Parku Rinia ka qenë aty shumë përpara se Tirana të zbulonte kullat. Është konceptuar që në planet urbanistike të viteve ’30, ndërsa në vitin 1949 të rinjtë e Tiranës mbollën pemët që i dhanë edhe emrin. Më vonë erdhi lokali që kryeqytetasit e pagëzuan “Tajvan”, pastaj vitet e kaosit me kioska e ndërtime pa leje dhe, në vitin 2000, pastrimi i parkut dhe rikthimi i tij si një prej hapësirave të gjelbra më të njohura të qendrës.
Tani Parku Rinia hyn në një kapitull tjetër. “Tajvani” që njohim do të zëvendësohet nga një kullë 78 metra e lartë, me hotel, zyra dhe apartamente, ndërsa poshtë saj parashikohen rreth tre kate nëntokësore për parkim dhe logjistikë. Konkursin ndërkombëtar të zhvilluar dje e fitoi studioja daneze BIG – Bjarke Ingels Group, mes pesë studiove të huaja të ftuara për të paraqitur projektet e tyre.
Projekti fitues është padyshim spektakolar. BIG e ka konceptuar ndërtesën si një lloj “reje” të ngritur mbi kolona, rreth 20 metra nga toka, duke argumentuar se në këtë mënyrë lirohet hapësira poshtë saj dhe shtohen sipërfaqet publike, gjelbërimi dhe uji. Pra, ideja arkitekturore është që kulla të mos e hajë parkun, por të ngrihet mbi të.
Dje Edi Rama e reduktoi shumë lehtë kёtё betonizim tё rradhёs te “xhelozia e njerëzve mediokër dhe nacionalistëve”.
Shqetësimi nuk është nëse Bjarke Ingels di të projektojë një kullë. As nëse Shqipëria duhet apo nuk duhet të punojë me arkitektë të huaj. Tirana ka nevojë për arkitekturë të mirë dhe një qytet bashkëkohor nuk mund të konservohet si fotografi e vitit 1985.
Çështja është sa, ku dhe sipas cilës ide të përgjithshme po ndërtohet?
Vetë Rama pranoi dje se ndërtimi i kullave është aq kompleks sa Shqipëria ende nuk i ka “të gjitha dijet” dhe kapacitetet për ndërtime të kësaj natyre. Por nëse kullat janë kaq komplekse, edhe më kompleks është qyteti që po krijohet prej tyre. Një kullë nuk mbaron te parcela ku ngrihet. Ajo sjell banorë, zyra, hotel, makina, parkime, furnizime, trafik, konsum energjie e uji dhe ndryshon raportin mes ndërtesës dhe hapësirës publike përreth. Një ndërtesë mund të jetë teknikisht e përsosur dhe njëkohësisht të ngrejë pikëpyetje për trafikun, diellëzimin, densitetin dhe infrastrukturën e qytetit.
Madje projekti fitues nuk prek vetëm godinën ekzistuese të Tajvanit. Materialet e prezantuara parashikojnë ndërhyrje edhe në funksionimin e hapësirës përreth, me hyrje për hotelin, taksi, furnizime dhe akses drejt parkimit nëntokësor. Ndërkohë, Citizens.al raportoi se nuk gjeti një njoftim publik të konkursit nga institucionet që zakonisht organizojnë konkurse të tilla.
Kush e nisi kёtё konkurs? Kush ishte probelamtika qё do duhej tё adresohej pёrmes njё kulle tё re? Asnjё transparencё, pёrveҫse fakt i kryer nga njё prezantim i Kryeministrit.
Tirana nuk ka nevojë të zgjedhë mes pemës dhe arkitekturës moderne. Ka nevojë që dikush t’i tregojë se çfarë qyteti po ndërtohet.
Një kullë mund të jetë e bukur. Edhe dhjetë mund të jenë të bukura veç e veç. Por kur ato mbërrijnë njëra pas tjetrës, nga qendra te Bulevardi, nga stadiumi te Parku Rinia, dikush duhet tё shpjegojё nëse ekziston një mendim urban që i lidh të gjitha bashkë, ashtu siҫ duhet tё sqarojnё mirё sa densitet përballon qendra, sa trafik prodhon, çfarë infrastrukture kërkon dhe sa hapësirë i mbetet njeriut që nuk banon, nuk punon dhe nuk konsumon brenda kullës.
Parku Rinia dikur ishte thjesht vendi ku tiranasit shkonin për të marrë frymë në mes të qytetit.
Tani edhe ajri mbi të ka projekt!

Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






