Përplasja për pagat e magjistratëve ka kaluar nga shkresat, deklaratat dhe debatet kushtetuese, në kallëzim penal. Gjyqtarë kanë kallëzuar ministrin e Financave, Petrit Malaj, si dhe kërkojnë identifikimin e personave të tjerë që kanë urdhëruar, transmetuar apo zbatuar vendimmarrjen që solli mosekzekutimin e pagave të gushtit.
Është një situatë thuajse e paprecedentë: gjyqtarët kërkojnë hetimin penal të një ministri të qeverisë për një vendimmarrje që prek drejtpërdrejt pushtetin gjyqësor. Mbetet për të parë se çfarë do të bëjë SPAK me kallëzimin.
Përplasja nuk lindi sot. Ministria e Financave ka deklaruar se nuk i ka “bllokuar” pagat, por ka kthyer listëpagesat pasi KLGJ dhe KLP përdorën një metodologji të re, e cila sipas saj kërkon ndërhyrjen e Kuvendit. Nga ana tjetër, magjistratët dhe drejtues të gjyqësorit i referohen vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkojnë zbatimin e tij.
Përplasja është ngritur tashmë edhe në nivel kushtetues. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka argumentuar se mungesa e një ligji të ri apo e fondeve të parashikuara nuk mund të përdoret për të mos zbatuar vendimin e Kushtetueses, ndërsa kryetarët e gjykatave kanë kërkuar zhbllokimin urgjent të pagave.
Tani nuk diskutohet më vetëm sa duhet të paguhen gjyqtarët, por nëse dikush në administratën shtetërore ka konsumuar përgjegjësi penale duke mos ekzekutuar pagat.
Ndaj kjo e vendos drejtësinë në një skenë të pazakontë: gjyqtarët kallëzues, ministri i Financave i kallëzuar dhe SPAK përballë një dosjeje ku duhet të vendosë nëse ka apo jo vepër penale, ndërsa çdo masë do kalojë sërish për vlerësim po nga gjyqësori.






