Raporti mes politikanit shqiptar dhe buxhetit të shtetit ka qёnё gjithnjё problematik. Kur bëhet fjalë për qytetarin, gjithmonë gjendet një arsye pse nuk ka para, pse duhet pritur, pse procedura kërkon kohë. Kur bëhet fjalë për politikanin, çdo qindarkë që ligji mund t’i japë kthehet në parim.
Telefonin? Ma rimburso. Dietën? Ma paguaj. Përfitimin financiar? Ma jep. Nuk ka rëndësi sa kohë ka kaluar. Ma jep, se s`po e nxjerr nga xhep yt.
Jorida Tabaku është sot një ilustrim perfekt i këtij raporti të politikës me arkën publike.
Deputetja ka paditur Kuvendin e Shqipërisë duke kërkuar “përfitimet financiare të papaguara” që, sipas saj, burojnë nga legjislacioni për Statusin e Deputetit. Madje paratë që kërkon nuk i përkasin këtij mandati. Janë për periudhat 1 korrik 2014–1 janar 2015 dhe 1 shkurt–1 qershor 2017.
Dhe për to është vënë në lëvizje i gjithë mekanizmi i drejtësisë.
Çështja ka kaluar në gjykatën administrative dhe prej vitit 2019 ndodhet në Gjykatën e Lartë pas rekursit të Kuvendit. Më 23 shtator 2026 është caktuar përsëri për shqyrtim.
Natyrisht, Tabaku ka të drejtë të kërkojë në gjykatë çdo lek që pretendon se i detyrohet Kuvendi.
Por nga sytё e hallexhinjve, tashmё kuptohet qartё se politikanët shqiptarë nuk e konsiderojnë luks as telefonin e paguar, as karburantin, as dietat, as përfitimet që burojnë nga mandati. Për ta janë të drejta që duhen marrë deri në qindarkën e fundit nga buxheti.
Dhe kur një qindarkë mungon, shteti ndiqet deri në Gjykatën e Lartë.
Qytetari i zakonshëm ndërkohë mund të kalojë vite duke pritur po të njëjtën Gjykatë të Lartë për një pension, një pronë, një largim nga puna apo një dëmshpërblim që për të mund të jetë kursimi i gjithë jetës.
Nuk është e paligjshme ajo që bën Tabaku. Është mentaliteti që të lë shije të hidhur: politika që jeton prej buxhetit nuk pranon t’i falë buxhetit asgjë.
Dhe për ҫdo qindarkë, ka gjithmonë kohë. Edhe nёntë vjet gjyq.






