Europa po përballet me valën e tretë të fortë të të nxehtit të kësaj vere, ndërsa temperaturat ekstreme po përkeqësojnë një situatë tashmë problematike nga thatësira, zjarret dhe rënia e niveleve të lumenjve.
Sipas të dhënave të publikuara nga DW, rreth 300 milionë njerëz, më shumë se gjysma e popullsisë së kontinentit, pritet të përballen me temperatura mbi 30°C, ndërsa rreth 92 milionë banorë në Francë, Itali dhe Spanjë do të përjetojnë temperatura mbi 35°C.
Vala e re vjen pas një periudhe tashmë rekord. Shërbimi europian Copernicus bëri të ditur se qershori dhe korriku së bashku ishin dy muajt e parë të verës më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore.
Europa është sot kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale.
Temperaturat ngjiten nё 40 gradë
Në Gjermani, temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C në pjesët perëndimore dhe jugore, duke shënuar valën e tretë të nxehtësisë ekstreme vetëm gjatë kësaj vere.
Situata është e rëndë edhe në Francë, Spanjë dhe Itali, ku temperaturat mbi 35°C po vijnë pas javësh me vapë dhe mungesë reshjesh.
Por vala nuk kufizohet vetëm në Europën Perëndimore. Ajo po shtrihet drejt juglindjes së kontinentit, duke përfshirë Greqinë, Shqipërinë dhe Kroacinë, ndërsa edhe Britania pritet të kalojë përsëri temperaturën 30°C.
Vapa po kthehet në problem me ujin
Problemi nuk është më vetëm temperatura.
Javët e njëpasnjëshme me vapë dhe reshje të pakta kanë ulur ndjeshëm rezervat ujore dhe kanë tharë tokën e bimësinë. Bashkimi Europian e kishte cilësuar situatën e thatësirës në kontinent si “kritike” që në mesin e korrikut.
Në Gjermani, niveli i Rinit ka rënë në nivele jashtëzakonisht të ulëta në disa zona. Kjo ka pasoja edhe ekonomike, pasi lumi është një prej arterieve kryesore të transportit europian për karburante, drithëra, minerale dhe mallra të tjera.
Ndërkohë, toka dhe bimësia gjithnjë e më e thatë po krijojnë kushtet ideale për përhapjen e zjarreve.
Franca dhe Spanja janë përballur këtë verë me disa prej zjarreve më të rënda të viteve të fundit, ndërsa në Spanjë disa vatra vazhdojnë të jenë aktive.
Autoritetet europiane po paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave shumë të larta, tokës së tharë dhe mungesës së ujit e bën çdo zjarr shumë më të vështirë për t’u kontrolluar.
Kështu, vera e vitit 2026 po shkon drejt një bilanci shqetësues për Europën: tre valë të forta të nxehti brenda një sezoni, temperatura rekord, lumenj që po humbasin ujë, thatësirë dhe zjarre që ushqehen nga një terren gjithnjë e më i thatë.






