Filip Hrgović u bë kampion i parë kroat i botës në peshat e rënda, pasi mundi mbrëmë në Londër (O2 Arena) talentin anglez Moses Itauma, i cili është vetëm 21 vjeç.
Hrgovic me nofkën “Kafsha” (El Animal) është 34 vjeç, teksa fitoi brezin e artë vakant të federatës së boksit IBF-së, lënë disa muaj më parë nga kampioni absolut ukrainas, Oleksander Usyk.
Ndeshja mes Hrgović dhe Itauma ishte një thriller i vërtetë që la pa frymë publikun anglez dhe miliona që e ndoqën direkt nëpër botë.
Moses Itauma, favoriti absolut i ndeshjes, me 14 fitore asnjë humbje edhe pse vetëm 21 vjeç, fitoi të 8 roundet e ndeshjes deri sa erdhi roundi 9.
Me shpejtësinë e goditjeve të tij, Itauma e plagosi rëndë në syrin e djathtë kroatin, i cili priti gjatë duke duruar me qindra grushtime të forta të Itaumes, duke u “rrahur” qëllimisht keq gjithë ndeshjen.
Pritja, guximi dhe durimi i Hrgović ishin mbinjerëzore. Ai në përfundim të ndeshjes e quajti “Dhuratë nga Jezu Krishti”.
Roundi 9 ishte rikthim në historinë e Rocky Balboa kundër Apollo Creed apo Ivan Drago. Itauma dhe Hrgović, goditën njëri-tjetrin pa pushim, deri në boshatisje totale të fuqive trupore dhe mendore.
Itauma që në roundin 9 ishte thuajse pa ndjenja por qëndronte në këmbë, arriti pikën e rënies kur Hrgović në frymë të fundit e sulmoi dhe i dha fund rraskapitjes së tij.
Itauma i tjetërsuar nga lodhja u dërgua menjëherë në spital me barelë.
Filip Hrgović sot është kroati më i famshëm në sport, kur vetëm në vitin 2024 publiku kroat u tall me të, pasi humbi një ndeshje me boksierin anglez, kampionin tjetër të peshave të rënda në federatën WBA, Daniel Dubois.
Hrgović deklaroi se “në atë kohë doja ta lija boksin kur të gjithë më tallën, por më lindi vajza dhe nuk doja që ajo të mbante mend një baba humbës”.
Hrgović e vlerësoi rivalin e tij pas këtij dyluftimi historik dhe rraskapitës.
“Ai është një boksier i jashtëzakonshëm. Dua ta falënderoj që e pranoi këtë ndeshje dhe që më dha mundësinë të bëhem një yll i ri në kategorinë e peshave të rënda,” tha Hrgovic. “Unë jam e tashmja, ndërsa ai është padyshim e ardhmja.”
Kroati u vlerësua shumë nga media botërore jo vetëm për fuqinë e “mbinatyrshme” por edhe për narrativën e tij sikur të ishte filozof dhe jo boksier.
Disa ditë para ndeshjes Hrgović deklaroi për talentin anglez: “Mendoj se për të do të ishte më mirë ta humbiste këtë ndeshje, sepse fitimi i titullit botëror do ta shkatërronte. Ai tashmë është ‘në re’, i shkëputur nga realiteti. Tashmë jeton në iluzione, ndaj dhe mendoj se kjo mund të shkatërrojë dikë që nuk është gati për këtë lloj fame apo pasurie. Të dyja mund të të shkatërrojë shpirtin.“
Ndërsa Filip Hrgović futet në librat e historisë së boksit si kampioni i botës në peshat e rënda, opinioni sportiv mori një leksion tjetër të pamësuar akoma nga realiteti sportiv që: Asnjëherë mos nënvleftëso rivalin e pretendentit absolut!



© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





