Kenia ka nisur ndërtimin e një rafinerie gjigante nafte me vlerë 16 miliardë dollarë, një projekt që synon të reduktojë varësinë e Afrikës Lindore nga importet e karburanteve të përpunuara dhe të krijojë një qendër të re industriale dhe energjetike në rajon.
Rafineria do të ndërtohet në qytetin bregdetar Lamu dhe parashikohet të përfundojë brenda 40 muajve. Kapaciteti i saj pritet të arrijë rreth 700 mijë fuçi naftë në ditë, duke e bërë projektin më të madh të këtij lloji në Afrikën Lindore dhe Qendrore.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve morën pjesë presidenti i Kenias, William Ruto, presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, dhe kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed. Projekti do të drejtohet nga miliarderi nigerian Aliko Dangote, i konsideruar njeriu më i pasur i Afrikës.
Sipas Rutos, investimi synon të forcojë sigurinë energjetike të rajonit, të ulë varësinë nga importet dhe të kursejë valutën që aktualisht shpenzohet për blerjen e produkteve të rafinuara jashtë kontinentit. Projekti nuk kufizohet vetëm te rafineria: kompleksi parashikohet të përfshijë edhe një central elektrik me kapacitet 1,000 MW, fabrikë plastike dhe prodhim plehrash kimike e produktesh të tjera industriale.
Dangote tha se projekti synon ta bëjë Afrikën Lindore më të vetë-mjaftueshme në furnizimin me karburante. Ai kritikoi modelin ekonomik në të cilin vendet afrikane eksportojnë lëndë të para, përfshirë naftën bruto, dhe më pas importojnë me kosto më të lartë produktet e përpunuara.
Megjithatë, investimi ka shkaktuar edhe kundërshtime. Organizatat mjedisore paralajmërojnë për ndikimin që një kompleks i këtyre përmasave mund të ketë në zonën e Lamut, ku ndodhet Qyteti i Vjetër i Lamut, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe një ekosistem i ndjeshëm detar ku jetojnë dugongë, balena dhe disa lloje breshkash detare.
Banorë të zonës kanë nisur gjithashtu një betejë ligjore, duke pretenduar se toka ku do të ndërtohet rafineria është pjesë e trashëgimisë së tyre familjare. Gjykata e Lartë e Kenias vendosi se procesi gjyqësor për të drejtat mbi tokën do të vazhdojë, por lejoi zhvillimin e ceremonisë për nisjen e punimeve.

Burimi: DW / AP / AFP / Reuters






