Një nga fotografitë më të njohura në historinë e teknologjisë, sfondi i ekranit të Windows 10, është kthyer papritur në një atraksion turistik. Gjithnjë e më shumë njerëz po udhëtojnë drejt vendit ku është realizuar fotografia ikonike, për ta parë nga afër peizazhin që për vite me radhë kanë parë në ekranet e kompjuterëve të tyre.
Bëhet fjalë për Wharariki Beach, një plazh i izoluar në skajin verior të Ishullit Jugor të Zelandës së Re, i njohur për shpellat natyrore, dunat e mëdha të rërës dhe harqet gjigante shkëmbore që ngrihen mbi oqean.
Interesi për këtë vend është rritur ndjeshëm pas publikimit të një videoje nga dy krijues përmbajtjeje të udhëtimeve, të cilët treguan habinë kur zbuluan se peizazhi ishte po aq spektakolar në realitet sa në fotografinë e famshme.

Fotografia u realizua nga Steve McCurry, një prej fotoreporterëve më të njohur në botë, i angazhuar nga Microsoft për të krijuar imazhe për lançimin e Windows 10 në vitin 2015. Më pas, fotografia iu nënshtrua përpunimeve grafike përpara se të bëhej sfondi zyrtar i sistemit operativ.
McCurry është i njohur në mbarë botën si autori i fotografisë legjendare “Afghan Girl”, e publikuar në kopertinën e revistës National Geographic në vitin 1985, një nga portretet më të famshme të shekullit XX.

Microsoft ka një histori të gjatë me sfondet ikonike. Para Windows 10, fotografia “Bliss” e sistemit Windows XP, që paraqet kodrat e gjelbra të Kalifornisë, konsiderohet një nga fotografitë më të shikuara ndonjëherë, pasi është parë nga më shumë se një miliard përdorues në mbarë botën.
Tashmë, edhe peizazhi i Wharariki Beach po fiton statusin e një destinacioni të veçantë turistik, falë faktit se për vite me radhë ka qenë pjesë e përditshmërisë së miliona përdoruesve të Windows në të gjithë botën.





