I nxehti “evropian” nuk po i ndahet Shqipërisë. Temperaturat e larta që kapin 40 gradë kanë pushtuar qytetet dhe fshatrat.
Kryeqyteti, Tirana, është “viktima” kryesore e të nxehtit përvëlues. Temperaturat në brendësi të Tiranës, ku ndërtimet dhe dendësia e tyre kanë bllokuar korridoret ajrore të dikurshme, në muajin korrik kapën shifra që shkonin 44-45 gradë.
Asfalti, pluhuri, ndërtimet pa kritere të vendosura në një zonë shumë të dendur me popullatë, veçanërisht në brendësi të unazave rreth kryeqytetit, bëjnë që ai të kthehet në një “govatë” me avull përvëlues në ditët më të nxehta të verës afrikane, që mesa duket do të vazhdojnë edhe në shtator, sipas meteorologëve.
Shprehja “Gusht e gunë” tashmë nuk gjen më vend në një klimë që ka ndryshuar përfundimisht ekosistemin në Evropë dhe Shqipëri. “I nxehti afrikan” që përdorej vite më parë, për të përshkruar ditë të veçanta me nxehtësi ekstreme verore, tani ka ardhur koha të ndryshojë emër dhe të quhet: i nxehti evropian.
Edhe këtë të premte, temperaturat do të mbeten shumë të larta, me termometrin që në disa zona të vendit pritet të arrijë në 40 gradë Celsius.
Gjirokastra dhe Berati pritet të jenë ndër qytetet më të nxehta, me temperatura maksimale deri në 40 gradë, ndërsa në Tiranë termometri pritet të shënojë rreth 38 gradë, por temperatura do ndihet si 42 gradë Celsius.
Për pjesën më të madhe të territorit moti parashikohet i kthjellët dhe me diell, ndërsa gjatë ditës pritet shtim i vranësirave në zonat malore të lindjes. Nga mesdita deri në orët e pasdites, në këto zona mund të ketë reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët.
Temperaturat e larta kërkojnë kujdes të veçantë gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat që qëndrojnë apo punojnë për një kohë të gjatë në ambiente të hapura.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 4 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të arrijë herë pas here deri në 12 m/s. Valëzimi në det parashikohet i forcës 1 deri në 3 ballë.





