Dhjetëra milionë rusë janë nxitur ose detyruar gjatë 18 muajve të fundit të instalojnë Max, aplikacionin që autoritetet e paraqesin si alternativën kombëtare ndaj Telegram dhe WhatsApp, por një studim i ri ngre shqetësime serioze për aftësitë e tij të mbikëqyrjes.
Max është zhvilluar nga kompania ruse VKontakte (VK) dhe funksionon si një “super-aplikacion”, duke bashkuar në një platformë të vetme mesazhet, pagesat, shërbimet bankare dhe shërbime të rëndësishme shtetërore.
Sipas kërkimit forensik të një ekipi të drejtuar nga Roya Ensafi, profesore e asociuar e shkencave kompjuterike në Universitetin e Miçiganit, Max mund të bëjë fotografi të ekranit të pajisjes pa dijeninë e përdoruesit, të ketë akses në informacionin e ruajtur brenda mini-aplikacioneve, përfshirë mesazhet dhe pagesat, si dhe të kryejë veprime duke u paraqitur si vetë përdoruesi. Studiuesit thonë se aplikacioni mund të injektojë edhe kod në mini-aplikacionet e tij, çka potencialisht mund të përdoret për sulme kibernetike.
Megjithatë, studimi sqaron se Max nuk mund të hyjë në aplikacione të tjera si Telegram apo WhatsApp të instaluara në telefon. Rusia, ndërkohë, i ka ndaluar të dyja këto platforma.
Përdorimi i Max është zgjeruar veçanërisht në institucionet shtetërore, universitete dhe shkolla. Një mësues në Moskë i tha The Guardian se stafi ishte urdhëruar të kalonte komunikimet me prindërit dhe detyrat e nxënësve në Max, ndërsa një student në Shën Petersburg tha se e instaloi pasi iu komunikua se pa kodin QR të gjeneruar nga aplikacioni nuk do të mund të hynte në universitet apo konvikt.
Sipas studiuesve, shqetësimi më i madh nuk lidhet vetëm me të dhënat që Max mund të mbledhë, por me faktin se gjithnjë e më shumë shërbime të jetës së përditshme po përqendrohen në të njëjtën platformë. Ensafi e cilëson këtë model si një “derë të pasme” drejt ekosistemit dixhital të përdoruesit dhe paralajmëron se ai mund të shërbejë si model edhe për qeveri të tjera që kërkojnë kontroll më të madh mbi komunikimet private.
Burimi: The Guardian






