Në 10 Shkurt 2025 Erion Veliaj, nuk e priste që agjentët e BKH-së të trokisnin në zyrën e tij dhe ta arrestonin, e më pas ta shoqëronin drejt burgut 313. As nuk e imagjinonte që pas 1 viti e gjysmë paraburgim, ai do ishte ende banor në IEVP Durrës.
Shumë ngjarje kanë rrjedhur nga shkurti i vitit të kaluar. Ngjarje që kanë ripozicionuar dhe ndryshuar Politikën, drejtësinë bashkë me popullin që s’është më i njëjti si më parë.
Edhe Erion Veliaj ka ndryshuar. Ai s’mund të jetë më “trumcaku” i ditëve të para brenda në kafaz. Tashmë, me 18 muaj burg mbi shpinë, ai është rritur, sprovuar dhe trajnuar me të keqen.
Askush nuk duhet të çuditet me lëvizjen e tij. Gjërat kanë ndryshuar!
Nëse në 14 shkurt 2025 Anuela Ristani u komandua si kryebashkiake teksa Veliaj, Rama dhe të gjithë u kapën “gafil” nga lëvizja rrufe e SPAK, 28 gushti 2026 nuk mund ta mbajë më atë “premtim”.
Ristani që atëherë ishte zgjidhja më oportune e të dyve bashkë, sot është një limon i shtrydhur për njërin dhe pengesë serioze për tjetrin.
Anuela Ristani “shpalli” pavarësinë kur pa që, pas disa muajsh Veliaj nuk doli nga burgu. Ndërpreu komunikimet me të dhe gjeti “pronar” tjetër. Me emërimin e Eldi Hoxhës, në Bashki, Arbjan Maznikut në qeveri dhe instalimin e bashkëshortit (Bledi Çikopana) në paradhomë si “sekser”, loja në bashkinë më të madhe të Shqipërisë ndryshoi plotësisht.
Brenda ishin klane të ndryshme që nga Xhafaj, Balluku, Manja deri te ata të biznesit, por vetëm Erjon Veliaj jo.
Me urdhrin e shkarkimit të Ristanit, Erion Veliaj jep mesazh të qartë kur shkruan “delegimi i kompetencave mund të vijojë vetëm për aq kohë sa i shërben qëllimit për të cilin është dhënë, pa u shndërruar në një burim autonom kompetence të shkëputur prej tij…” dhe “është evidentuar një shkëputje progresive e ushtrimit të kompetencave të deleguara nga autoriteti kushtetues dhe ligjor i Kryetarit të zgjedhur, e materializuar në mungesën e informimit dhe të koordinimit institucional… dhe refuzimin e urdhrave të drejtpërdrejtë të Kryetarit”.
Madje ekspozon qëndrimin e Anuela Ristanit, ku në një fjali të urdhrit shkruan “…duke konstatuar se kjo situatë ka kulmuar me refuzimin e autoritetit të Kryetarit të zgjedhur”.
Në korridoret e Bashkisë, Anuela Ristani përflitet se do përfundojë keq, pas një periudhe të artë. Ajo bashkë me Eldi Hoxhën pritet të shkarkohen përfundimisht nga puna dhe t’i shkojnë si kockë “antikorrupsion” SPAK-ut.
Vasilika Vjero, Nënkryetare si Ristani, raportohet se po komandohet “kryetare” e Bashkisë Tiranë. Ish-zëvendësministrja e Financave dhe kushërira e dytë e Edi Ramës, vendos kështu një aleancë të re ndërmjet kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, ndryshe nga aludimet se shkarkimi i Ristanit ishte goditje për Ramën.
Me shkarkimin e Anuela Ristanit, bashkia do “rimerret” nga klani Veliaj, pasi raportimet flasin për një spastrim total nga armiqtë e brendshëm të Erion Veliajt.
Riemërimi i kastës së vjetër me në krye Alban Dokushin, të besuarin kryesor të Erjon Veliajt pritet të bëhet menjëherë dhe ta bëjë lojën e kryebashkiakut të burgosur më agresive nga brenda mureve të rrethuar të IEVP Durrës, në muajt e mbetur nga përfundimi i mandatit të tij 4-vjeçar.







