Mesazhe të brendshme të publikuara nga senatori amerikan Rand Paul kanë rikthyer në qendër të debatit origjinën e pandemisë COVID-19. Sipas dokumenteve, autorët e një prej studimeve më të cituara gjatë pandemisë kishin shprehur privatisht dyshime se virusi mund të kishte dalë nga një laborator, ndonëse publikisht mbështetën përfundimin se kjo ishte “shumë e pamundur”.
Bëhet fjalë për komunikimet në platformën Slack mes autorëve të studimit “The Proximal Origin of SARS-CoV-2”, të botuar në revistën shkencore Nature Medicine në mars të vitit 2020. Ky studim u përdor gjerësisht nga autoritetet shëndetësore dhe media në mbarë botën si argument shkencor kundër teorisë së rrjedhjes së virusit nga laboratori.
Sipas dokumenteve të publikuara, shkencëtari Kristian Andersen i kishte dhënë në diskutimet private një probabilitet prej 30% mundësisë që virusi të kishte origjinë laboratorike, ndërsa Eddie Holmes e kishte vlerësuar fillimisht me 20%, duke e ulur më vonë në 10%. Këto vlerësime bien në kontrast me tonin shumë kategorik të studimit të publikuar.
Në një mesazh të 11 qershorit 2020, Andersen shkruante:
“Ajo që më shqetëson është se në fund të fundit nuk kemi prova të forta në asnjërën anë dhe, sidomos me disa prova të reja, nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që dikush ta ketë futur virusin aty. Kjo nuk do të thotë se ka ndodhur, por nuk mund ta përjashtojmë. Artikulli ynë ishte shumë i fortë kur thoshte ‘nuk ka asnjë mundësi’, por tani kam më pak besim te ajo deklaratë.”
Dokumentet tregojnë gjithashtu se autorët diskutonin intensivisht mbi të ashtuquajturin “furin cleavage site”, një karakteristikë gjenetike që prej kohësh është në qendër të debatit mbi mundësinë e një rrjedhjeje laboratorike.
Në komunikimet e publikuara rezulton se autorët kishin kontakte dhe diskutime edhe me drejtues të Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH) dhe me përfaqësues të komunitetit amerikan të inteligjencës, ndërsa publikisht mbronin përfundimet e studimit.
Mesazhet hedhin dritë edhe mbi marrëdhëniet e tensionuara me virologun Ralph Baric, një nga studiuesit më të njohur të koronavirusëve. Autorët dyshonin se ai ishte burimi anonim që kishte nxjerrë për mediat informacione konfidenciale nga procesi i rishikimit shkencor, sipas të cilave ata fillimisht kishin konsideruar seriozisht edhe hipotezën e laboratorit.
Senatori republikan Rand Paul akuzoi autorët se nuk kanë qenë transparentë me publikun.
“Privatisht po diskutonin mundësinë që virusi të kishte dalë nga laboratori, ndërsa publikisht thoshin se kjo ishte e pamundur. Kjo duhet të bëhet publike,” deklaroi ai për Fox News, duke shtuar se studiues që, sipas tij, kanë mashtruar publikun nuk duhet të përfitojnë fonde publike shumëmilionëshe.
Publikimi i këtyre dokumenteve vjen ndërsa debati mbi origjinën e COVID-19 mbetet i hapur. Vitin e kaluar, grupi shkencor këshillues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) arriti në përfundimin se skenari më i mundshëm mbetet kalimi natyror i virusit nga kafshët te njerëzit, megjithëse pranoi se mungesa e të dhënave nuk lejon përjashtimin përfundimtar të hipotezave të tjera.
Ndërkohë, Rand Paul ka intensifikuar hetimet në SHBA mbi mënyrën se si u menaxhua çështja e origjinës së virusit dhe ka thirrur për të dëshmuar ish-drejtorin e Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, Anthony Fauci, i cili është akuzuar nga kritikët se ka minimizuar ose keqinterpretuar informacionet mbi origjinën e pandemisë. Fauci i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Burimi: Foxnews






