Islanda po shkon drejt një referendumi vendimtar për të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian, ndërsa gara mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të anëtarësimit po bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Shqetësimet për peshkimin dhe sovranitetin kombëtar po forcojnë kampin kundër BE-së, pavarësisht pasigurive të reja gjeopolitike në Arktik.
Qeveria islandeze kishte premtuar fillimisht se referendumi do të zhvillohej jo më vonë se viti 2027, por vendosi ta përshpejtojë procesin pas ndryshimeve të forta në mjedisin ndërkombëtar dhe veçanërisht pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të Groenlandës.
Kryeministrja Kristrún Frostadóttir e pranoi gjatë një debati televiziv se rrethanat me të cilat përballet Islanda kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë një viti e gjysmë të fundit.
“Nuk është sekret që situata ka ndryshuar shumë. Po shohim Shtetet e Bashkuara të përdorin tarifat si instrumente të presionit tregtar dhe si armë”, deklaroi ajo.
Për kampin proevropian, zhvillimet e fundit kanë forcuar argumentin se një vend i vogël si Islanda do të kishte më shumë siguri politike dhe ekonomike si pjesë e Bashkimit Evropian. Ambiciet amerikane në Arktik dhe tensionet rreth Groenlandës po përdoren gjithashtu si argument për një lidhje më të fortë të vendit me Evropën.
Por kundërshtarët e anëtarësimit po fitojnë terren, duke e zhvendosur debatin te dy çështje tradicionalisht shumë të ndjeshme për islandezët: kontrolli mbi burimet e peshkimit dhe ruajtja e sovranitetit kombëtar.
Peshkimi ka një rëndësi të veçantë ekonomike dhe politike për Islandën dhe pikërisht frika se anëtarësimi në BE mund të kufizojë kontrollin e vendit mbi këtë sektor ka qenë prej kohësh një nga pengesat kryesore për afrimin me unionin.
Kjo e bën rezultatin e referendumit gjithnjë e më të paparashikueshëm. Nga njëra anë qëndrojnë shqetësimet për sigurinë dhe ndryshimin e ekuilibrave gjeopolitikë në Arktik, ndërsa nga ana tjetër mbetet euroskepticizmi tradicional i një pjese të islandezëve, të cilët nuk duan të heqin dorë nga kontrolli kombëtar mbi sektorë strategjikë.





