Liderët e vendeve të BRICS janë mbledhur këtë të shtunë në Nju Delhi për samitin dyditor të grupit, në një moment kur lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijon prej shtatë muajsh dhe konflikti Rusi-Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë.
Samiti i 18-të i BRICS zhvillohet nën hijen e pasojave ekonomike të konfliktit SHBA-Iran, i cili ka thelluar krizën energjetike dhe ka shtuar shqetësimet për sigurinë e furnizimeve, tregtinë ndërkombëtare dhe inflacionin.
Kryeministri indian Narendra Modi, mikpritës i samitit, ka shprehur pritshmërinë për diskutime “pozitive” dhe “kuptimplota”. Kina, nga ana tjetër, deklaroi se synon të punojë me vendet e BRICS për nxitjen e dialogut dhe negociatave dhe ruajtjen e paqes e stabilitetit global.
Në Nju Delhi ndodhen disa prej liderëve më të fuqishëm botërorë, mes tyre presidenti kinez Xi Jinping, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti iranian Masoud Pezeshkian, presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.
BRICS numëron tashmë 11 vende anëtare: Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën, Afrikën e Jugut, Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Grupit i janë bashkuar gjithashtu një sërë vendesh partnere, mes tyre Bjellorusia, Bolivia, Kazakistani, Kuba, Malajzia, Nigeria, Tajlanda, Uganda, Uzbekistani dhe Vietnami.
Në ditën e parë, liderët zhvillojnë një takim me dyer të mbyllura kushtuar “Qeverisjes globale gjithëpërfshirëse dhe forcimit të multilateralizmit”.
Në ditën e dytë, diskutimet do të përqendrohen te qëndrueshmëria, inovacioni, bashkëpunimi dhe rritja ekonomike globale.
Pesha e BRICS është rritur ndjeshëm pas zgjerimit. Sipas shifrave të cituara nga grupi, vendet e tij përfaqësojnë rreth 49.5% të popullsisë botërore, 40% të PBB-së globale dhe 26% të tregtisë botërore.
Në përfundim të samitit pritet edhe një deklaratë e përbashkët e liderëve, e cila merr rëndësi të veçantë për shkak të pjesëmarrjes së Iranit dhe qëndrimeve që BRICS mund të mbajë ndaj luftës me SHBA-në, krizës energjetike dhe konflikteve të tjera që po tronditin ekonominë dhe rendin ndërkombëtar.


