Një nga koleksionet private më të rëndësishme të artit impresionist dhe modern pritet të dalë në ankand në Nju Jork në nëntor, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 450 milionë dollarësh. Në qendër të vëmendjes është një pikturë e Vincent van Gogh, e vlerësuar në 180 milionë dollarë, e cila mund të vendosë një rekord të ri për artistin në ankand.
Bëhet fjalë për 12 vepra nga koleksioni Blaquier-Arrieta, i krijuar gjatë dekadave nga trashëgimtarja argjentinase e industrisë së sheqerit María Elena “Nelly” Arrieta de Blaquier dhe bashkëshorti i saj, Carlos Pedro Blaquier. Për vite me radhë, veprat u mbajtën larg publikut në pronën e familjes pranë Buenos Airesit.
Pesë prej pikturave janë ekspozuar në Londër përpara një turi ndërkombëtar që do t’i çojë veprat në Taipei, Hong Kong dhe Paris, përpara shitjes përfundimtare nga Sotheby`s në Nju Jork.
Ylli i koleksionit është “Châtaignier en fleurs roses et blanches”, e pikturuar nga Vincent van Gogh në maj të vitit 1890 në Auvers-sur-Oise, vetëm pak muaj përpara vdekjes së tij. Vepra, e cila paraqet një gështenjë të lulëzuar përmes penelatave të fuqishme në të gjelbër, blu dhe të verdhë, vlerësohet në 180 milionë dollarë.
Piktura nuk është shfaqur publikisht që nga viti 1964, kur u ekspozua në Guggenheim në Nju Jork, dhe është një nga veprat e rëndësishme të periudhës së fundit të Van Gogh që vazhdon të jetë në duar private.
Nëse arrin vlerësimin e Sotheby’s, ajo do të tejkalojë ndjeshëm rekordin aktual të Van Gogh në ankand, prej 117 milionë dollarësh, të vendosur në vitin 2022 nga Orchard with Cypresses. Helena Newman, drejtuese e departamentit të artit impresionist dhe modern në Sotheby’s, nuk përjashton që piktura e vitit 1890 të arrijë madje 200 milionë dollarë ose më shumë.
Një tjetër vepër që mund të vendosë rekord është “Arlequin” e Paul Cézanne, e realizuar rreth viteve 1888-1890 dhe e vlerësuar në afërsisht 120 milionë dollarë. Një portret i krahasueshëm i artistit nuk është shfaqur në një ankand publik që prej vitit 1988. Megjithatë, rekordi absolut i çmimeve të Cézanne përfshin edhe shitjet private: në vitin 2012 u raportua se Katari pagoi më shumë se 250 milionë dollarë për The Card Players.

Koleksioni përfshin gjithashtu “La Place du Théâtre-Français, soleil d’après-midi en hiver” të Camille Pissarro, me një vlerësim prej 30-40 milionë dollarësh; Le Jardin des Tuileries të Claude Monet, me 15-20 milionë dollarë; En Canot (Jeune fille à la barque) të Pierre-Auguste Renoir, me 25-35 milionë dollarë; si dhe Nature morte à la cruche bleue të Maurice de Vlaminck, e vlerësuar në 2-3 milionë dollarë.

Vetë historia e koleksionit është e pazakontë. Në vitin 1995, The New York Times e përshkruante Nelly Arrieta de Blaquier si zotëruese të “koleksionit më të madh privat të artit në Argjentinë”. Ajo ishte trashëgimtarja e vetme e raportuar e gjigantit argjentinas të sheqerit Ledesma dhe një figurë e rëndësishme e patronazhit kulturor në vend.
Shumë prej kryeveprave europiane të familjes u blenë gjatë udhëtimeve të çiftit në Londër në vitet 1970. Shtatë nga 12 veprat që do të dalin tani në ankand ishin blerë nga Lefevre Gallery në Bruton Street.
Pas vdekjes së Nelly-t në vitin 2020 dhe Carlos Blaquier në vitin 2023, familja po kalon nëpër një ndryshim brezash në administrimin e koleksionit. Sotheby’s thotë se familja do të mbajë vepra të rëndësishme argjentinase dhe latino-amerikane, ndërsa po nxjerr në treg pjesën impresioniste të koleksionit.
Ankandi do të jetë gjithashtu një provë e rëndësishme për tregun ndërkombëtar të artit. Pas një periudhe kur arti bashkëkohor dominonte shitjet më të mëdha, Sotheby’s sheh një rikthim të interesit të koleksionistëve për emrat më të mëdhenj të impresionizmit dhe artit modern.
Por të gjithë sytë do të jenë te Van Gogh: nëse “Châtaignier en fleurs roses et blanches” kalon kufirin e 180 milionë dollarëve, një pikturë e realizuar në muajt e fundit të jetës së artistit mund të shkruajë një kapitull të ri në historinë e ankandeve të artit.

Burimi: The Art Newspaper






