Një histori e vogël për boronicat, por një mësim i madh për mënyrën se si Kina ndërton industri
Kur kompania amerikane Driscoll’s hyri rreth 15 vjet më parë në Kinë, synimi ishte ambicioz: ta kthente boronicën në një produkt të zakonshëm për konsumatorin kinez. Kompania solli varietete të avancuara, teknologji moderne kultivimi dhe ekspertizë të specializuar, duke e kthyer provincën Yunnan në një qendër të rëndësishme të prodhimit të boronicave.
Strategjia funksionoi. Madje, funksionoi aq mirë sa Kina mësoi shpejt.
Sipas The Wall Street Journal, prodhimi kinez i boronicave është rritur rreth 25-fish që nga viti 2010 dhe Kina kaloi SHBA-në si prodhuesi më i madh në botë në vitin 2021. Deri në vitin 2025, prodhimi kinez ishte rreth dyfishi i atij amerikan. Rezultati për konsumatorin ishte spektakolar: çmimet ranë ndjeshëm. Për prodhuesit, megjithatë, filloi një tjetër histori.
Konkurrenca vendase u përshpejtua nga kapitali, kreditë e mbështetura nga bankat shtetërore dhe adoptimi i shpejtë i teknologjive të përdorura nga kompanitë perëndimore. Në disa raste, varietete të mbrojtura të boronicave u shumëzuan pa licencë. Driscoll’s ka ngritur më shumë se 20 padi në Kinë lidhur me shkelje të pronësisë intelektuale.
Por problemi nuk ishte vetëm kopjimi. Me dhjetëra e më pas qindra prodhues që hynë në treg, oferta shpërtheu dhe çmimet ranë. Një kilogram boronica nga Yunnan, që në vitin 2021 mund të shitej rreth 45 dollarë, këtë vit po shitet rreth 15 dollarë. Kështu, ajo që dikur dukej si një industri me marzhe jashtëzakonisht të larta fitimi u shndërrua në një luftë çmimesh.
Historia e Driscoll’s është më shumë se një histori bujqësore. Ajo ilustron një model që po përsëritet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kineze: një kompani e huaj sjell teknologjinë, kapitalin, standardet dhe modelin e biznesit; tregu lokal e përvetëson me shpejtësi; prodhuesit vendas hyjnë në masë; kapacitetet rriten shumë më shpejt se kërkesa dhe, në fund, krijohet një tepricë që shtyp çmimet dhe fitimet.
Në Kinë, avantazhi teknologjik ose i markës mund të jetë shumë më jetëshkurtër nga sa duket, falё aftësisë së saj për të shkallëzuar me shpejtësi një industri të re.
Dhe për pjesën tjetër të botës, boronica është ndoshta vetëm një kokërr e vogël që tregon një histori shumë më të madhe: kush hyn në treg për të shitur një produkt, mund të përfundojë duke i mësuar tregut se si ta prodhojë vetë — dhe më mirë, më lirë e në një shkallë shumë më të madhe.
Burimi: WSJ






