Ishte viti 2014 atёherё kur reforma administrativo-territoriale u paraqit si një nga ndryshimet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Me ligjin nr. 115/2014, vendi kaloi nga 373 njësi të qeverisjes vendore në vetëm 61 bashki, të organizuara brenda 12 qarqeve. Komunat u shkrinë, territoret u bashkuan dhe qindra fshatra u vendosën nën administrimin e qendrave urbane, të cilat në shumë raste ndodheshin dhjetëra kilometra larg banorëve që duhej të merrnin shërbimet.
Reforma u shit si zgjidhja që do t’i jepte fund copëzimit administrativ, shpenzimeve të panevojshme, administratave të vogla dhe njësive vendore që nuk kishin as njerëzit, as paratë dhe as kapacitetin për të funksionuar. Bashkitë e mëdha do të kishin më shumë të ardhura, specialistë më të mirë, shërbime më moderne dhe fuqi për të zhvilluar territorin.
Dymbëdhjetë vjet më vonë, të njëjtat institucione po na shpjegojnë se 61 bashkitë mund të jenë sërish shumë, se qarqet nuk funksionojnë, se disa njësi vendore janë tepër të vogla dhe se vendit i duhet një reformë e re.
Reforma historike paska pasur afat përdorimi.
Bashkia u bë më e madhe, por qytetari mbeti edhe më larg
Bashkimi i komunave solli krijimin e territoreve shumë më të mëdha administrative, por nuk garantoi automatikisht as shërbime më të mira dhe as një pushtet vendor më të fortë. Në shumë zona, bashkia u largua fizikisht nga qytetari, ndërsa ish-komunat u kthyen në njësi administrative me pak kompetenca, me buxhete të kufizuara dhe me një varësi pothuajse të plotë nga qendra.
Për një banor të një fshati të largët, reforma nuk u përkthye domosdoshmërisht në administratë më moderne. Shpesh u përkthye në më shumë kilometra për një dokument, më pak ndikim mbi vendimmarrjen dhe një kryetar bashkie që administron një territor aq të madh, sa shumë komunitete të vogla pothuajse zhduken nga vëmendja politike sapo mbarojnë zgjedhjet.
Reforma nuk e zgjidhi as varësinë financiare të bashkive nga qeveria qendrore. Njësitë vendore vazhdojnë të kenë diferenca të mëdha mes tyre, ndërsa një pjesë e tyre mbijetojnë kryesisht përmes transfertave nga buxheti i shtetit, pa pasur bazë ekonomike, burime të mjaftueshme apo mundësi për të financuar shërbimet dhe investimet që u janë ngarkuar me ligj.
Harta ndryshoi, por raporti i pushtetit mes qeverisë qendrore dhe bashkive ndryshoi shumë më pak nga sa u premtua.
Censi nxori në pah Shqipërinë që reforma nuk e kishte parashikuar
Censi i Popullsisë dhe Banesave i vitit 2023 regjistroi 2 412 113 banorë, rreth 13.8 për qind më pak se në vitin 2011. Shqipëria jo vetëm humbi një pjesë të madhe të popullsisë, por u zbraz në mënyrë tepër të pabarabartë.
Tirana vazhdoi të zmadhohej, duke tërhequr njerëz, shërbime, investime dhe aktivitet ekonomik nga thuajse i gjithë vendi, ndërsa shumë qarqe dhe bashki humbën banorë me ritme që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë justifikimin ekonomik dhe administrativ të strukturave të tyre.
Qarku i Vlorës, për shembull, ka zbritur nga rreth 193 mijë banorë në vitin 2001, në rreth 177 mijë në vitin 2011 dhe në afro 147 mijë në vitin 2023. Pas çdo shifre ndodhen fshatra të zbrazur, shkolla që mbyllen, shërbime publike që tkurren dhe bashki që vazhdojnë të administrojnë territore të mëdha, por me gjithnjë e më pak njerëz.
Reforma e vitit 2014 u ndërtua mbi një Shqipëri demografike që nuk ekziston më. Shumë prej njësive që atëherë u paraqitën si të qëndrueshme, sot kanë më pak banorë, më pak aktivitet ekonomik dhe më pak të ardhura vendore sesa parashikohej kur u vizatuan kufijtë e tyre.
Reforma nuk mund ta ndalte emigracionin dhe as zhvendosjen drejt Tiranës. Ndryshoi vetëm zyrën që mbeti pas, për të administruar një territor ku njerëzit po pakësoheshin.
Në vitin 2026 fillon reformatimi i reformës
Në verën e vitit 2026, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale po diskuton skenarë të rinj për organizimin vendor. Flitet për bashkimin e bashkive të vogla me njësi më të forta, për reduktimin e numrit të përgjithshëm të bashkive dhe për ndryshimin e nivelit të dytë të qeverisjes vendore.
Disa propozime e çojnë numrin e njësive vendore diku mes 26 dhe 36 bashkive. Skenarë të tjerë prekin 12 qarqet, të cilat prej vitesh mbeten struktura me kompetenca të kufizuara, identitet të paqartë institucional dhe peshë shumë më të vogël sesa parashikon vetë emri i tyre.
Po diskutohet gjithashtu krijimi i dy ose tri rajoneve të mëdha, si Veri, Qendër dhe Jug, duke e lidhur reformën me organizimin statistikor dhe rajonal të Bashkimit Evropian, me nivelin NUTS-2 dhe me mundësinë e përdorimit të fondeve të ardhshme të kohezionit.
Edhe këtë herë gjuha është moderne, teknike dhe evropiane. Flitet për eficiencë, funksionalitet, decentralizim, kapacitet financiar dhe përputhje me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.
Por pothuajse të njëjtën gjuhë dëgjuam edhe në vitin 2014.
Atëherë na u tha se 61 bashki ishin formula që do ta bënte qeverisjen vendore funksionale. Sot na thuhet se për ta bërë funksionale mund të duhen shumë më pak. Nuk shpjegohet ende qartë se çfarë dështoi në modelin e mëparshëm, kush mban përgjegjësi për dështimin dhe pse zgjidhja e re duhet të besohet më shumë se ajo që u miratua me të njëjtën siguri dymbëdhjetë vjet më parë.
Pa këtë analizë, reforma e re rrezikon të jetë vetëm një tjetër rishikim harte, jo një korrigjim serioz i problemeve që la reforma e vjetër.
Çdo vijë e re në hartë është edhe një vijë e re pushteti
Ndarja territoriale nuk është asnjëherë vetëm ushtrim teknik. Kufijtë e bashkive përcaktojnë se cilat zona votojnë bashkë, si mblidhen votat, ku përqendrohen investimet, kush administron tokën, lejet, pronat, taksat vendore dhe buxhetet.
Kur një zonë rurale bashkohet me një qytet, kur dy bashki shkrihen ose kur një qendër administrative humbet statusin, ndryshon jo vetëm mënyra se si organizohet shërbimi, por edhe balanca politike dhe ekonomike e territorit.
Prandaj nuk është teknikisht e saktë që çdo reformë e tillë të quhet automatikisht “gerrymandering”, term që përdoret kryesisht për manipulimin e kufijve zgjedhorë në favor të një force politike. Megjithatë, çdo rivizatim territori prodhon pasoja elektorale dhe krijon hapësirë që kufijtë të përshtaten edhe me interesat e pushtetit që i miraton.
Sidomos kur reforma duhet të përfundojë përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Nëse numri i bashkive reduktohet ndjeshëm, disa kryetarë humbasin postet, disa degë partie humbasin territorin, disa zona bashkohen me bastione të tjera dhe përllogaritja elektorale ndryshon. Kjo nuk provon në vetvete manipulim, por e bën të domosdoshme transparencën e plotë mbi kriteret, të dhënat, alternativat dhe pasojat politike të çdo skenari.
Thirrjet e dёshpёruara: “Mos na e shkrini bashkinë!”
Gjatë konsultimeve në qarqe, një nga kërkesat më të zakonshme të të zgjedhurve vendorë ka qenë ruajtja e bashkisë së tyre. Kjo mund të shihet si mbrojtje e posteve dhe administratave lokale, por nuk duhet përqeshur gjithmonë si rezistencë provinciale ndaj modernizimit.
Pas një bashkie qëndron edhe identiteti i komunitetit, mundësia për të pasur përfaqësim politik, qasje te administrata dhe aftësia për ta mbajtur vendimmarrjen sa më pranë banorëve.
Një bashki e vogël mund të jetë financiarisht e dobët, por bashkimi i saj me një territor shumë më të madh nuk garanton vetvetiu se qytetari do të marrë shërbim më të mirë. Mund të ndodhë e kundërta: qendra e re të bëhet më e fortë, ndërsa periferia e largët të humbasë edhe atë pak vëmendje që kishte.
Konsultimi nuk duhet të kufizohet te fakti qё qytetarët “morёn dijeni” për reformën. Ata duhet të njihen me hartat, kriteret financiare, largësinë nga shërbimet, mënyrën si do të organizohen zyrat vendore dhe të ardhmen e njësive administrative.
Përndryshe dëgjesat bёhen sa pёr “sy e faqe” ndёrsa vendimi ёshtё marrё diku tjetër.
Qytetari nuk jeton brenda hartës së komisionit
Për njeriun e zakonshëm nuk ka shumë rëndësi nëse vendi do të ketë 61, 36 apo 26 bashki. Atij i intereson të dijë nëse do të ketë pranë një zyrë të gjendjes civile, nëse rruga do të mirëmbahet, nëse do të ketë ujë, transport, shkollë, pastrim dhe një administratë që i përgjigjet.
Nëse bashkia bëhet më e madhe, por shërbimi largohet, reforma ka dështuar pavarësisht kursimit administrativ që mund të tregojë tabela. Nëse bashkitë bashkohen, por vazhdojnë të mbeten pa të ardhura dhe të varura nga qeveria qendrore, nuk është forcuar decentralizimi. Është ndryshuar vetëm forma e varësisë.
Harta administrative nuk ka vlerë nëse nuk shoqërohet me ndarje të qartë kompetencash, financim të qëndrueshëm, administratë profesionale dhe mekanizma që garantojnë se fshatrat e largët nuk do të zhduken nga vëmendja e qendrës së re.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një hartë të vizatuar më bukur. Ka nevojë për një shtet vendor që funksionon.
Si gjithmonё, tek ne reformat duhen reformuar
Në vitin 2014 u miratua një reformë që u shpall historike dhe përfundimtare. Në vitin 2026 po përgatitet reforma e saj. Nëse modeli i ri ndërtohet me të njëjtën ngutje, me të njëjtën bindje se qeveria e ka gjithmonë formulën e duhur dhe pa analizuar seriozisht pse nuk funksionoi modeli i mëparshëm, pas dhjetë ose pesëmbëdhjetë vitesh do të krijohet një tjetër komision që do të na tregojë se harta duhet vizatuar sërish.
Problemi nuk është që kufijtë administrativë ndryshojnë. Demografia, ekonomia dhe teknologjia ndryshojnë dhe çdo shtet serioz duhet t’u përshtatet. Problemi është se në Shqipëri çdo reformë paraqitet si shpëtimi përfundimtar, ndërsa askush nuk jep llogari kur rezultati nuk përputhet me premtimin.
Ndryshojnë vijat, ndërrohen tabelat, shkrihen bashkitë dhe krijohen struktura të reja, por qytetari vazhdon të presë të njëjtat shërbime dhe të dëgjojë të njëjtën fjali: këtë herë do të funksionojë.
Ndoshta e vetmja gjë vërtet e qëndrueshme në qeverisjen vendore shqiptare është pikërisht paaftësia për të ndërtuar një sistem që zgjat.
Dhe nëse edhe reforma e vitit 2026 do të ketë të njëjtin nxitim, do tё ketё edhe tё njёjtin fat…
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





