Sot, Gjykata Speciale në Hagë dha vendimin për katër prej figurave kryesore të UÇK-së.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Të katërt u shpallën fajtorë për krime lufte – ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje – ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet.
Por ndërsa nga Haga sot vinin vitet e burgut, për shumë shqiptarë u kthyen vetvetiu pamje të tjera. Ato të vitit 1999.
Kolonat pa fund të kosovarëve që linin shtëpitë. Pleq me çfarë mund të mbanin në duar. Gra me fëmijë. Familje të tëra që kalonin kufirin drejt Shqipërisë e Maqedonisë. Shtëpi dhe fshatra të djegura.
Në fund të luftës, NATO regjistronte rreth 850 mijë refugjatë jashtë Kosovës dhe 550 mijë njerëz të zhvendosur brenda saj. Pastaj erdhën pamjet e tjera. Forcat serbe që tërhiqeshin dhe trupat shumëkombëshe që hynin në Kosovë.
KFOR-i nisi dislokimin në qershor 1999 dhe, bashkë me të, filloi kthimi i njerëzve që vetëm pak javë më parë kishin kaluar kufirin si refugjatë. Vetëm brenda rreth një muaji nga vendosja e forcave të NATO-s, afro 660 mijë refugjatë ishin kthyer në Kosovë, rreth 395 mijë prej tyre nga Shqipëria. Këto pamje nuk e zhbëjnë vendimin e sotëm dhe vendimi i sotëm nuk i zhbën ato.
Vetë trupi gjykues theksoi se procesi nuk ishte gjykim mbi legjitimitetin e UÇK-së apo mbi qëllimin e luftës për pavarësinë e Kosovës. E megjithatë, sot Haga na i solli ato vite më të gjalla se prej shumë kohësh.
Para se Hashim Thaçi të ishte president, para se Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të bëheshin emra të politikës, ishte një popull që po largohej nga shtëpia dhe një luftë që po zhvillohej për t’i dhënë fund sundimit të Beogradit.
Sot katër burra morën dënimet e tyre në Hagë. Historia e asaj që përjetoi Kosova në vitin 1999 nuk mori asnjë dënim. Ajo mbetet aty, në ato pamje që ende nuk kanë nevojë për asnjë koment.





