Një mesazh i Ambasadës Amerikane në Tiranë, i publikuar pikërisht ditën kur hetimet e SPAK kanë mbërritur në nivelet më të larta të strukturave shqiptare të sigurisë, merr pashmangshëm një tjetër peshë politike dhe institucionale.
“Kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku, komunitetet tona janë më të sigurta”, shkruan Ambasada, duke njoftuar zhvillimin në Shqipëri të sesionit të 42-të të trajnimit të Kapitullit Europian të FBINAA-së, me pjesëmarrjen e 235 profesionistëve të zbatimit të ligjit nga SHBA, Shqipëria dhe Europa.
Mesazhi vazhdon edhe më drejtpërdrejt: FBINAA bashkon drejtues të lartë të strukturave ligjzbatuese për të shkëmbyer ekspertizë, forcuar bashkëpunimin dhe “luftuar krimin e organizuar përtej kufijve”. Objektivi, sipas Ambasadës, është “zbatim më i fortë i ligjit, siguri më e madhe dhe komunitete më të sigurta”.
Në një ditë tjetër, njoftimi mund të lexohej thjesht si bilanc i një aktiviteti ndërkombëtar. Por sot vjen vetëm disa orë pasi u raportua se GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka vendosur “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa janë kryer kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Koha bën që fjalët e Ambasadës për “zbatim më të fortë të ligjit” dhe luftë kundër krimit të organizuar të tingëllojnë sot shumë më fort se një njoftim protokollar. Sidomos kur, në të njëjtën ditë, drejtësia ka trokitur në dyert e njerëzve që deri dje drejtonin SHISH-in dhe Policinë e Shtetit.






