Sot bëhet një vit nga ndarja e papritur nga jeta e Artur Zhejit, gazetarit, publicistit dhe analistit që për më shumë se tri dekada ishte një nga zërat më të dallueshëm të medias dhe debatit publik shqiptar.
Më 23 gusht 2025, vetëm gjashtë ditë përpara se të mbushte 64 vjeç, Zheji u nda nga jeta në Sarandë, ku ndodhej me familjen.
Artur Zheji kishte lindur më 29 gusht 1961 në Tiranë, në një familje ku arti, gjuha dhe kultura ishin pjesë e natyrshme e jetës. Ishte djali i Petro Zhejit, gjuhëtarit, përkthyesit dhe një prej mendjeve më origjinale të kulturës shqiptare, dhe i Besa Imamit, aktores së njohur të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Xhaxhai i tij ishte studiuesi dhe pedagogu Gjergj Zheji. Kjo prejardhje kulturore do të ndihej më vonë edhe në mënyrën e tij të të shkruarit dhe të folurit: gazetaria e Zhejit rrallë mbetej vetëm te lajmi apo politika e ditës.
Në fakt, rruga e tij nuk nisi nga gazetaria. Zheji studioi për regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve dhe punoi si dramaturg në Teatrin Kombëtar. Ndër krijimet e tij të hershme ishte drama “Raimonda”, të cilën e shkroi dhe e realizoi për skenën. Formimi artistik mbeti i dukshëm edhe kur jeta profesionale e çoi përfundimisht drejt medias.
Në vitet ’90 jetoi dhe punoi në Itali, ku u angazhua në Radio Radicale dhe u mor veçanërisht me zhvillimet në Ballkan. Në vitin 1994 ishte gjithashtu korrespondent nga Roma i KOHËS Javore. U kthye në Shqipëri në fund të viteve ’90, në një prej periudhave më dramatike për shqiptarët, gjatë luftës në Kosovë. Emisioni i tij “Luftë apo Paqe në Kosovë” e vendosi atë në qendër të gazetarisë televizive të kohës, ndërsa Kosova dhe çështja kombëtare do të mbeteshin tema për të cilat ai foli dhe shkroi deri në fund.
Karriera e tij më pas kaloi thuajse në të gjitha format e medias. Drejtoi Radio Televizionin Shqiptar, Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe gazetën MAPO, shkroi analiza e editoriale dhe u bë një prani e vazhdueshme në debatet politike televizive.
Nga viti 2017, “360 Gradë” u bë emisioni me të cilin publiku e identifikoi më së shumti në vitet e fundit të jetës.
Por gjurma e Artur Zhejit nuk qëndron vetëm në listën e mediave që drejtoi apo të emisioneve që realizoi. Ai kishte krijuar një mënyrë të vetën të të qenit në hapësirën publike. Fliste gjatë, ndërtonte argumentin, kundërshtonte fort dhe shpesh provokonte, por kërkonte që pas ngjarjes së ditës të shihej historia, interesi kombëtar, kultura apo sjellja e shoqërisë.
Formimi si regjisor, trashëgimia intelektuale familjare dhe përvoja e gazetarit u bashkuan te një profil që ishte vështirë të ngatërrohej me dikë tjetër.
Edhe reagimet pas vdekjes së tij e treguan këtë dimension. Kolegë, artistë dhe figura të politikës, pavarësisht bindjeve të tyre, e kujtuan si një njeri të mendimit të lirë dhe të debatit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësoi veçanërisht kontributin e tij në dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë dhe zërin e tij në mbrojtje të çështjes së Kosovës. Homazhet u zhvilluan pikërisht në Universitetin e Arteve, aty ku shumë vite më parë kishte nisur formimi i tij.
Ka edhe një rastësi të dhimbshme në historinë e fundit të Artur Zhejit. Më 3 tetor 2024, më pak se një vit përpara se të ndahej nga jeta, ai kishte shkruar një tekst për vdekjen, të cilën e quante “Zonjë madhështore”. Ishte një reflektim për fundin që i relativizon pushtetin, ambiciet dhe madhështitë e përkohshme të njeriut.
Një vit më pas, Artur Zheji mungon në ekran, në editorialet dhe në debatet ku për kaq gjatë ishte një prani e zakonshme. Por mbetet një arkiv i madh shkrimesh, emisionesh, intervistash dhe qëndrimesh, si dhe kujtimi i një gazetari që nuk u mjaftua vetëm të tregonte çfarë kishte ndodhur, por kërkonte gjithmonë të diskutonte se çfarë fshihej pas saj.
Artur Zheji, 29 gusht 1961 – 23 gusht 2025.






