Blerja e një shtëpie, rritja e fëmijëve, kujdesi shëndetësor, sportet e të rinjve dhe madje edhe një ndalesë për të blerë një petull: gjithnjë e më shumë pjesë të jetës së përditshme në SHBA po kalojnë nën kontrollin e fondeve të kapitalit privat (private equity). Zgjerimi i tyre po ndryshon jo vetëm strukturën e bizneseve amerikane, por edhe kostot dhe cilësinë e shërbimeve që marrin familjet.
Private equity kontrollon tashmë rreth 9 trilionë dollarë në asete dhe kompani. Një nga fushat ku ndikimi është bërë veçanërisht i dukshëm është tregu i banesave. Në vitin 2025, investitorët privatë përbënin rreth 34% të blerjeve të shtëpive, pothuajse dyfishi i mesatares së viteve 2020-2023, ndërsa aktualisht niveli llogaritet pranë 32%. Në të njëjtën kohë, blerësit që marrin një shtëpi për herë të parë kanë rënë në nivelin rekord prej vetëm 21%, ndërsa mosha mesatare e tyre ka arritur në 40 vjeç.
Kapitali privat është zgjeruar fuqishëm edhe në industrinë e fertilitetit. Në fund të vitit 2023, rreth 32% e klinikave të fertilitetit kontrolloheshin nga fonde të kapitalit privat, por ato realizonin 54% të të gjitha cikleve të fertilizimit in vitro në SHBA. Ndërkohë, numri i cikleve IVF dhe teknikave të tjera të riprodhimit të asistuar u rrit me 33% vetëm ndërmjet viteve 2020 dhe 2022.
E njëjta tendencë po shfaqet te kujdesi për fëmijët. Fondet private zotërojnë tashmë rreth 10-12% të institucioneve të kujdesit për fëmijët në SHBA, ndërsa tetë nga 11 operatorët më të mëdhenj të sektorit janë në pronësi të tyre. Kjo është shoqëruar me kosto më të larta për familjet dhe presion më të madh mbi punonjësit.
Edhe sportet e fëmijëve po shndërrohen në një industri tërheqëse për investitorët. Fondet po blejnë ekipe, ambiente sportive, kampe, kompani teknologjike, veshje dhe platforma transmetimi, duke krijuar një zinxhir ku i njëjti kapital mund të fitojë nga pothuajse çdo pjesë e aktivitetit sportiv të një fëmije. Për shumë familje, pasojë është rritja e ndjeshme e kostos së pjesëmarrjes.
Një tjetër sektor është kujdesi shëndetësor dhe ai për të moshuarit. Sipas të dhënave, mes 5% dhe 13% të shtëpive të të moshuarve kontrollohen nga fonde të kapitalit privat. Modeli që vendos kthimin financiar në qendër mund të sjellë ulje të personelit dhe përkeqësim të standardeve të kujdesit.
Sipas ekspertёve, problemi nuk zgjidhet thjesht me subvencione apo shërbime të financuara nga shteti, por kërkon rregullim më të fortë të grupeve të mëdha financiare, të cilat po marrin nën kontroll gjithnjë e më shumë pjesë të jetës ekonomike të amerikanëve.
Burimi: The Federalist




