Partia Demokratike ka publikuar këtë të martë një denoncim, duke pretenduar se licenca për kazinonë në hotelin me pesë yje në kullën “Air Albania” është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe përmes një skeme që, sipas saj, lidhet me interesa të afërta me Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për mediat, kreu i PD-së Sali Berisha dhe drejtuesi politik i Tiranës, Belind Këlliçi, deklaruan se dosja me dokumentet do të depozitohet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke kërkuar nisjen e një hetimi.
Sipas Këlliçit, kompania “Space +”, e cila zotëron licencën e kazinosë, ka ndryshuar pronësinë në fund të vitit 2025, kur aksionet kaluan nga kompania “Alb-Star” te “GLG Investment”. PD pretendon se ky ndryshim është miratuar edhe pse kompania e re nuk plotësonte kriteret ligjore dhe kishte një strukturë pronësie të paqartë.
Një nga pikat kryesore të denoncimit lidhet me një pronë prej rreth 275 mijë metrash katrorë në Kepin e Rodonit. Sipas PD-së, toka është blerë për rreth 320 mijë euro, ndërsa vetëm pak muaj më vonë është rivlerësuar në afro 26 milionë euro, vlerë që, sipas opozitës, është përdorur për të rritur kapitalin e kompanisë dhe për të mundësuar miratimin e ndryshimit të aksionerit.
Demokratët pretendojnë gjithashtu se pas kompanisë “GLG Investment” fshihet një strukturë me kompani offshore, ndërsa ngrenë dyshime mbi identitetin e pronarëve përfitues dhe burimin e financimit. Në deklaratën e tyre përmenden edhe biznesmeni Bledar Sinani dhe Gert Haka, për të cilët PD pretendon se kanë lidhje me këtë skemë dhe me Olsi Ramën, duke kërkuar që këto marrëdhënie të hetohen nga SPAK.
Sipas opozitës, në këtë proces kanë rol edhe institucione shtetërore që kanë dhënë miratimet përkatëse, përfshirë Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Autoritetin e Konkurrencës. PD pretendon se të gjitha këto veprime kanë favorizuar dhënien e licencës në kundërshtim me ligjin.
Në përfundim të deklaratës, Belind Këlliçi tha se materiali i plotë do t’i dorëzohet Prokurorisë së Posaçme, e cila, sipas tij, duhet të verifikojë pretendimet e ngritura dhe të hetojë përgjegjësit e mundshëm.







