Vetmia mes të rinjve po kthehet jo vetëm në një problem social, por edhe në një mundësi për kompani të reja teknologjike. Krishna Dosapati, 32 vjeç, themeluese dhe drejtuese e Clockout, ka siguruar në total 3.5 milionë dollarë financim për një aplikacion që synon të ndihmojë të rinjtë të krijojnë miqësi, kontakte profesionale dhe komunitete jashtë botës virtuale.
Clockout funksionon si një ndërthurje mes LinkedIn dhe Meetup: përdoruesit mund të gjejnë profesionistë pranë tyre, të hyjnë në klube sipas profesionit apo interesave dhe të marrin pjesë në aktivitete ku kontaktet online mund të shndërrohen në takime reale.
Ideja lindi nga përvoja personale e Dosapatit. Pas diplomimit në New York University dhe fillimit të punës në Nju Jork, ajo kuptoi se, megjithëse kishte tashmë një rreth shoqëror, krijimi i njohjeve të reja po bëhej gjithnjë e më i vështirë.
“Nëse unë po përballesha me këtë problem, si do ta ndërtojnë të rinjtë rrjetin e tyre, si do të krijojnë miqësi dhe si do të gjejnë një komunitet profesional?”, tha ajo për Fortune.
Aplikacioni u lançua në tetor 2024 dhe deri tani ka kaluar 600 mijë shkarkime. Sipas kompanisë, brenda dhjetë muajve nga nisja e shërbimeve me pagesë, Clockout arriti 1.1 milion dollarë të ardhura vjetore të përsëritshme, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 përdoruesit dërguan afro 400 mijë ftesa për persona të tjerë që t’i bashkoheshin platformës. Kompania nuk ka bërë publike vlerën aktuale të saj.
Clockout ofrohet edhe falas, ndërsa abonimi vjetor prej 99 dollarësh u jep përdoruesve funksione shtesë, përfshirë akses të pakufizuar në klube dhe aktivitete.
Nisma vjen në një kohë kur vetmia po prek veçanërisht brezat e rinj. Të dhënat e Gallup tregojnë se në vitin 2025, 22% e punonjësve nën 35 vjeç kishin përjetuar vetmi gjatë një pjese të madhe të ditës së mëparshme, ndërsa përqindja ishte më e lartë mes atyre që punonin në distancë. Në SHBA, 29% e të rinjve 18–29 vjeç raportuan vetmi të konsiderueshme të përditshme në tremujorin e dytë të vitit 2025, kundrejt 21% të të rriturve në përgjithësi.
Tendenca po shfaqet edhe jashtë punës. Klubet e vrapimit dhe aktivitetet në grup kanë fituar popullaritet të madh, ndërsa raporti i Strava për vitin 2025 tregoi se numri i klubeve në platformë pothuajse u katërfishua, duke arritur në 1 milion.
Vetmia konsiderohet gjithnjë e më shumë edhe një çështje e shëndetit publik. Në vitin 2023, autoritetet shëndetësore amerikane paralajmëruan se vetmia dhe izolimi social lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës, goditje në tru, demencë, depresion dhe vdekje të parakohshme, duke rekomanduar përfshirjen në komunitete dhe grupe sociale si një nga mënyrat për të forcuar ndjenjën e përkatësisë.
Burimi: Fortune






