Shteti shqiptar ka një aftësi të veçantë për ta kthyer çdo boshllëk ligjor në një koncert, ku secili institucion i bie fyellit të vet dhe pretendon se po i bindet partiturës së Kushtetutës. Kësaj here partitura ishte një vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit 2026: paga e magjistratëve, e ngrirë ndërsa gjithçka përreth saj — paga e Presidentit, e administratës, e jetesës — vazhdonte të rritej, përbënte një “ulje të fshehur” të saj.
Elegante juridikisht. Katastrofike politikisht, sepse ia la topin në fushë Kuvendit, dhe Kuvendi, si zakonisht, e la topin të flakërohej në diell derisa u dogj.
Gjashtë muaj afat – deri më 31 korrik 2026.
Goxha kohë 6-muaj, do të thoshte dikush me naivitetin e atij që beson, për aftësinë e 140 deputetëve për të shkruar një formulë aritmetike.
Në fakt koha aty ishte, por ajo duhej për diçka tjetër.
Një ditë para afatit, dy deputetë socialistë depozituan me nxitim një projektligj që rrit koefiçientin nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit, me efekt prapaveprues nga prilli 2023.
Një gjest që dukej më shumë si alibi historike — “ja, ne e provuam” — sesa si legjislacion serioz i menduar. Dhe siç e donte skenari, edhe kjo alibi mbeti letër e vdekur: afati kaloi, Kuvendi nuk votoi asgjë, dhe topi i flakëruar shpërtheu në duart e atyre që gjoja nuk duhej ta kapnin fare.
Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ-ja e famshme), organi që sipas çdo doktrine elementare të ndarjes së pushteteve thjesht dhe vetëm zbaton ligjin dhe nuk e bën atë, vendosi më 26 gusht, nga “kabinat e plazhit”, të bëhet vetë Kuvend, vetë Ministri e Financave dhe vetë llogaritar shtetëror njëherësh.
KLGJ si një “makinë llogaritëse ligjore” caktoi pagën referuese të gjyqtarëve në 222.425 lekë, nga 156.800 që ishte, plus 14 mijë lekë shtesë diplome. Tabelë të cilën, siç e sqaroi bujarisht, e “huazoi” nga tabela e qeverisë për kategorinë e lartë drejtuese — pra mori pagën e dikujt tjetër dhe ia vuri emrin vetes: “Kjo është paga ime”.
Çfarë ndodhi 48 orë më vonë?
Në sherr e sipër për “mustaqet” e aplikantit për Prokuror të Përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, papritur u bë bashkë dhe votoi njëzëri (11 vota) që të bëjë të njëjtën gjë: caktoi si bazë page prokurori vlerën prej 236.425 lekësh. Në disa poste të larta të sistemit, rritja sipas “kalkulatriçes”, shkonte deri në mbi 3.000 euro në muaj — shifër që në administratën e zakonshme publike do të konsiderohej rrogë e plotë, “kampione” e jo shtesë.
Argumenti juridik i rrogëtarëve të drejtësisë s’është aspak i keq.
Në fakt: neni 138 i Kushtetutës thotë qartë se paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, dhe mosveprimi i Kuvendit — thanë ata — “përbën vetë një mekanizëm antikushtetutshmërie”.
E vërtetë.
Por është thuajse qesharake që institucionet që duhet të mbikëqyrin zbatimin e ligjit janë ato që vendosën, në heshtjen e plotë të ligjvënësit, sa duhet të paguhen vetë — dhe në asnjë çast nuk u dëgjua zëri i dikujt që të pyeste: mos vallë kjo formulë “e vetëcaktuar” po e kalon më lart se sa parashikonte edhe propozimi më bujar i vetë deputetëve socialistë? (Përgjigja, për kureshtarët: po, e tejkalon dhe dukshëm.)
Dhe kështu mbërrijmë te epilogu më shqiptar i të gjithëve: Thesari i Shtetit, i cili s’ka kompetencë as të diskutojë formulën, aq më pak ta rishkruajë, thjesht bllokoi pagat e gushtit 2026 për të gjithë magjistratët.
Jo se kundërshtoi ligjshmërinë e vendimeve, por thjesht i injoroi ato. Mos nuk është hera e parë që ndodh?!
Kështu, sot gjendemi para një sallate shtëpie “albaneze” jo greke, një kombinim i veçantë: gjyqtarë e prokurorë me paga të reja që s’i marrin dot, deputetë që s’bënë (dot) ligjin që u kërkua prej tyre, dhe një qeveri që refuzon të zbatojë atë çka vetë Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kompetencë të pashmangshme.
Të tre pushtetet, në kërkim të njëzëshëm të fajtorit te njëri-tjetri — çka është, në fund të fundit, sallata jonë kombëtare e “kontroll dhe balancë”.
Dhe vijmë te “orgazma”: e vetmja gjë mbi të cilën Kuvendi, KLGJ, KLP dhe qeveria janë dakord njëzëri: pa asnjë projektligj, pa asnjë seancë solemne, pa asnjë betejë retorike televizive, paga duhet të rritet.
Mosmarrëveshja e vetme është se kush ka të drejtë ta rrisë dhe jo nëse duhet rritur. Rritja e pagës është një marrëveshje që i bën bashkë të gjithë, pushtetarët e të gjitha pushteteve në Shqipëri.
Për çdo gjë tjetër: në shëndetësi, në arsim, në infrastrukturë duhen vite debati, studime fizibiliteti dhe premtime të papërmbajtshme elektorale. Por kur vjen puna për pagat e veta, institucionet e Shqipërisë gjejnë kohën, natën, ditën, bashkë me energjinë dhe kreativitetin juridik brenda që… për dyzet e tetë orë të kryejnë punë!
Ndoshta zgjidhja e vërtetë nuk është një formulë e re koefiçientësh, por një e vjetër: kushdo që dështon të bëjë punën për të cilën është zgjedhur brenda afatit, humbet të drejtën të vendosë sa paguhet. Por kjo, sigurisht, do të ishte parim shumë i rrezikshëm për t’u aplikuar në Shqipëri — sepse do t’i linte praktikisht të gjithë pa rrogë. Disa e shëmtojnë këtë histori duke përdorur togfjalëshin “Pa buk’”.
Si erdhi fundi i verës së papërfunduar vjen edhe një pyetje për Gjykatën Kushtetuese: Sa vendime (që s’kanë të bëjnë me rroga) të Gjykatës Kushtetuese janë dhe mbeten të pazbatuara?
Meqenëse vera e këtij viti nuk dëgjon të mbarojë edhe pyetja ka një zgjatim: Pse nuk janë zbatuar?
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





