Prangat e SPAK-ut nuk vijnë vetëm për miliona euro. Këtë e mësoi sot në mënyrën më të vështirë Leli Kaja, administratori i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., që u arrestua në flagrancë me 400 mijë lekë në xhep. Paratë dyshohet se i kishte kërkuar dhe marrë si ryshfet nga administratori i një operatori ekonomik.
Kaja nuk u kap rastësisht. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit e kanë ndjekur me metoda speciale dhe veprime të simuluara, duke e lënë të shkonte deri në fund të marrëveshjes. Kur e kontrolluan, shuma ishte aty, e plotë, dhe u sekuestrua në vend.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Kaja dyshohet se “ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë”. Me fjalë të tjera, paratë do të shërbenin për të mbyllur sytë ndaj diçkaje që ligji e detyronte ta shihte.
Akuza është “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 259, paragrafi 2, i Kodit Penal. Procedimi penal nr. 108 u regjistrua vetëm më 1 tetor, mbi bazën e referimit të BKH-së. Katër ditë më pas, administratori është në pranga.
Shuma, rreth katër mijë euro, mund të duket e papërfillshme përballë aferave milionëshe që zakonisht pushtojnë faqet e para. Por për këdo që e sheh karrigen si mundësi pazari: ligji nuk pyet sa ke marrë, por nëse e ke shitur detyrën. Dhe për këtë, dënimi vjen njësoj.
ECO-ELB nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Shoqëria që administron inceneratorin e Elbasanit ka qenë prej vitesh në qendër të hetimeve për një nga aferat më të zhurmshme të koncesioneve në vend.
SPAK bën të ditur se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.






