Megjithëse kanë një popullsi të përgjithshme prej pak më shumë se gjashtë milionë banorësh, shtetet baltike numëronin rreth 33 mijë startup-e gjatë vitit të kaluar.
Sapo hyn në aeroportin e saporinovuar të Vilniusit, vizitorët përballen me një varg tabelash reklamash që promovojnë produkte me mbishkrimin “Made in Lithuania”, ku ndër emrat më të spikatur është edhe gjiganti i sigurisë kibernetike NordVPN.
Ndryshe nga fushatat e ngjashme promovuese në Itali apo Francë, të cilat vënë në plan të parë trashëgiminë kulturore dhe mjeshtërinë tradicionale artizanale, Lituania, së bashku me fqinjët e saj baltikë – Estonia dhe Letonia – po zgjedhin të prezantohen si vende ku lind dhe zhvillohet inovacioni.
Tre vendet krenohen tashmë me një numër gjithnjë në rritje startup-esh të njohura në mbarë botën, si platforma e rishitjes së produkteve të përdorura Vinted, shërbimi i transportit Bolt dhe pionieri i telefonisë me video Skype.
Edhe pse popullsia e përbashkët e tri shteteve mezi kalon gjashtë milionë banorë, gjatë vitit të kaluar ato kishin rreth 33 mijë startup-e, sipas të dhënave të Lursoft IT, një kompani letoneze e specializuar në bazat e të dhënave financiare dhe të biznesit.
Sipas raportit vjetor të Practica Capital dhe Firstpick, startup-et baltike siguruan gjatë vitit 2025 financime prej 607 milionë eurosh, ose 20 për qind më shumë se një vit më parë.
Sot, shtetet baltike numërojnë 17 kompani startup-i me një vlerësim tregu që tejkalon 1 miliard dollarë.
“Shpirti sipërmarrës”
Më pak se katër dekada më parë, Estonia, Letonia dhe Lituania rifituan pavarësinë e tyre, por trashëguan një industri të vjetruar dhe joefikase, produkt të ekonomisë së komanduar sovjetike.
“Rifitimi i pavarësisë çliroi frymën sipërmarrëse që për dekada ishte shtypur nga sistemi sovjetik”, shprehet sipërmarrësi letono-amerikan Girts Graudins, duke kujtuar se rajoni kishte qenë një qendër e rëndësishme e shkencës dhe prodhimit që në fillim të shekullit XX.
Sipas Kadri Ukrainski, pedagoge në Universitetin e Tartu-t në Estoni, rrënojat e ekonomisë së komanduar sovjetike u shndërruan paradoksalisht në një laborator të fuqishëm inovacioni.
“Nga periudha sovjetike trashëguam një sistem telefonik jashtëzakonisht të dobët”, shpjegon ajo.
Pikërisht kjo nevojë çoi në krijimin e Skype, ndoshta, markës më të njohur teknologjike që ka nxjerrë ndonjëherë vendi.
Sipas saj, aplikacioni i lejoi Estonisë të bënte një kapërcim gjigant teknologjik, duke “na ndihmuar të kapërcenim një sistem komunikimi tepër të prapambetur”.
I themeluar në vitin 2003 nga dy sipërmarrës skandinavë së bashku me katër zhvillues estonezë, Skype arriti të kishte mbi 50 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën vetëm dy vjet më vonë. Në vitin 2005 ai iu shit platformës së ankandeve online eBay për rreth 2.6 miliardë dollarë.
Një tjetër moment vendimtar ishte anëtarësimi i tre shteteve baltike në Bashkimin Evropian në vitin 2004, i cili u hapi rrugën tregjeve evropiane.
Sot, Estonia, me vetëm 1.3 milionë banorë, numëron 10 kompani startup-i aktive me një vlerësim tregu që tejkalon 1 miliard dollar secila, duke mbajtur rekordin si vendi me numrin më të madh të tyre për frymë në Evropë.
Efekti shumëfishues i startup-eve
Edhe pse Skype u tërhoq përfundimisht nga përdorimi vitin e kaluar nga Microsoft, e cila e kishte blerë kompaninë në vitin 2011, trashëgimia e tij vazhdon të ndihet fuqishëm në të gjithë rajonin baltik.
Ky fenomen njihet si “efekti i mafies së Skype-it”: themeluesit dhe punonjësit e parë të kompanisë shfrytëzuan përvojën e fituar për të krijuar sipërmarrje të reja, duke frymëzuar një brez të tërë sipërmarrësish që ndoqën të njëjtën rrugë.
Një ndikim të ngjashëm pati edhe Vinted.
“Historia e Vinted-it ka ecur paralelisht me zhvillimin e gjithë ekosistemit të startup-eve në Lituani”, thotë Jessie de la Merced, zëvendëspresidente për çështjet korporative të kompanisë, duke theksuar se prania e saj ka krijuar një “efekt shumëfishues” në ekonomi.
Vinted arriti në muajin prill një vlerësim tregu prej 8 miliardë dollarësh, ndërsa Lituania numëron tashmë gjashtë shoqёri tё kёtyre pёrmasave.
Ndikimi i tyre nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë, por shtrihet në të gjithë ekonominë kombëtare, shprehet Karolina Urbonaite, drejtuese e institucionit shtetëror Startup Lithuania, i cili mbështet zhvillimin e startup-eve në vend.
“Startup-et tona paguajnë shumë taksa. Ato krijojnë vende të reja pune”, thekson ajo.
Sipas saj, startup-et lituaneze punësojnë mbi 20 mijë persona, ofrojnë paga të larta dhe tërheqin investime të konsiderueshme të huaja në ekonomi.
Një tjetër faktor vendimtar është investimi i vazhdueshëm në arsimin STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), i cili po formon brezin e ri të sipërmarrësve në sektorin e teknologjisë financiare.
Në testimin më të fundit ndërkombëtar PISA të OECD-së, nxënësit baltikë në fushat STEM renditen përpara bashkëmoshatarëve të tyre nga Franca, Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe Norvegjia.
Por nuk kanë ndryshuar vetëm aftësitë; kanë ndryshuar edhe ëndrrat.
“Më parë, figurat që frymëzonin të rinjtë ishin artistët dhe muzikantët”, thotë Ronny Eriksson, themelues i studios së sipërmarrjes New Nordic Way në Finlandë.
“Ndërsa sot janë themeluesit e startup-eve ata që shihen si modele suksesi. Fëmijët rriten duke ëndërruar të bëhen si ata.”
Burimi: Euractiv






