Një debat i fortë po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara mbi mënyrën se si mediat raportojnë betejat gjyqësore kundër administratës së Donald Trump, veçanërisht pas një serie vendimesh të Gjykatës Supreme që kanë lejuar vazhdimin e politikave apo veprimeve presidenciale të bllokuara më parë nga gjykatat më të ulëta.
Vetëm gjatë ditëve të fundit, Gjykata Supreme lejoi vazhdimin e punimeve për sallën e re të eventeve në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë dhe më pas la në fuqi, të paktën për momentin, urdhrin e Presidentit Trump lidhur me votimin me postë. Këto vendime pasojnë fitore të tjera të administratës në çështje që lidhen me emigracionin, shkarkimin e zyrtarëve federalë, politikat dhe çështjet që lidhen me personat transgjinorë.
Pikërisht këto zhvillime kanë rikthyer në vëmendje termin “lawfare”, që në debatin politik amerikan përdoret për të përshkruar përdorimin sistematik të proceseve gjyqësore si instrument për të luftuar ose penguar një kundërshtar politik.
Kritika ndaj mënyrës së raportimit të këtyre çështjeve është se krijohet shpesh një skemë e përsëritur: administrata merr një vendim, organizata të ndryshme e çojnë menjëherë çështjen në gjykatë, ekspertë dhe avokatë që kundërshtojnë administratën argumentojnë publikisht se vendimi është i paligjshëm dhe, kur një gjykatës i shkallës së ulët vendos pezullimin e tij, kjo paraqitet si konfirmim se padia ka bazë të fortë juridike. Por kur një gjykatë më e lartë e rrëzon ose pezullon atë vendim, fokusi kalon te pretendimet se gjyqtarët po favorizojnë Trump.
Një nga shembujt më të fundit është beteja gjyqësore për ndërtimin e sallës së re në Shtëpinë e Bardhë.
National Trust for Historic Preservation ngriti në dhjetor një padi për të ndaluar projektin, duke pretenduar se Presidenti nuk mund të shembë ose ndryshojë pjesë të Shtëpisë së Bardhë pa procesin e nevojshëm të shqyrtimit dhe pa autorizimin përkatës të Kongresit. Në fillim të gushtit, Gjykata Federale e Apelit për Distriktin e Kolumbias vendosi bllokimin e projektit.
Por javën e kaluar, kryetari i Gjykatës Supreme, John Roberts, pezulloi urdhrin që ndalonte punimet, duke i hapur rrugë vazhdimit të tyre. Vendimi nuk shoqërohej me një opinion juridik dhe nuk përbën ende një vendim përfundimtar mbi themelin e çështjes.
Në këtë proces kanë dalë në pah edhe argumente juridike që vënë në dyshim vetë bazën e padisë. Gjyqtarja Neomi Rao, e cila kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Apelit për bllokimin e projektit, argumentoi se organizata paditëse mund të mos kishte legjitimitetin juridik për të ngritur padinë, pasi nuk ishte krijuar për të administruar apo mbrojtur Shtëpinë e Bardhë dhe duhej të demonstronte një dëm konkret që i shkaktohej nga projekti.
Rao ngriti gjithashtu një argument mbi kompetencat presidenciale, duke vënë në dukje se të paktën një ligj federal autorizon përdorimin e fondeve për mirëmbajtjen, riparimin, ndryshimin dhe përmirësimin e rezidencës ekzekutive.
Por pikërisht mungesa e këtyre argumenteve në një pjesë të raportimit mediatik është në qendër të kritikave. Pretendimi është se publikut i paraqiten gjerësisht argumentet juridike kundër administratës, por shumë më pak dobësitë e mundshme të padive, si çështjet e juridiksionit, legjitimitetit të palëve, precedentëve dhe kompetencave kushtetuese.
Efekti shkon përtej mënyrës se si raportohet një proces gjyqësor. Një numër i madh padish, të shoqëruara me raportim që i paraqet veprimet presidenciale si vazhdimisht në kufijtë ose jashtë kufijve të ligjit, mund të krijojë te publiku bindjen se administrata po vepron sistematikisht në mënyrë të paligjshme. Kur Gjykata Supreme ndërhyn më pas në favor të administratës, vendimi mund të perceptohet si politik dhe jo si korrigjim juridik i një vendimi të një gjykate më të ulët.
Burimi: WSJ





