Nga Florjan Kalaja
Nga viti 2007 në Shqipëri ka një ligj të posaçëm që rregullon përgjegjësinë penale të personave juridikë (në vijim Ligji nr. 9754/ 2007). Në pikën 1 të nenit 11 të këtij ligji parashikohet se dënimi me gjobë i personit juridik konsiston në pagimin, në favor të shtetit, të një shume të hollash, brenda kufijve të parashikuara në këtë ligj. Kjo do të thotë se ligji parashikon limitin minimal dhe maksimal të dënimit penal me gjobë për personat juridikë dhe se për çdo vepër penale masa e mundshme e dënimit është e rrokshme paraprakisht, qoftë pa u kryer vepra dhe qoftë kur vepra kryhet.
Më tej pika 4 dhe pika 5 e nenit 11 të Ligjit nr. 9754/2007 parashikon kufijtë minimalë dhe maksimalë të dënimit me gjobë për personat juridikë. Kjo pjesë e dispozitës parashikon se:
“Në varësi të llojit të veprës penale zbatohen dënimet me gjobë, si më poshtë:
a) për krimet që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim ose burgim i përjetshëm, personi juridik dënohet me gjobë nga 25 milionë lekë deri në 50 milionë lekë;
b) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se shtatë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim, personi juridik dënohet me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 25 milionë lekë;
c) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, maksimumi, më pak se shtatë vjet, personi juridik dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.
5. Në rastin e përgjegjësisë së personit juridik për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, personi juridik dënohet me gjobë nga 300 mijë lekë deri në 1 milion lekë.”
Sikurse konstatohet, ligji, për të respektuar parimin e proporcionalitetit, ka ndjekur një logjikë referimi dhe rregullimi të shkallëzuar të dënimit me gjobë për personat juridikë në varësi të masave të dënimit me burgim dhe të llojeve të dënimit me burgim apo me burgim të përjetshëm. Ligji, për të respektuar parimin e proporcionalitetit, ka ndjekur një logjikë referimi dhe rregullimi të shkallëzuar të dënimit me gjobë për personat juridikë në varësi të masave të dënimit me burgim dhe të llojeve të dënimit me burgim apo me burgim të përjetshëm. Megjithëse vlerësoj se edhe kjo mënyrë parashikimi e teknikës legjislative nuk respekton plotësisht dhe idealisht parimin e proporcionalitetit, pasi ndërmjet minimumit dhe maksimumit të dënimit me burgim apo ndërmjet dënimit me burgim dhe dënimit me burgim të përjetshëm ka shumë vepra penale të ndryshme që dënohen njëlloj me gjobë, sërisht meriton dafina kjo vëmendje e shtuar e Kuvendit kundrejt jetësimit të parimit kushtetues të proporcionalitetit tek dënimi me gjobë i personave juridikë. Vlerësoj se idealisht ligji penal material në Pjesën e Posaçme duhet të konceptohet në mënyrë të tillë ku për çdo vepër penale të individualizohet edhe dënimi me burgim apo edhe dënimi me gjobë (nëse ka) në minimumin dhe maksimumin e tij ligjor.
Me shumë kureshtje dhe vëmendje kam analizuar në mënyrë ezauruese secilën normë të projektit të Kodit të ri Penal që rregullon dënimin me gjobë për personat juridikë. Më rezulton se pika 1 e nenit 123 e këtij projekti ka trashëguar parashikimin e pikës 1 të nenit 11 të Ligjit nr. 9754/2007, duke parashikuar se dënimi me gjobë konsiston në pagimin, në favor të shtetit, të një shume të hollash të përshtatshme me pasojën e ardhur, brenda kufijve të parashikuar në këtë Kod. Sikur të mos mjaftonte pika 1 e nenit 123, i njëjti rregull përsëritet edhe në pikën 2 të nenit 132 të projektit. Sikur të mos mjaftonte kjo përsëritje në Pjesën e Përgjithshme, ka të tilla rregullime pësëtreti në nenin 611, përsëkatërti në nenin 625, përsëpesti në nenin 654, përsëgjashti në nenin 668, përsështati në nenin 684 (b) dhe përsëteti në nenin 700 (ç). Por, pavarësisht se theksohet me përsëritje 2 herë i njëjti rregull në Pjesën e Përgjithshme, 36 herë me rradhë gjoba për personat juridikë rregullohet ndryshe në Pjesën e Posaçme.
Kështu pika 2 e nenit 123 dhe pika 2 e nenit 132 përmban një risi të grupit të punës që ka konceptuar strukturën e dënimit me gjobë për personat juridikë, risi kjo që nuk resht së zbuluari në Pjesën e Përgjithshme por që do të duhet të komplementohet edhe me 36 dispozita të tjera të vendosura nga hapësira normative e nenit 207 deri në nenin 938 të këtij projekti. Sipas pikës 1 të nenit 123 parashikohet se personi juridik përgjegjës për kryerjen e një vepre penale mund të dënohet me gjobë sa pesëfishi i masës së gjobës së parashikuar në nenin 74 të këtij Kodi, me përjashtim të rasteve kur pjesa e posaçme e këtij Kodi parashikon ndryshe. Për të kuptuar se cilat janë këto raste në të cilat Pjesa e Posaçme parashikon ndryshe nga Pjesa e Përgjithshme duhet të referohesh në nenin 207; 227; 236; 253; 273; 351; 372; 391; 412; 427; 438; 453; 463; 472; 488; 551; 577; 611; 625; 654; 668; 671; 672; 684; 700; 728; 761; 794; 818; 833; 855; 870; 887; 904; 913; dhe 938. Megjithëse pjesa më lart për lexuesin mund të jetë qartazi një rrëmujë numrash pa kuptim, do të përpiqem më poshtë ta përpunoj informacionin shifror dhe normativ të përftuar nga ky hulumtim në shpjegime të thjeshta, përmbledhura dhe kritike.
Kështu logjika e normëshkruesve ka qenë e tillë që fillimisht të ketë masa dënimi me gjobë krejt të tjera dhe ndjeshëm më të mëdha për personat juridikë në raport me personat fizikë. Nëse gjoba për personat fizikë për krimet nis nga 100.000 dhe shkon deri në 10.000.000 Lekë, sipas nenit 74/2/a të projektit, për personat juridikë, nëse nuk ka parashikim të ndryshëm në Pjesën e Posaçme, do të jetë 500.000 deri në 50.000.000 Lekë. Në këtë pjesë kuptohet se gjoba për personat juridikë në projektin e Kodit Penal humbet shkallëzimin e referimit dhe të përcaktimit të masës së saj në mënyrë proporcionale në raport me masat e dënimit me burgim apo dënimin me burgim të përjetshëm që ligji penal parashikon për një vepër penale konkrete, formulë kjo e përdorur nga pika 4 e nenit 11 të Ligjit nr. 9754/2007. Grupi i punës në këtë mënyrë suprimon shkallëzimin e krimeve sipas dënimit me burgim apo me burgim të përjetshëm dhe e koncepton dënimin me gjobë nga 500.000 deri në 50.000.000 Lekë si universalisht të zbatueshëm për çfarëdo krimi që parashikon Pjesa e Posaçme dhe që nuk ka rregullime ndryshe nga Pjesa e Përgjithshme. Ndërkohë nëse gjoba për kundërvajtjet penale për personat fizikë nis nga 50.000 dhe shkon deri në 3.000.000 Lekë, sipas nenit 74/2/b, për personat juridikë nis nga 2.500.000 dhe shkon deri në 15.000.000 Lekë. Këtu konstatohet se ka vetëm rritje me pesëfish të dënimit me gjobë.
Ndërkohë menjëherë konstatohet një logjikë e mangët shifrash të pakuptimta apo të pamenduara mirë nga shkruesit e tyre. Ndërkohë që dënimi me gjobë i propozuar në vitin 2025 për personat fizikë nuk ndryshon në vlera absolute, pasi neni 74 i projektit ka masa gjobash për krimet që vijnë të pandryshuara nga viti 1996 dhe për kundërvajtjet penale që vijnë të pandryshuara nga viti 2004 në raport me parashikimet e Kodit Penal në fuqi, rezulton se dënimi me gjobë për personat juridikë humbet shkallëzimin referues të dënimit me burgim apo burgim të përjetshëm për krimet dhe pesëfishohet në vlerë absolute për personat juridikë. Nuk e di nëse janë koshient normëshkruesit për këtë konstatim por ajo që shoh është se relacioni fjalëpak i projektkodit fjalëshumë nuk shpjegon asnjë fjalë për këtë logjikë defiçitare shifrash të vlerës absolute të gjobave për personat juridikë, duke mos marrë asnjë përgjigje se pse duhet të humbasë referimi i shkallëzuar i masës së gjobave tek dënimi me burgim apo me burgim të përjetshëm për krimet dhe se çfarë ka ndodhur me politikën penale ndaj personave juridikë që kryejnë kundërvajtje penale për të diktuar pesëfishimin e minimumit dhe maksimumit të dënimit me gjobë. Por kjo është problematika më e pakët që konstatoj.
Gjatë hulumtimit të 36 parashikimeve të Pjesës së Posaçme, zbulohen formula të ndryshme të parashikimit të dënimit me gjobë nga grupi i punës. Një kategori formulimi është konceptimi i gjobës si dënim fiks penal. Kështu neni 207 parashikon se krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga personat juridikë dënohen me 5-fishin e gjobës sipas nenit 123, duke nënkuptuar sakaq se çdo krim i tillë dënohet me 250.000.000 Lekë. Në këtë kre rezulton se janë 10 vepra penale krime për të cilat parashikohet dënim penal fiks për personat juridikë. Raste të tjera të përcaktimit të dënimit penal fiks paraqiten rregullimet e nenit 728/1/b të projektit, ku veprat penale kundër fëmijëve, konkretisht bëhet fjalë për 12 vepra penale (shih veprat penale në nenin 707; 709; 711; 715; 716; 717; 718; 721; 722; 723; 724; dhe 725), e kanë të përcaktuar dënimin me gjobë për personat juridikë fiks, konkretisht nën formulën dyfishi i nenit 123 të këtij projekti, që do të thotë se gjoba penale për personat juridikë për këto 12 vepra penale të tjera është 20.000.000 Lekë. Në këtë mënyrë fondit të mëparshëm të veprave penale ku parashikohen dënime me burgim apo dënimi me burgim të përjetshëm si dënime penale fikse i shtohet edhe kjo bashkësi e dënimeve fikse me gjobë për personat juridikë me plot 22 vepra penale. Në shkrimet e mëparshme, ku kam trajtuar antikushtetutshmërinë e dënimeve penale fikse, kam sjellë në vëmendje edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat nuk janë mbajtur parasysh nga grupi i punës në hartimin e projektit të Kodit të ri Penal.
Ndërkohë që duket sikur problematikat juridike të këtij projekti qëndrojnë tek dënimet penale fikse, një problematikë tjetër penale dhe kushtetuese shfaqet në shumë prej 36 normave të Pjesës së Posaçme që rregullojnë dënimin me gjobë për personat juridikë. Kështu në 12 norma të Pjesës së Posaçme gjoba është konceptuar vetëm me miminum dhe si maksimum ka pafundësinë. Kështu në nenin 611 (a); 625 (a); 654 (a); 671 (2); 700 (a); 728 (a); 761 (a); 794 (a); 818 (2); 855 (2); dhe 870 (2) të projektit të Kodit të ri Penal dënimi me gjobë i personit juridik parashikohet të jetë mbi 5-fishin e përfitimit të paligjshëm apo dëmit të shkaktuar, duke mos pasur asnjë masë maksimale të dënimit me gjobë. Në këto parashikime grupi i punës harron se ka përsëritur dy herë njëlloj në Pjesën e Përgjithshme se ligji duhet të parashikojë kufijtë e dënimit me gjobë personat juridikë (shih nenin 123/2 dhe 132/2). Në 12 rastet e mëlartme të Pjesës së Posaçme bën krejt të kundërtën, duke mos përcaktuar kufij maksimalë të dënimit me gjobë për personat juridikë.
Herën e fundit që një parashikim i tillë ligjor ka ekzistuar në Kodin Penal rezulton se ka qenë nenit 1 të Ligjit nr. 8175/1996, ligj të cilin e kam analizuar dhe quajtur të mbrapshtë në shkrimin “Dilema mbi Kodin e ri Penal (26)”, ligj përmes së cilit u ndryshua neni 34 i Kodit Penal, duke u parashikuar se dënimi me gjobë për krimet është jo më pak se 10.000 Lekë dhe dënimi me gjobë për kundërvajtjet penale është jo më pak se 5.000 Lekë. Me Vendimin nr. 13/1997 të Gjykatës Kushtetuese kjo dispozitë e mbrapshtë u shfuqizua si antikushtetuese, duke u arsyetuar se nuk mund të ketë dënim penal të papërcaktuar në ligj në minimumin dhe në maksimumin e tij dhe se dënime të tilla penale vijnë në kundërshtim me parimin e dënimit të caktuar me ligj dhe parimin e sigurisë juridike. Pas 28 vitesh një grup pune, duke mos pasur parasysh jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, propozon 12 norma të Pjesës së Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal me dënime me gjobë që kufij ligjorë kanë pafundësinë matematike të shifrave. Shumësia e veprave penale që dënohen me këto dënime antikushtetuese duhet të shtohet me numrin e veprave penale që përmban fusha e zbatimit të 12 normave të cituara më lart dhe se vetëm në këtë mënyrë kuptohet përmasa reale e antikushtetutshmërisë së këtij projekti të publikuar shkëlqyeshëm në Korrikun e vitit 2025 si Kushtetuta Negative e ardhshme e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por nuk mbaron me kaq problematika e rregullimeve juridike të gjobës për personat juridikë. Në 36 normat e Pjesës së Posaçme, përveç 22 dënimeve penale fikse dhe 12 dënimeve penale të pafundshme, ka masa dënimesh me gjobë për personat juridikë që dënojnë njëlloj krime me rëndësi krejt të ndryshme. Për shembull krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës dënohen njëlloj sikurse krimet e narkotikëve; shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja në jetë apo në shëndet dënohen njëlloj si vrasjet e cilësuara; falsifikimet dënohen njëlloj sikurse krimet kundër rendit kushtetues; krimet në fushën e lojrave të fatit dënohet njëlloj sikurse terrorizmi; veprat penale kundër moralit apo nderit vetjak dënohen njëlloj sikurse krimet kundër jetës, shëndetit apo lirisë personale; veprat penale kundër punonjësve dënohen njëlloj sikurse krimet kundër integritetit fizik apo psikik të fëmijëve; veprat penale në shoqëritë tregtare dënohen njëlloj sikurse krimet seksuale me madhorë apo edhe me të mitur. Në fakt këto janë vetëm disa shembuj ndër shumë syresh dhe si të tilla nuk e ezaurojnë dot potencialin krahasues të mungesës së proporcionalitetit të 36 rregullimeve të Pjesës së Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal, të cilat parashikojnë formula gjobash penale të njëllojta për krerë të ndryshëm veprash penale, pa i shkallëzuar dhe pa i personalizuar ato sipas rëndësisë së çdo kreu ku sistemohen vepra të ndryshme penale dhe mbrohen marrëdhënie të ndryshme juridike. Kjo anomali e konceptimit të ligjit penal material është mendësi e njëjtë dhe tradicionale tashmë në Shqipëri sikurse njëlloj gabohet edhe kur rregullohet dënimi me gjobë për personin fizik, pasi që prej vitit 1995 dënimet me gjobë rëndojnë njëlloj të gjitha krimet dhe të gjitha kundërvajtjet penale, sikurse Pjesa e Përgjithshme parashikon, pavarësisht dallimeve të veprave penale dispozitë pas dispozite në Pjesën e Posaçme.
Por përveç problematikave të mëlartme me antikushtetutshmërinë e projektit të Kodit të ri Penal, akoma më shqetësuese është baza konceptuale e gabuar e filozofisë juridike penale që përdor grupi i punës për strukturimin e dënimit me gjobë. Pa dashur të zgjatem me abstragime të teorisë së përbotshme të së drejtës penale materiale, po i lejoj vetes të jap një kumt juridik të shkurtër mbi atë çfarë duhet të përfaqësojë dënimi me gjobë në sistemin e dënimeve penale të një shteti modern dhe demokratik. Kështu dënimi me gjobë duhet të përfaqësojë në çdo rast një shumë parash të përcaktuar në minimum dhe në maksimumin e saj në ligj, shumë e cila vlerësohet proporcionalisht nga Kuvendi fillimisht në parashikim dhe më tej nga gjykata në individualizim dhe me anën e së cilës shteti përmes ndëshkimit financiar të përshtatshëm synon parandalimin e posaçëm dhe të përgjithshëm të sjelljeve penale në shoqëri. Por në këtë përkufizim modest është e rëndësishme të kuptohet se gjobës si dënim penal financiar nuk mund t’i atashohen edhe arritja e qëllimeve të tjera të cilat adresohen nga ligji përmes dënimeve penale plotësuese apo padive civile në procesin penal apo civil. Thënë ndryshe gjobës si dënim penal kryesor nuk mund t’i atashohen edhe qëllimet e dënimit penal plotësues të konfiskimit apo qëllimet e rivendikimit të dëmit të shkaktuar nga vepra penale. Konfiskimi i pasurive vepron pavarësisht zbatimit apo jo të gjobës, duke shtetëzuar gjithçka që është përdorur si mjet dhe është krijuar si apo është tentuar të krijohet si produkt i veprës penale. Nga ana tjetër çdo humbje pasurore apo jopasurore që ka shkatuar vepra penale me dëmin e shfaqur objektivisht në realitet ligji e ka adresuar ta regresojë përmes padisë civile në procesin penal apo civil, rrugët ligjore këto se si viktima privat apo publik mund të rivendikojnë kthimin në ligjshmëri të çdo interesi të cenuar.
Ajo që ka bërë grupi i punës në projektin e Kodit të ri Penal është caktimi i një dënimit me gjobë, që përfshin në vetvete shumën financiare ndëshkuese, pra gjobën e mirëfilltë, shumëfishin e ekuivalencës së përfitimit të paligjshëm, pra dënimin plotësues të konfiskimit të shumëzuar deri në 5 apo në pafundësi, dhe më tej edhe shumëfishin e vlerën ekuivalente të dëmit të shkaktuar nga vepra penale të shumëzuar deri në 5 apo në pafundësi. Në këtë mënyrë personi juridik dënohet me dënim plotësues të konfiskimit dhe mbi të edhe me dënimin me gjobë, konkretisht konfiskimin e shumëzuar. Nga ana tjetër në këtë mënyrë ekuivalenca e dëmit që rrjedh nga përgjegjësia civile shndërrohet në dënim penal kryesor, konkretisht në gjobë të shumëfishuar.
Duke e konceptuar masën e dënimit me gjobë për personin juridik herë si shumëfishi i përfitimit të paligjshëm dhe herë si shumëfishi i dëmit të shkaktuar nga vepra penale, grupi i punës ka denatyruar dënimin penal me gjobë si dënim kryesor, duke i atashuar me një mbivendosje të papranueshme kushtetuese edhe karateristikat e dënimit plotësues të konfiskimit dhe njëherazi edhe të qëllimeve që ndjek padia civile në procesin penal apo civil. Krijimi apo shndërrimi i dënimit me gjobë në një entitet triptik ligjor, konkretisht në dënim me gjobë, në dënim plotësues dhe në mjet ligjor për ndreqjen e përgjegjësisë civile të lindur nga vepra penale, krijon një dënim penal të papranueshëm për shtetin modern dhe demokratik apo thënë ndryshe për idealin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një dënim penal i tillë është regëtimë prehistorike apo nostalgji e ligjvënësve babilonas, thënë ndryshe i frymëzuar sipas parimit të “Lex talionis” që ka shërbyer si filozofia bazë juridike për shkrimin e Kodit të Hamurabit, ligj që daton rreth vitit 1750 para Krishtit. Norma të tilla janë të papranueshme për çdo logjikë normale dhe mesatare qytetare. Më mijëvjeçarin e tretë pas Krishtit Kushtetuta Negative e Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk mund të ketë dënime penale babilonase por vetëm dënime penale kushtetuese dhe proporcionale.
Duke pasur parasysh gjithësa më lart u analizua sërisht më duhet të theksoj se nxitimi, mungesa e maturisë, shurdhëria dhe verbëria e debatit juridik përgjatë procesit të ndërtimit të një sipërmarrje kaq të rëndësishme shtetformuese rrezikon të prodhojë problematika të tilla juridike, sikurse shfaqet javë pas jave në rubrikën “Dilema mbi Kodin e ri Penal” projekti i Kodit të ri Penal, që tashmë mbushi vitin parë të publikimit. Vlerësoj se kjo mënyrë e të vepruarit për reforma kaq ekzistenciale shtetërore duhet të mos bëhet shembull në të ardhmen dhe të ndryshojë tërësisht qasje procesi paraligjvënës i hartimit të normave. Procese të tilla duhet të jenë transprarente, të maturuara dhe të konsultuara efektivisht në kohë.
Florjan Kalaja- Gjyqtar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Burimi: Marrё nga Gazeta Panorama






