Prodhimi dhe tregtia ilegale e cigareve po merr përmasa të mëdha në Bashkimin Europian, ku pothuajse një në çdo 10 cigare të konsumuara është prodhuar ose futur kontrabandë në mënyrë të paligjshme, duke u kushtuar vendeve anëtare rreth 13 miliardë euro të ardhura tatimore në vit.
Sipas një raporti të Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA), modeli i krimit ka ndryshuar ndjeshëm. Nëse dikur problemi kryesor ishte kontrabanda nga jashtë BE-së, tashmë grupet e krimit të organizuar po e zhvendosin vetë prodhimin brenda territorit të Unionit, për të shkurtuar rrugët e furnizimit dhe për t’u afruar me tregjet ku shiten cigaret. Fabrika ilegale janë zbuluar tashmë në pothuajse çdo shtet anëtar.
Përmasat e industrisë së paligjshme ilustrohen nga një fabrikë e zbuluar në Belgjikë, e cila funksiononte 24 orë në ditë me 50 punonjës dhe katër linja prodhimi, secila me kapacitet për të nxjerrë 1 milion cigare në orë.
Në Spanjë, gjatë goditjes së fabrikës më të madhe ilegale të zbuluar deri tani, policia sekuestroi 3 milionë paketa cigaresh me vlerë 15 milionë euro dhe pesë tonë duhan të papërpunuar me vlerë rreth 5 milionë euro, ndërsa 20 persona u arrestuan. Cigaret e prodhuara aty shpërndaheshin në gjashtë vende të BE-së.
Edhe një operacion i goditur muajin e kaluar nga autoritetet franceze kishte arritur, në më pak se një vit, të kryente 120 furnizime me nga 7,500 paketa secili vetëm për qytetin e Lille.
Sipas raportit, fabrikat ilegale zakonisht funksionojnë për vetëm dy deri në katër muaj, por përdorin pajisje të sofistikuara dhe teknikë me përvojë. Grupet kriminale e ndajnë prodhimin mes disa objekteve, shpesh pranë kufijve, dhe përshtatin markat e cigareve sipas tregut ku do të shiten.
Në vitin 2023, që përbën edhe të dhënën më të fundit të disponueshme, produktet ilegale të duhanit përfaqësonin rreth 8.8% të konsumit të përgjithshëm të cigareve në BE, pavarësisht se konsumi i përgjithshëm i duhanit në Europë vazhdon të bjerë.
Gjykata Europiane e Audituesve paralajmëron se lufta kundër fenomenit pengohet nga ndryshimet mes legjislacioneve dhe masave ndëshkuese të vendeve anëtare. Grupet kriminale mund të zhvendosin aktivitetin drejt vendeve ku kontrollet ose dënimet janë më të dobëta, ndërsa shkëmbimi i informacionit mes autoriteteve europiane mbetet i pabarabartë.





