Çmimet e larta të qirave po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për të rinjtë në Greqi të largohen nga shtëpia e prindërve. Të dhënat e Eurostat tregojnë se grekët largohen nga familja mesatarisht në moshën 31-vjeçare, një nga moshat më të larta në Bashkimin Europian.
Sipas të dhënave për vitin 2025, mosha mesatare e largimit nga shtëpia e prindërve në Greqi arriti në 30.9 vjeç, nga 30.7 vjeç një vit më parë. Greqia renditet e dyta në BE, pas Kroacisë, ndërsa mesatarja europiane është vetëm 26.3 vjeç.
Një nga arsyet kryesore është kostoja e strehimit. Në Athinë, qiraja e një apartamenti me një dhomë gjumi arrin tashmë në 70.2% të pagës mesatare mujore, ndërsa për një apartament me dy dhoma nevojitet një shumë që barazohet me 93.6% të pagës mesatare.
Situata është veçanërisht e rëndë për të rinjtë. Një studim i Eurofound tregon se 79% e të rinjve në Greqi shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave të tyre për strehimin, përqindja më e lartë e regjistruar.
Presioni është shtuar edhe nga rritja e vazhdueshme e qirave. Vetëm gjatë vitit 2025, ato u rritën me 10.1%, duke e bërë jetesën e pavarur gjithnjë e më të paarritshme për një pjesë të brezit të ri.
Edhe punësimi luan rol. Norma e punësimit të të rinjve në Greqi ishte 56.2% në vitin 2025, nën mesataren e Bashkimit Europian. Eurostat vëren se në vendet ku të rinjtë punësohen më herët dhe kanë të ardhura më të qëndrueshme, edhe largimi nga shtëpia e prindërve ndodh në moshë më të re.
Përballë qirave që marrin një pjesë kaq të madhe të pagës, shumë të rinj grekë po zgjedhin të qëndrojnë më gjatë me prindërit, ndërsa të tjerë po i drejtohen gjithnjë e më shumë ndarjes së banesës me persona të tjerë për të përballuar kostot.
Burimi: Kathimerini





