Mali i Zi synon të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Europian deri në vitin 2028, por rruga drejt anëtarësimit po përballet me një problem të pazakontë: Podgorica mund të mos arrijë të përkthejë në kohë dhe me saktësinë e kërkuar të gjithë legjislacionin e BE-së në gjuhën malazeze.
Përpara anëtarësimit, çdo vend kandidat duhet të miratojë dhe të përkthejë të ashtuquajturin acquis communautaire, tërësinë prej dhjetëra mijëra aktesh që përbëjnë kuadrin ligjor të Bashkimit Europian. Institucionet europiane bëjnë kontrollin përfundimtar përpara publikimit të teksteve në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Mali i Zi ka investuar në rritjen e kapaciteteve administrative dhe këmbëngul se puna do të përfundojë në kohë. Megjithatë, Komisioni Europian ka nisur të shqyrtojë zgjidhje alternative në rast se një pjesë e legjislacionit mbetet e papërkthyer ose përkthimet nuk përmbushin standardet e kërkuara.
Çështja është bërë më e ndjeshme pasi Kroacia ka ngritur shqetësime për cilësinë e disa teksteve të përkthyera. Zagrebi dhe Podgorica kanë gjithashtu mosmarrëveshje dypalëshe që mund të ndikojnë në ritmin e negociatave të anëtarësimit. Ndërkohë, detyra e përkthimit është bërë edhe më e madhe, pasi që nga hyrja e Kroacisë në BE në vitin 2013, vëllimi i legjislacionit europian pothuajse është dyfishuar.
Një nga mundësitë që po shqyrton Komisioni është një përjashtim i përkohshëm, i cili do t’i lejonte Malit të Zi të përdorte një gjuhë tjetër zyrtare të BE-së për pjesët që nuk do të arrinte t’i përkthente në kohë.
Në këtë rast, alternativa më e natyrshme do të ishte gjuha kroate, për shkak të afërsisë së madhe gjuhësore. Studimet gjuhësore i vendosin standardet malazeze, kroate, boshnjake dhe serbe brenda të njëjtit vazhdim dialektor dhe i konsiderojnë ato të kuptueshme reciprokisht.
Por ajo që teknikisht mund të jetë zgjidhja më e thjeshtë, politikisht mund të jetë shumë më e ndërlikuar. Gjuha është e lidhur ngushtë me çështjet e identitetit kombëtar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Mali i Zi ka punuar për vite për njohjen ndërkombëtare të gjuhёs malazeze si gjuhë më vete.
Një përjashtim i tillë nuk do të ishte pa precedent. Kur Malta hyri në BE në vitin 2004, mungesa e përkthyesve të kualifikuar bëri që ajo të përfitonte një periudhë kalimtare trevjeçare gjatë së cilës nuk ishte e detyruar të përkthente menjëherë çdo akt europian në gjuhën malteze. Një përjashtim i përkohshëm është përdorur më vonë edhe për gjuhën irlandeze.
Për momentin, përdorimi i kroatishtes është vetëm një nga alternativat që po shqyrtohen dhe nuk ka një vendim përfundimtar. Komisioni Europian po monitoron ritmin e punës së Podgoricës, ndërsa çdo zgjidhje do të duhet të balancojë kërkesat praktike të anëtarësimit me ndjeshmëritë gjuhësore dhe politike të Malit të Zi.






