Beteja për emrin e një prej institucioneve kulturore më të njohura të Shteteve të Bashkuara është rikthyer. Bordi i John F. Kennedy Center for the Performing Arts ka votuar që emri i presidentit Donald Trump të shfaqet sërish në fasadën e ndërtesës, vetëm disa muaj pasi një gjykatës federal urdhëroi heqjen e tij.
Këtë herë, megjithatë, bordi ka zgjedhur një formulim tjetër.
Në vend që institucioni të riemërtohet zyrtarisht me emrin e Trump, fasada parashikohet të mbajë mbishkrimin:
“The John F. Kennedy Center for the Performing Arts – Restored and Renovated by President Donald J. Trump”, pra: “Qendra John F. Kennedy për Artet Skenike – restauruar dhe rinovuar nga Presidenti Donald J. Trump”.
Sipas kongresmenes demokrate Joyce Beatty, e cila është anëtare ex-officio e bordit, është votuar gjithashtu që hapësira fizike përreth qendrës të marrë emrin “President Donald J. Trump Plaza”.
Vendimi pritet të hapë një tjetër betejë ligjore.
Gjykata kishte urdhëruar heqjen e emrit të Trump
Përplasja nisi pasi Trump, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi drejtimin e Kennedy Center dhe vendosi një bord të përbërë kryesisht nga njerëz të zgjedhur prej tij. Bordi më pas e zgjodhi vetë Trump si kryetar.
Në dhjetor, emri i presidentit u vendos në fasadën e ndërtesës dhe u votua që institucioni të quhej “The Donald J. Trump and John F. Kennedy Memorial Center for the Performing Arts”.
Por çështja përfundoi në gjykatë.
Në maj, gjykatësi federal Christopher Cooper vendosi se bordi nuk kishte kompetencën për të ndryshuar emrin e institucionit. Sipas tij, ligji federal përcakton qartë se qendra mban emrin e presidentit John F. Kennedy dhe vetëm Kongresi mund ta ndryshojë atë.
Pikërisht për këtë arsye, formulimi i ri duket se është zgjedhur për të shmangur një riemërtim formal: emri i Kennedy Center mbetet i paprekur, ndërsa Trump paraqitet si presidenti nën drejtimin e të cilit ndërtesa është restauruar dhe rinovuar.
Beatty e konsideron këtë një përpjekje të drejtpërdrejtë për të anashkaluar vendimin e gjykatës.
“Ky zhvillim i fundit është një përpjekje për të anashkaluar vendimin e Gjykatës”, deklaroi ajo, duke paralajmëruar se do të vazhdojë betejën kundër ndryshimit.
Kennedy Center do të mbyllet për dy vjet
Në të njëjtën mbledhje, bordi miratoi edhe një vendim tjetër të rëndësishëm: Kennedy Center do të mbyllet për rreth dy vjet për një proces të gjerë rinovimi.
Edhe ky projekt është pjesë e përpjekjes së Trump për të transformuar institucionin, të cilin ai e ka kritikuar vazhdimisht që prej rikthimit në presidencë.
Por tashmë debati nuk është vetëm për rinovimin e një ndërtese.
Kennedy Center u krijua nga Kongresi si një memorial i gjallë kombëtar për presidentin John F. Kennedy, të vrarë në vitin 1963. Për këtë arsye, ligji vendos kufizime të posaçme edhe për memorialet apo pllakat e tjera që mund të vendosen në hapësirat publike të kompleksit.
Por a është shënimi “Restauruar dhe rinovuar nga Presidenti Donald J. Trump” thjesht informacion mbi punimet, apo në praktikë një memorial i ri për Trump?
Përgjigjja mund t’u mbetet përsëri gjykatave amerikane.





