Dy superjahte gjigante, me një vlerë të kombinuar prej rreth 410 milionë paundësh, kanë tërhequr vëmendjen pasi u ankoruan në portin e Poole, në bregdetin jugor të Anglisë.
Të dyja anijet luksoze, “Leviathan” dhe “Draak”, janë në pronësi të miliarderit amerikan dhe zhvilluesit të njohur të videolojërave Gabe Newell.
Poole, në Dorset, është kthyer ndër vite në një pikë ndalimi për disa prej jahteve private më të shtrenjta në botë, por mbërritja pothuajse njëkohësisht e dy anijeve të flotës së Newell ka tërhequr veçanërisht vëmendjen.

Më imponuesja është “Leviathan”, një superjaht rreth 111 metra i gjatë, i porositur posaçërisht nga Newell dhe i ndërtuar me përfshirjen e specialistëve holandezë. Puna për ndërtimin e tij nisi në vitin 2020 dhe përfundoi vitin e kaluar, ndërsa vlera e anijes përllogaritet në rreth 300 milionë paund.
Përmasat e saj janë të krahasueshme me ato të një hoteli luksoz lundrues. “Leviathan” ka 11 suita dhe mund të strehojë deri në 26 të ftuar, ndërsa në bord ka hapësira të veçanta për një ekuipazh prej 37 personash. Në kuvertën kryesore ndodhet gjithashtu një zonë e përbashkët ngrënieje me kapacitet deri në 54 persona.

Por ajo që e dallon jahtin është ndërthurja e luksit tradicional me pasionin e pronarit të tij për videolojërat. Në bord ndodhet një sallë lojërash me 15 stacione, dy simulatorë garash dhe një hapësirë hibride që mund të përdoret si sallë lojërash ose konferencash.

Kompleksi i argëtimit dhe relaksit plotësohet nga palestër, spa, sauna, jacuzzi dhe madje një fushë basketbolli, ndërsa jahti ka edhe ambiente të posaçme për takime dhe konferenca.

Me peshë rreth 5,000 tonë, “Leviathan” përdor një sistem hibrid diesel-elektrik dhe mund të arrijë një shpejtësi maksimale prej 17 nyjesh.
Krahas tij në Poole është ankoruar edhe “Draak”, superjahti tjetër i Newell, i cili gjithashtu mund të presë deri në 26 të ftuar. Së bashku, dy anijet vlerësohet se kapin një vlerë prej rreth 410 milionë paundësh.

Pronari i tyre, Gabe Newell, është një prej figurave më të njohura të industrisë botërore të videolojërave dhe bashkëthemelues i Valve, kompanisë që qëndron pas platformës Steam dhe disa prej titujve më të njohur të gaming-ut.
Shfaqja e “Leviathan” dhe “Draak” në të njëjtin port ka bërë që dy prej superjahteve të miliarderit amerikan të kthehen në atraksionin e momentit në Poole, ku përmasat e tyre dallohen qartë mes anijeve të tjera të ankoruara.






