banesave sociale dhe riafirmoi angazhimin e qeverisë për përmbushjen e detyrimeve në fushën e mbrojtjes.
Në politikën e jashtme, Burnham tha se telefonatat e tij të para do t’i zhvillojë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin amerikan Donald Trump.
“Do t’i bëj shumë të qartë presidentit Zelenskyy se nuk ka asnjë ndryshim. Do të jem 100% në krah të tij, ashtu siç ishte edhe Keir Starmer,” u shpreh ai.
Më herët gjatë ditës, Keir Starmer mbajti fjalimin e tij të fundit përpara rezidencës së kryeministrit në Downing Street 10, ku deklaroi se “puna ime ka përfunduar”. Ai i uroi pasardhësit të tij, Andy Burnham, suksese në drejtimin e vendit dhe falënderoi stafin e Downing Street, si edhe bashkëshorten e tij Victoria, për mbështetjen gjatë mandatit.
Në një deklaratë zyrtare, Pallati Buckingham konfirmoi se Mbreti Charles III pranoi dorëheqjen e Starmer dhe ngarkoi Andy Burnham me formimin e qeverisë së re.





